Klithmat për Luftë dhe Reagimi i Bandës

redaktor
BERISHA NE DRITAREN E ZYRES SE TIJ - Kryeminstri Sali Berisha, duke pare nga dritarja e zyres se tij, konfrontimin mes policise dhe mbeshtetesve te PS, per hyrjen ne bulevardin Deshmoret e Kombit, te kamionit me pajisjet per skenen dhe podiumin, qe do te perdoren ne mitingun permbylles te socialisteve.

 

“Një armë e mbushur dhe një kokë e nxehtë janë kombinimi më i keq”/Thënie amerikane

 

Britmat kërcënuese të Sali Berishës në parlamentin shqiptar para pak ditësh, si dëshmi e dezintegrimit të tij psikik dhe produkt i rrënimit të pandalshëm moral, nuk ishin diçka e re. Gjëja e vetme e re në këtë shfaqje ishte demonstrimi i hapur i asaj çfarë ka menduar dhe mendon, çfarë ka besuar dhe beson dhe çfarë ka aspiruar dhe aspiron shtetasi shqiptar Sali Berisha tash 26 vjet. Meqenëse opsioni i luftës midis shqiptarëve dhe në dëm të kombit ka qenë përherë i pranishëm në psikikën e këtij individi politik, mjaft që ky opsion t’i mundësojë rrëmbimin apo mbajtjen e pushtetit edhe atëherë kur shumica e shqiptarëve nuk e duan dhe e neveritin, shfrimi i tij shtazarak dhe avokatia që iu bë më vonë nga gjithfarë lolosh të skenës tonë politiko-mediatike, meritojnë një vështrim pak më nën sipërfaqe.

Mendimet e një politikani, ashtu si të çdo qytetari tjetër, duhen respektuar edhe nëse dalin të gabuara. E drejta për të gabuar është pjesë e lirisë së mendimit. Por ky nuk është rasti. Sepse e drejta për të gabuar nuk mund të ngatërrohet me “të drejtën” për të kryer krim. Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë fare me shprehjen e mendimit për të lejuar qytetarët të mbajnë armë. Politikanët dinjitozë i paraqesin mendimet e tyre në formën e propozimeve apo të projektligjeve dhe përdorin një sërë argumentesh për të mbështetur mendimet e tyre. Politikanët e qytetëruar nuk klithin por flasin, nuk fyejnë por argumentojnë. Politikanët atdhetarë propozojnë zgjidhje dhe nuk e ndiejnë nevojën të hakërrehen dhe as të nxisin një pjesë të popullit kundër pjesës tjetër. Politikanët atdhetarë predikojnë marrëveshjen dhe respektin e ndërsjellë, ndërsa armiqtë e popujve predikojnë konfliktet e armatosur, i nxisin ato dhe përpiqen që aktet e veta kriminale dhe antipopullore t’i shesin si shërbime ndaj popullit.

Ata që kanë parë dhe ata që do të shohin pamjet e filmuara të seancës parlamentare të 21 prillit 2016 nuk do ta kenë të vështirë të dallojnë se ku duhet rreshtuar “propozuesi” i armatosjes popullore. Aty duket qartë që nuk ka kurrfarë meraku për sigurinë e qytetarëve, por ka një urrejtje ndaj qeverisësve dhe tentativë që, këtë urrejtje të një grushti njerëzish të rrëzuar nga pushteti me votë popullore, ta shtrijë tek masat dhe t’i mobilizojë ato për akte të armatosur ndaj qeverisë. Ja çfarë thotë luftënxitësi mes shqiptarësh dhe paqeprishësi i përhershëm i tyre: “Iu bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të ar-ma-to-sen! të ar-ma-to-sen! për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre… Në qoftë se ju, o organizatë kriminale (u drejtohet me dorë dhe fytyrë prej Neandertali shumicës parlamentare- V.M.) mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët, me bandat tuaja, ju garantoj (ka 26 vjet që “i garanton” shqiptarët për gjithçka- V.M.) se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm t’ua kthejnë ju me të njëjtat mjete dhe të mos gjeni vrimë miu ku të futni”.

Këtu nuk bëhet fare fjalë për armatosje sipas ligjit. Autori i drejtohet drejtpërdrejt popullit dhe i bën thirrje ta zgjidhë problemin e armatosjes privatisht, pavarësisht ligjeve dhe, çfarë është më e keqja dhe më domethënëse, që e tradhton kushtrimdhënësin, është fakti se ai ia tregon popullit objektin që duhet të sulmojnë të armatosurit e tij. Ai e cilëson qeverinë e zgjedhur demokratikisht si “organizatë kriminale” dhe e kërcënon se, pasi të armatoset populli, ata nuk do të gjejnë vrimë miu ku të futen. Pra, qëllimi i thirrjes për armatosje është krejtësisht i kthjellët.

Pasi e ka kuptuar se ka bërë një gafë të madhe politike dhe ka kryer një krim publik, autori i krimit përpiqet ta përdredhë gjuhën e helmët, duke thënë se, “Po, po, të armatosen se armatosen edhe amerikanët”. Dëshira e tij për të justifikuar dhe “argumentuar” thirrjet kriminale me paralelizma perëndimorë dhe amerikanë duhet sqaruar, pasi shumica dërmuese e popullit nuk ka asnjë ide mbi këtë “shembullin amerikan” të Saliut. Në Kushtetutën amerikane ekziston Amendamenti i Dytë, i cili thotë: ” Përgatitja e një Milicie që nevojitet për sigurinë e shtetit të lirë si dhe e drejta e njerëzve për të mbajtur armë, nuk mund të pengohen”.

Koha, vendi dhe rrethanat kur është miratuar ky amendament janë kryekëput të ndryshme me ato të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera. Ishte viti 1789 kur bëheshin përpjekje për formimin dhe konsolidimin e federatës amerikane, kur qeveritë e shteteve të veçantë të federatës i frikësoheshin një qeverie qendrore tepër të fuqishme dhe, ndoshta, imponuese e shtypëse dhe prandaj kërkohej ngritja e një milicie në çdo shtet për mbrojtje lokale, ekzekutim të ligjeve dhe kundërvënie ndaj qeverisë qendrore, në rast nevoje. Sipas propozuesve dhe mbrojtësve të amendamentit supozohej se kjo milici do të përbëhej nga të gjithë shtetasit e moshës madhore dhe prandaj atyre nuk iu duhej mohuar e drejta e mbajtjes së armës, në kuadrin e këtij formacioni mbrojtës. Por, askund nuk është parashikuar përdorimi i armëve kundër qeverisë nga cilido individ që, një ditë të bukur, pasi të bindej se nuk i pëlqente qeveria, të ngrinte armët kundër saj. Vetë përmbajtja e amendamentit dhe numri i madh i versioneve të interpretimit të tekstit që përmban amendamentin kanë qenë objekt polemikash prej 200 vjetësh.

Në të vërtetë, ka qenë ndikimi i kompanive miliardere të prodhimit dhe shitjes së armëve që ka bërë të mundur keqinterpretimin e amendamentit, sikur ai i jep liri cilitdo të mbajë dhe përdor armën pa leje dhe pa kontroll. Gjykata e Lartë amerikane, me një vendim të mëparshëm, e ka bërë të qartë se armëmbajtja nënkupton mbajtjen e armës në shtëpi dhe jo në makinë, rrugë apo në vendin e punës. Është absurde të besosh që në një vend ku 20% e amerikanëve ishin skllevër, ku as 20% e popullsisë nuk e kishte të drejtën e votës, propozuesit e amendamentit, me gjendje shoqërore skllavopronarë, po i ofronin popullit të drejtën e mbajtjes së armës dhe përdorimin e saj kundër qeverisë sa herë të zemëroheshin me qeveritarët. Duhet të jesh naiv i pandreqshëm që të besosh se qeveria e sotme amerikane, e pajisur me tanke, avionë, raketa dhe ushtri e polici të stërvitur na u dhënka qytetarëve të saj pistoleta dhe armë gjahu që, në rast nevoje, ta luftojnë këtë qeveri. Për të kuptuar shkakun e vërtetë pse në duart e shtetasve amerikanë gjenden kaq shumë armë, me dhe pa leje, mjafton të lexosh librin e ish-Presidentit amerikan Bill Klinton, “Jeta Ime”. Qytetarët amerikanë e patën provuar një herë në messhekullin e 19-të të luftonin qeverinë dhe pas një lufte civile ku humbën jetën rreth një milion njerëz, qeveria doli fitimtare.

Edhe sikur të ishte ndryshe, legjislacioni amerikan për armët është gjëja e fundit që duhet marrë shembull nga SHBA, pasi është vendi perëndimor me treguesit më të lartë të kriminalitetit dhe, veçanërisht, të vrasjeve. Madje, gjatë dy dekadave të fundit, vrasjet në masë dhe ato seriale janë shndërruar në epidemi, gjë që ka ngjallur reagime të fuqishme të organizatave joqeveritare dhe një pajtim me to të administratës Obama me qëllim shtrëngimin me ligj të rregullave të armëmbajtjes.

Pra, edhe sikur të kesh qëllimin e mirë, të propozosh apo miratosh mbajtjen e armëve nga kushdo në Shqipëri, në një vend ku ende shfaqet praktika e gjakmarrjes mesjetare, tek një popull  gjaknxehtë si pakkush që, historikisht, më shumë i ka kënduar pushkës se sa dijes dhe ku, edhe sot të vrasin për një fjalë goje apo pse u ke gërvishtur makinën pa dashje, është jo vetëm absurde por dhe mjaft e dëmshme. Ideja e disave se për këtë duhet referendum, edhe sikur të ishte qëllimmirë, është krejt e gabuar pasi historia ka treguar se edhe popujt, si bashkësi individësh, kanë gabuar, sidomos popujt që janë ende peng i mentaliteteve të vjetra të së kaluarës.

Po të ishte dashnor i vërtetë i eksperiencës amerikane dhe perëndimore, politikani Sali Berisha, në vend të armatosjes së popullit, do të propozonte çarmatosjen e politikës. Në këtë mënyrë, do të kishte propozuar që me kushtetutë askujt të mos i lejohej të zgjidhej president apo kryeministër më shumë se dy herë, do të kishte imituar politikanët perëndimorë që flasin mirë edhe për kundërshtarin politik, që argumentojnë se na ndajnë vetëm pikëpamjet për rrugët e zhvillimit, dhe nuk do të imitonte fiset barbare të hunëve dhe as të sillej si i përdalë në betejat e tij për pushtet. Mirëpo, jo! Atë s’e tërheq Perëndimi por pushteti vetjak. Perëndimi është letër bixhozi në lojën e tij politike të ushtruar me hark e shigjetë.

Po të shihet me vëmendje filmimi i seancës parlamentare do të dallohet lehtësisht se tonaliteti i “shprehjes së mendimit” të Sali Berishës, theksimi i fjalës “ar-ma-to-sje” duke e ndarë në rrokje dhe përsëritur, si dhe adresimi i të keqes tek kundërshtarët politik, duke ndërsyer të armatosurit e mundshëm ndaj tyre, nuk lënë vend për dyshime se veprimi i tij ishte shpërthim i gjendjes së brendshme psiko-motore të një individi që, pasi e di mirë se ka kryer shumë krime, dyshon se një reformë e drejtësisë, sado e mangët qoftë, mund të rrezikojë gjendjen e tij të ardhshme juridike dhe, po kështu, është i vetëdijshëm se shanset e rikthimit në pushtet vitin e ardhshëm i ka ende nën zero. Në këto kushte, ai ka parë si mjet shpëtimi për vete destabilizimin. Këtë konkluzion e përforcon akoma më shumë thënia e tij tri ditë pas klithmave në parlament se “Destabilizimi po vjen, këtu do të jemi…”.

Brenda një jave e rriti kurbën e sjelljes së tij kriminale duke kërcënuar kundërshtarin politik se ” 14 shtatori do i duket lule “. Pra, ndërsimi që ai iu bëri banditëve të tij në 14 shtator 1998, marrja e institucioneve shtetërore me armë e tanke dhe deklarimi në TVSH-në e rrëmbyer nga kriminelët e tij se ” E morëm pushtetin ” si dhe ngujimi në selinë e PD-së i ushtrisë berishiste me të gjitha llojet e armëve, nuk kanë qenë asgjë krahasuar me çfarë mund të bëjë Atila i shqiptarëve. Shqiptarët, që edhe sot drithërohen kur iu kujtohet ajo ngjarje, janë kuriozë të dinë çfarë mendojnë disa ambasadorë hipokritë të Perëndimit të cilët iu ofrojnë parime me shumicë gjatë gjithë vitit por e kanë kyçur magazinën e qëndrimeve të tyre parimore ndaj sjelljes së Kryegangsterit tonë politik. Duhej të reagonin, të paktën, në respekt të deklaratave që qeveritë e tyre patën bërë në 14 shtator 1998. Sepse është i njëjti personazh. I papenduar dhe akoma më i degraduar.

