Apeli i ul 3 vjet burgim pilotit italian Riformato

Dita

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda i ka ulur me 3 vjet dënimin pilotit italian Giorgio Riformato, i dënuar për trafikun e drogës me avion nga plazhi i Divjakës më 10 maj 2014.

Trupa gjykuese refuzoi kërkesën e të pandehurit për pafajësi dhe zhvlerësim të përgjimeve të kryera, ndërsa vendosi që italiani të bënte vetëm 12 vite burg, nga 15 që kishte dhënë Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë pak muaj më parë. Riformato e apeloi këtë dënim menjëherë pas shpalljes, por kërkesa e tij u refuzua ditën e djeshme. Më herët ishin dënuar edhe 6 bashkëpunëtorët e tjerë, që pranuan akuzat dhe përfituan nga gjykimi i shkurtuar.

Referuar ankimit, Riformato i qëndroi pretendimeve të paraqitura prej tij edhe në gjykimin në Shkallën e Parë, ku për asnjë moment nuk pranoi të jetë përfshirë në trafik narkotikësh. Italiani deklaroi se kishte ardhur për qëllime turistike dhe se kishte pësuar defekt. Ai i tha gjykatësve se edhe përgjimet e kryera janë përkthyer gabim dhe janë nxjerrë nga konteksti. “Dy telefonat e sekuestruar janë të shoqërisë ku punoja, numri i paraqitur në vendim nuk është i imi. Arsyeja e ardhjes sime ishte për turizëm”, sqaron ai.

Por sipas prokurorisë, Riformato është kontaktuar nga organizatori Sajmir Bajramaj, është marrë në Rinas me taksi dhe akomoduar në Tiranë në hotel për dy ditë. Më tej është dërguar nga Bajramaj në Durrës, ku janë kryer bisedimet dhe ka pranuar punën, ndërsa në Divjakë më 9 maj ka inspektuar plazhin, duke pohuar se ulja e avionit “Piper” mund të kryhej. Aty është takuar edhe me baxhanakun e Bajramajt, ish-shefin e Antidrogës në Sarandë dhe Fier, ende në kërkim. Por më 10 maj, teksa ndryshoi kursin e fluturimit sipas Kullës së Rinasit, dështoi në uljen që bëri në plazhin e Divjakës dhe në trafikimin e mbi 300 kg hashashi. Sipas hetimeve, Riformato do paguhej 500 euro për kilogram.

Për këtë ngjarje u akuzuan 7 persona me gjithë Riformaton. Sajmir Bajrami, Mariglen Ymeraj, Kristian Demçe, Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe dhe Orgest Bilbili, u dënuan nga 8-14 vite burgim.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *