Në çdo rast tjetër, kur ekipi pretendent për titullin sfidohet në shtëpi nga skuadra e fundit në renditje, ndeshja do të dukej pa histori.
Por, ky rast ndryshon. Prej grumbullimit për 48 orë për ndeshjen me Tërbunit dhe më pas angazhimin e mesjavës së ardhshme, Partizani vendosi të nxjerrë në konferencë për shtyp dy mesfushorët, Asion Daja e Lorenc Trashi.
Pas surprizës së Tërbunit në fushën e Skënderbeut, të kuqtë nuk ia lejojnë vetes luksin që t’i nënvlerësojnë kundërshtarët. Për më tepër, edhe prej barazimit pa gola në përballjen e fundit më 27 shkurt në Pukë.
Trashi thotë: “Është e vërtetë që me Tërbunin hasëm vështirësi në ndeshjen e fundit. Por këtë takim e vlerësojmë maksimalisht. Jemi mobilizuar që ta fitojmë ndeshjen, edhe për faktin se nuk na lejohet më asnjë hap fals.
Nuk i trembemi asnjë ekipi, por e vlerësojmë 100 për qind këtë ndeshje”.
Pas suksesit në Kukës, entuziazmi te Partizani është i madh. Por, edhe pse provojnë të përqendrohen vetëm te Tërbuni, nga kampi i kuq nis të nxehet edhe derbi i mesjavës së ardhshme me rivalët e Tiranës.
Për këtë mesfushori Asion Daja thekson: “Ajo fitore më tepër ishte fitore kampionësh. Pavarësisht 3 pikëve, treguam vendosmëri, luajtëm në inferioritet në pjesën më të madhe të kohës dhe treguam shpirt gare: që jemi për kampion. Derbi?
Do të marrim Tërbunin njëherë, sepse çdo ndeshje vlen 3 pikë dhe është e rëndësishme. Tërbuni e ka treguar me Korçën që është problematik”.
