“Një armë e mbushur dhe një kokë e nxehtë janë kombinimi më i keq”/Thënie amerikane
Britmat kërcënuese të Sali Berishës në parlamentin shqiptar para pak ditësh, si dëshmi e dezintegrimit të tij psikik dhe produkt i rrënimit të pandalshëm moral, nuk ishin diçka e re. Gjëja e vetme e re në këtë shfaqje ishte demonstrimi i hapur i asaj çfarë ka menduar dhe mendon, çfarë ka besuar dhe beson dhe çfarë ka aspiruar dhe aspiron shtetasi shqiptar Sali Berisha tash 26 vjet. Meqenëse opsioni i luftës midis shqiptarëve dhe në dëm të kombit ka qenë përherë i pranishëm në psikikën e këtij individi politik, mjaft që ky opsion t’i mundësojë rrëmbimin apo mbajtjen e pushtetit edhe atëherë kur shumica e shqiptarëve nuk e duan dhe e neveritin, shfrimi i tij shtazarak dhe avokatia që iu bë më vonë nga gjithfarë lolosh të skenës tonë politiko-mediatike, meritojnë një vështrim pak më nën sipërfaqe.
Mendimet e një politikani, ashtu si të çdo qytetari tjetër, duhen respektuar edhe nëse dalin të gabuara. E drejta për të gabuar është pjesë e lirisë së mendimit. Por ky nuk është rasti. Sepse e drejta për të gabuar nuk mund të ngatërrohet me “të drejtën” për të kryer krim. Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë fare me shprehjen e mendimit për të lejuar qytetarët të mbajnë armë. Politikanët dinjitozë i paraqesin mendimet e tyre në formën e propozimeve apo të projektligjeve dhe përdorin një sërë argumentesh për të mbështetur mendimet e tyre. Politikanët e qytetëruar nuk klithin por flasin, nuk fyejnë por argumentojnë. Politikanët atdhetarë propozojnë zgjidhje dhe nuk e ndiejnë nevojën të hakërrehen dhe as të nxisin një pjesë të popullit kundër pjesës tjetër. Politikanët atdhetarë predikojnë marrëveshjen dhe respektin e ndërsjellë, ndërsa armiqtë e popujve predikojnë konfliktet e armatosur, i nxisin ato dhe përpiqen që aktet e veta kriminale dhe antipopullore t’i shesin si shërbime ndaj popullit.
Ata që kanë parë dhe ata që do të shohin pamjet e filmuara të seancës parlamentare të 21 prillit 2016 nuk do ta kenë të vështirë të dallojnë se ku duhet rreshtuar “propozuesi” i armatosjes popullore. Aty duket qartë që nuk ka kurrfarë meraku për sigurinë e qytetarëve, por ka një urrejtje ndaj qeverisësve dhe tentativë që, këtë urrejtje të një grushti njerëzish të rrëzuar nga pushteti me votë popullore, ta shtrijë tek masat dhe t’i mobilizojë ato për akte të armatosur ndaj qeverisë. Ja çfarë thotë luftënxitësi mes shqiptarësh dhe paqeprishësi i përhershëm i tyre: “Iu bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të ar-ma-to-sen! të ar-ma-to-sen! për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre… Në qoftë se ju, o organizatë kriminale (u drejtohet me dorë dhe fytyrë prej Neandertali shumicës parlamentare- V.M.) mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët, me bandat tuaja, ju garantoj (ka 26 vjet që “i garanton” shqiptarët për gjithçka- V.M.) se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm t’ua kthejnë ju me të njëjtat mjete dhe të mos gjeni vrimë miu ku të futni”.
Këtu nuk bëhet fare fjalë për armatosje sipas ligjit. Autori i drejtohet drejtpërdrejt popullit dhe i bën thirrje ta zgjidhë problemin e armatosjes privatisht, pavarësisht ligjeve dhe, çfarë është më e keqja dhe më domethënëse, që e tradhton kushtrimdhënësin, është fakti se ai ia tregon popullit objektin që duhet të sulmojnë të armatosurit e tij. Ai e cilëson qeverinë e zgjedhur demokratikisht si “organizatë kriminale” dhe e kërcënon se, pasi të armatoset populli, ata nuk do të gjejnë vrimë miu ku të futen. Pra, qëllimi i thirrjes për armatosje është krejtësisht i kthjellët.
Pasi e ka kuptuar se ka bërë një gafë të madhe politike dhe ka kryer një krim publik, autori i krimit përpiqet ta përdredhë gjuhën e helmët, duke thënë se, “Po, po, të armatosen se armatosen edhe amerikanët”. Dëshira e tij për të justifikuar dhe “argumentuar” thirrjet kriminale me paralelizma perëndimorë dhe amerikanë duhet sqaruar, pasi shumica dërmuese e popullit nuk ka asnjë ide mbi këtë “shembullin amerikan” të Saliut. Në Kushtetutën amerikane ekziston Amendamenti i Dytë, i cili thotë: ” Përgatitja e një Milicie që nevojitet për sigurinë e shtetit të lirë si dhe e drejta e njerëzve për të mbajtur armë, nuk mund të pengohen”.
Koha, vendi dhe rrethanat kur është miratuar ky amendament janë kryekëput të ndryshme me ato të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera. Ishte viti 1789 kur bëheshin përpjekje për formimin dhe konsolidimin e federatës amerikane, kur qeveritë e shteteve të veçantë të federatës i frikësoheshin një qeverie qendrore tepër të fuqishme dhe, ndoshta, imponuese e shtypëse dhe prandaj kërkohej ngritja e një milicie në çdo shtet për mbrojtje lokale, ekzekutim të ligjeve dhe kundërvënie ndaj qeverisë qendrore, në rast nevoje. Sipas propozuesve dhe mbrojtësve të amendamentit supozohej se kjo milici do të përbëhej nga të gjithë shtetasit e moshës madhore dhe prandaj atyre nuk iu duhej mohuar e drejta e mbajtjes së armës, në kuadrin e këtij formacioni mbrojtës. Por, askund nuk është parashikuar përdorimi i armëve kundër qeverisë nga cilido individ që, një ditë të bukur, pasi të bindej se nuk i pëlqente qeveria, të ngrinte armët kundër saj. Vetë përmbajtja e amendamentit dhe numri i madh i versioneve të interpretimit të tekstit që përmban amendamentin kanë qenë objekt polemikash prej 200 vjetësh.
Në të vërtetë, ka qenë ndikimi i kompanive miliardere të prodhimit dhe shitjes së armëve që ka bërë të mundur keqinterpretimin e amendamentit, sikur ai i jep liri cilitdo të mbajë dhe përdor armën pa leje dhe pa kontroll. Gjykata e Lartë amerikane, me një vendim të mëparshëm, e ka bërë të qartë se armëmbajtja nënkupton mbajtjen e armës në shtëpi dhe jo në makinë, rrugë apo në vendin e punës. Është absurde të besosh që në një vend ku 20% e amerikanëve ishin skllevër, ku as 20% e popullsisë nuk e kishte të drejtën e votës, propozuesit e amendamentit, me gjendje shoqërore skllavopronarë, po i ofronin popullit të drejtën e mbajtjes së armës dhe përdorimin e saj kundër qeverisë sa herë të zemëroheshin me qeveritarët. Duhet të jesh naiv i pandreqshëm që të besosh se qeveria e sotme amerikane, e pajisur me tanke, avionë, raketa dhe ushtri e polici të stërvitur na u dhënka qytetarëve të saj pistoleta dhe armë gjahu që, në rast nevoje, ta luftojnë këtë qeveri. Për të kuptuar shkakun e vërtetë pse në duart e shtetasve amerikanë gjenden kaq shumë armë, me dhe pa leje, mjafton të lexosh librin e ish-Presidentit amerikan Bill Klinton, “Jeta Ime”. Qytetarët amerikanë e patën provuar një herë në messhekullin e 19-të të luftonin qeverinë dhe pas një lufte civile ku humbën jetën rreth një milion njerëz, qeveria doli fitimtare.
Edhe sikur të ishte ndryshe, legjislacioni amerikan për armët është gjëja e fundit që duhet marrë shembull nga SHBA, pasi është vendi perëndimor me treguesit më të lartë të kriminalitetit dhe, veçanërisht, të vrasjeve. Madje, gjatë dy dekadave të fundit, vrasjet në masë dhe ato seriale janë shndërruar në epidemi, gjë që ka ngjallur reagime të fuqishme të organizatave joqeveritare dhe një pajtim me to të administratës Obama me qëllim shtrëngimin me ligj të rregullave të armëmbajtjes.
Pra, edhe sikur të kesh qëllimin e mirë, të propozosh apo miratosh mbajtjen e armëve nga kushdo në Shqipëri, në një vend ku ende shfaqet praktika e gjakmarrjes mesjetare, tek një popull gjaknxehtë si pakkush që, historikisht, më shumë i ka kënduar pushkës se sa dijes dhe ku, edhe sot të vrasin për një fjalë goje apo pse u ke gërvishtur makinën pa dashje, është jo vetëm absurde por dhe mjaft e dëmshme. Ideja e disave se për këtë duhet referendum, edhe sikur të ishte qëllimmirë, është krejt e gabuar pasi historia ka treguar se edhe popujt, si bashkësi individësh, kanë gabuar, sidomos popujt që janë ende peng i mentaliteteve të vjetra të së kaluarës.
Po të ishte dashnor i vërtetë i eksperiencës amerikane dhe perëndimore, politikani Sali Berisha, në vend të armatosjes së popullit, do të propozonte çarmatosjen e politikës. Në këtë mënyrë, do të kishte propozuar që me kushtetutë askujt të mos i lejohej të zgjidhej president apo kryeministër më shumë se dy herë, do të kishte imituar politikanët perëndimorë që flasin mirë edhe për kundërshtarin politik, që argumentojnë se na ndajnë vetëm pikëpamjet për rrugët e zhvillimit, dhe nuk do të imitonte fiset barbare të hunëve dhe as të sillej si i përdalë në betejat e tij për pushtet. Mirëpo, jo! Atë s’e tërheq Perëndimi por pushteti vetjak. Perëndimi është letër bixhozi në lojën e tij politike të ushtruar me hark e shigjetë.
Po të shihet me vëmendje filmimi i seancës parlamentare do të dallohet lehtësisht se tonaliteti i “shprehjes së mendimit” të Sali Berishës, theksimi i fjalës “ar-ma-to-sje” duke e ndarë në rrokje dhe përsëritur, si dhe adresimi i të keqes tek kundërshtarët politik, duke ndërsyer të armatosurit e mundshëm ndaj tyre, nuk lënë vend për dyshime se veprimi i tij ishte shpërthim i gjendjes së brendshme psiko-motore të një individi që, pasi e di mirë se ka kryer shumë krime, dyshon se një reformë e drejtësisë, sado e mangët qoftë, mund të rrezikojë gjendjen e tij të ardhshme juridike dhe, po kështu, është i vetëdijshëm se shanset e rikthimit në pushtet vitin e ardhshëm i ka ende nën zero. Në këto kushte, ai ka parë si mjet shpëtimi për vete destabilizimin. Këtë konkluzion e përforcon akoma më shumë thënia e tij tri ditë pas klithmave në parlament se “Destabilizimi po vjen, këtu do të jemi…”.
