A u mbyll “ai muhabet”?

redaktor

21 Janari me 4 viktimat e pafajshme dhe ngjarjet që ndodhën më pas, janë aq të pandara nga e sotmja, sa që nuk do e ekzagjeroja me pretendimin tim, se ajo ngjarje na mban peng të gjithëve dhe nuk do na lejojë kurrë të ecim përpara, pa bërë atë që duhet bërë.

Ngjarjet e atyre ditëve të Janarit e ndjekin nga pas Sali Berishën dhe janë arsyeja e çdo lëvizjeje që ai ka bërë, qysh nga ajo ngjarje. Qëllimi i tij i vetëm mbetet mospërballja me drejtësinë. Ajo ngjarje duket të ketë një peshë shumë të rëndë për z. Kryeministër. Presidenca është e mbushur me “nëpunës” të përfshirë në fshirjen e filmimeve të kamerave të sigurisë dhe që keqpërdorin këtë institucion si vend azili për dëshmitarë krimesh. KLD-ja, Kryeprokuroria dhe gjykatat, janë të gjitha së bashku, direkt apo indirekt, pengje të asaj ngjarje makabër. Për sa kohë kjo Republikë nuk gjen forcën e brendshme për përballjen direkte ligjore, të vrasësve dhe bajraktarëve të frikës me drejtësinë, për aq kohë vazhdon pengmarrja e shoqërisë shqiptare, për aq kohë vazhdon hipokrizia e klasës politike ndaj qytetarëve të këtij vendi. Të marrësh votën e 1 milion shqiptarëve dhe t’u thuash pas 2 vjetëve se drejtësia për 21 Janarin do vonojë por nuk do harrojë, do të thotë që z. Rama e ka mbyllur atë kapitull. Arsyet i di zotëria më mirë se kushdo tjetër. Pengmarrja vazhdon. Situata të tilla të jashtëzakonshme, kërkojnë një kryeministër dhe masa të jashtëzakonshme. Z. Rama nuk është i gdhendur prej atij lloj materiali!

 

Dërguar me Email

Në adresën e redaksisë

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *