Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur konfiskimin e pasurisë së Kastriot Ismailajt. Ish – administratori i kompanisë DIA akuzohet se përmes kompanive fiktive përfitoi 4.5 milionë euro. Kastriot Ismailaj akuzohet për mashtrim dhe pastrim parash.
Prokuroria ka dyshime të arsyeshme se 4 milionë dollarët janë produkt i aktiviteteve kriminale, ku ka qenë i përfshirë 53 – vjeçari.
Gjatë hetimit, Prokuroria ka zbardhur edhe skemën se si pastroheshin paratë në vendin tonë. Ismailaj ngrinte kompani në Shqipëri pa asnjë lloj aktiviteti tregtar. Nga këto kompani kryheshin transaksione me shuma të konsiderueshme parash, që nuk kishin llogjikë financiare. Sipas Prokurorisë, gjatë periudhës 2006 – 2015 janë bërë transferta drejt Shqipërisë, rreth 10 milionë dollarë dhe 800 mijë euro.
Burimi i tyre, për Prokurorinë është i dyshimtë dhe nuk bëhet i ditur. E njëjta gjë vlen edhe në momentin kur këto para transferohen përsëri jashtë vendit, pasi asgjë nuk është e dokumentuar. Për këto trasferta, Ismailaj nuk ka kryer deklarime në Tatime.