Brenda një jave e rriti kurbën e sjelljes së tij kriminale duke kërcënuar kundërshtarin politik se ” 14 shtatori do i duket lule “. Pra, ndërsimi që ai iu bëri banditëve të tij në 14 shtator 1998, marrja e institucioneve shtetërore me armë e tanke dhe deklarimi në TVSH-në e rrëmbyer nga kriminelët e tij se ” E morëm pushtetin ” si dhe ngujimi në selinë e PD-së i ushtrisë berishiste me të gjitha llojet e armëve, nuk kanë qenë asgjë krahasuar me çfarë mund të bëjë Atila i shqiptarëve. Shqiptarët, që edhe sot drithërohen kur iu kujtohet ajo ngjarje, janë kuriozë të dinë çfarë mendojnë disa ambasadorë hipokritë të Perëndimit të cilët iu ofrojnë parime me shumicë gjatë gjithë vitit por e kanë kyçur magazinën e qëndrimeve të tyre parimore ndaj sjelljes së Kryegangsterit tonë politik. Duhej të reagonin, të paktën, në respekt të deklaratave që qeveritë e tyre patën bërë në 14 shtator 1998. Sepse është i njëjti personazh. I papenduar dhe akoma më i degraduar.
Ky është individi politik tipik sundues dhe zullumqar që ka kërkuar dhe kërkon si pushtetin personal, ashtu edhe shpëtimin nga ndëshkimi për krimet që kryen, nëpërmjet destabilizimit. Po të vihet re me pak vëmendje, platforma e tij kriminale është kjo: Paraqite pushtetin aktual si bandë kriminale, krijo idenë e rreme në popull se pushteti jo vetëm nuk të mbron nga krimi, por ai është autori i krimeve, ndërseje popullin edhe me armë kundër qeverisë dhe risill në pushtet bandën e vjetër të komanduar prej tij. Prandaj, ai dhe kasnecët dylekësh të tij çdo ditë dalin në publik dhe paraqesin si bandë kriminale edhe policinë e rendit që merr masa drastike ndaj ligjshkelësve, edhe policinë financiare, ndërtimore, elektrike etj.etj. Edhe rrahjen e një bisnesmeni në Durrës nga dy fqinjët e tij për çështje pronësie u përpoqën t’ua shisnin shqiptarëve si aktivitet bandash. Duke qenë personifikimi i antishtetit, ai iu thotë gjithë ligjshkelësve shqiptarë dhe gjithë të pakënaqurve me qeverinë: Përmbysini këta, edhe me armë sepse nuk ju lënë të bëni çfarë të doni, më sillni mua atje ku isha se e bëj sërish Shqipërinë siç e doni ju, “lesh arapi”.
Akoma më i turpshëm se klithmat e Sali Berishës ishte qëndrimi i PD-së ndaj tij. Duke heshtur apo e marrë në mbrojtje, ata po e dëshmojnë veten përditë e më shumë se i ngjajnë një bande pa ide, pa ideal dhe pa kurrfarë ndjenjash atdhetare që për pushtet është gati të bëjë gjithçka. Nuk ka vend për t’u çuditur, por vetëm për t’u dëshpëruar. Janë po ata që, pasi e ndihmuan në dhunimin e procesit zgjedhor të majit 1996, e mbështeten në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe rizgjedhjen president në mars 1997, kur vendi dhe populli shqiptar po digjej e piqej. Janë ata që e kanë ndihmuar në aktet kriminale të marrjes së pushtetit me dhunë në 14 shtator 1998, në djegiet e Shqipërisë dhe dhunimet e proceseve zgjedhore.
Përfaqësuesja më dinjitoze e kësaj bande mbetet Ledi Makbeth, një deputete e Shkodrës, ish-kryeparlamentare, ish-organizatorja e pengmarrjes së prefektit dhe djegies së komisariatit të policisë së Shkodrës në mars 1998, “kritikuesja” e Sali Berishës për mosdhënien e plumbit protestuesve antiregjim të marsit 1997. Shikojeni videon e seancës parlamentare. Një grua e murrëtyer në fytyrë, një nënë e pashpirt, një femër e pangopur me pushtet ngrihet dhe mbështet thirrjen kriminale dhe antikombëtare të “dashnorit të përjetshëm” politik të saj. Ajo, duke imituar klithmat e së keqes, përdor të njëjtin tonalitet në ekstazën e marrëzisë së saj, duke thënë: “Të bëjmë ligjin për të armatosur qytetarët, për t’u vetëmbrojt nga një organizatë kri-mi-na-le (dhe drejton gishtin nga qeveria- V.M.) Dhe, kështu duhet ba në fakt”.
Shumëkush mund të çuditet se si këta dy përfaqësues të ekstremizmit politik, të papërgjegjshmërisë kombëtare dhe të degradimit moral nuk mendojnë, të paktën, për fëmijët dhe të afërmit e tyre në rast se ia dalin që konflikti të ndizet. Mos u çuditni. Ata kanë menduar për këtë. Me pasuritë e grumbulluara gjatë pushtetit të tyre ata i dërgojnë fëmijët e tyre në vendet më luksoze të botës ndërsa fëmijët pa mend të të tjerëve, të ndërsyer prej tyre dhe në shërbim të tyre, do të vriteshin me njëri-tjetrin. Ky është morali i tyre. E vetmja gjë që nuk kanë menduar mirë është fakti se tani Avni Rustemët mund të lëvizin pa viza edhe në vendet luksoze. Nuk ka gjë më të admirueshme se një femër inteligjente, fine dhe humane, por nuk ka gjë më të neveritshme dhe të pështirë se një femër vulgare, mendjelehtë dhe luftënxitëse.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së askush nuk diskutonte rreth drejtësisë apo marrëzisë së fjalëve të luftënxitësit, por pohonin se ai nuk duhej përjashtuar sepse “nuk është një deputet i zakonshëm”, “është lideri ynë historik” etj. Pra, atij dhe atyre iu lejohet gjithçka sepse ata nuk janë si ne të tjerët, janë të veçantë dhe mbi gjithë të tjerët. Dukej sikur klithej në kor: “Na kanë përjashtue babën more, heheeeeej! Qëndroni burra!…”.
Të ngjallin neveri edhe disa analistë mendjekërmill dhe jargavitës si kërmijtë që përpiqen ta reduktojnë dhe paraqesin klithmën berishiste si një “tezë thjesht dhe qartë politike, e djathtë si në gjithë botën” apo disa të tjerë që nuk i vënë faj Berishës për ato që thotë pasi qeveria nuk i kishte ftuar në një aktivitet të sajin për urbanistikën. Po të mos kishim pasur këtë shpurë mbështetësish të keqbërjes kombëtare do t’i kishim pasur më mirë punët si komb dhe do të ishim më dinjitozë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare.
Është detyrë e çdo qytetari shqiptar të ndërgjegjësohet dhe të kuptojë se individëve dhe thirrjeve të tilla antipopullore, kriminale dhe të pamoralshme iu duhet kthyer shpina, nga kushdo që i bën. Ata që klithin për armatosje të popullit dhe për konflikte civile mund ta çojnë Shqipërinë drejt Mesjetës. Kush do përparimin vetjak, familjar dhe kombëtar duhet të çarmatosë mendjen dhe trupin nga atavizmat e së kaluarës. Një popull që vazhdon të shkojë pas berihajve për motive fisnore, krahinore, pasurore apo emocionale, edhe kur sheh se anija në të cilën ndodhet mund të mbytet, së bashku me gjithë “udhëtarët”, ai popull nuk bën gjë tjetër veçse vetëvritet. Vetëvritet përditë pak e nga pak dhe, siç thotë vetë populli ynë, “Kush vret veten nuk i dhimbset kujt”.
VIKTOR MALAJ – DITA

Më qartë, më kthjellët dhe argumentuar me fakte se kjo që shkruhet këtu, nuk ka. Të lumtë pena…ka plot që e lexojnë ashtu sic është shkruar dhe jo ashtu si duan të lexojnë. Faleminderit që duke lexuar artikujt tuaj, rritet shpresa se ka dhe njerëz që vënë pikën mbi i, që u hapin sytë njerëzve që lëkunden në gjykimet e tyre, se nuk e kuptojnë këtë lloj shteti dhe drejtësie që hesht, kur një ish president, një ish kryeminister flet me gjuhën e urrejtjes dhe mashtrimit për 26 vjet. Imagjinoni të kishte pushtet-pa pushtet dhe na kall datën. Të lumtë që na hap sytë të gjithëve dhe na rrit shpresën se Shqipëria mund të bëhet.