Ky është individi politik tipik sundues dhe zullumqar që ka kërkuar dhe kërkon si pushtetin personal, ashtu edhe shpëtimin nga ndëshkimi për krimet që kryen, nëpërmjet destabilizimit. Po të vihet re me pak vëmendje, platforma e tij kriminale është kjo: Paraqite pushtetin aktual si bandë kriminale, krijo idenë e rreme në popull se pushteti jo vetëm nuk të mbron nga krimi, por ai është autori i krimeve, ndërseje popullin edhe me armë kundër qeverisë dhe risill në pushtet bandën e vjetër të komanduar prej tij. Prandaj, ai dhe kasnecët dylekësh të tij çdo ditë dalin në publik dhe paraqesin si bandë kriminale edhe policinë e rendit që merr masa drastike ndaj ligjshkelësve, edhe policinë financiare, ndërtimore, elektrike etj.etj. Edhe rrahjen e një bisnesmeni në Durrës nga dy fqinjët e tij për çështje pronësie u përpoqën t’ua shisnin shqiptarëve si aktivitet bandash. Duke qenë personifikimi i antishtetit, ai iu thotë gjithë ligjshkelësve shqiptarë dhe gjithë të pakënaqurve me qeverinë: Përmbysini këta, edhe me armë sepse nuk ju lënë të bëni çfarë të doni, më sillni mua atje ku isha se e bëj sërish Shqipërinë siç e doni ju, “lesh arapi”.

Akoma më i turpshëm se klithmat e Sali Berishës ishte qëndrimi i PD-së ndaj tij. Duke heshtur apo e marrë në mbrojtje, ata po e dëshmojnë veten përditë e më shumë se i ngjajnë një bande pa ide, pa ideal dhe pa kurrfarë ndjenjash atdhetare që për pushtet është gati të bëjë gjithçka. Nuk ka vend për t’u çuditur, por vetëm për t’u dëshpëruar. Janë po ata që, pasi e ndihmuan në dhunimin e procesit zgjedhor të majit 1996, e mbështeten në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe rizgjedhjen president në mars 1997, kur vendi dhe populli shqiptar po digjej e piqej. Janë ata që e kanë ndihmuar në aktet kriminale të marrjes së pushtetit me dhunë në 14 shtator 1998, në djegiet e Shqipërisë dhe dhunimet e proceseve zgjedhore.

Përfaqësuesja më dinjitoze e kësaj bande mbetet Ledi Makbeth, një deputete e Shkodrës, ish-kryeparlamentare, ish-organizatorja e pengmarrjes së prefektit dhe djegies së komisariatit të policisë së Shkodrës në mars 1998, “kritikuesja” e Sali Berishës për mosdhënien e plumbit protestuesve antiregjim të marsit 1997. Shikojeni videon e seancës parlamentare. Një grua e murrëtyer në fytyrë, një nënë e pashpirt, një femër e pangopur me pushtet ngrihet dhe mbështet thirrjen kriminale dhe antikombëtare të “dashnorit të përjetshëm” politik të saj. Ajo, duke imituar klithmat e së keqes, përdor të njëjtin tonalitet në ekstazën e marrëzisë së saj, duke thënë: “Të bëjmë ligjin për të armatosur qytetarët, për t’u vetëmbrojt nga një organizatë kri-mi-na-le (dhe drejton gishtin nga qeveria- V.M.) Dhe, kështu duhet ba në fakt”.

Shumëkush mund të çuditet se si këta dy përfaqësues të ekstremizmit politik, të papërgjegjshmërisë kombëtare dhe të degradimit moral nuk mendojnë, të paktën, për fëmijët dhe të afërmit e tyre në rast se ia dalin që konflikti të ndizet. Mos u çuditni. Ata kanë menduar për këtë. Me pasuritë e grumbulluara gjatë pushtetit të tyre ata i dërgojnë fëmijët e tyre në vendet më luksoze të botës ndërsa fëmijët pa mend të të tjerëve, të ndërsyer prej tyre dhe në shërbim të tyre, do të vriteshin me njëri-tjetrin. Ky është morali i tyre. E vetmja gjë që nuk kanë menduar mirë është fakti se tani Avni Rustemët mund të lëvizin pa viza edhe në vendet luksoze. Nuk ka gjë më të admirueshme se një femër inteligjente, fine dhe humane, por nuk ka gjë më të neveritshme dhe të pështirë se një femër vulgare, mendjelehtë dhe luftënxitëse.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së askush nuk diskutonte rreth drejtësisë apo marrëzisë së fjalëve të luftënxitësit, por pohonin se ai nuk duhej përjashtuar sepse “nuk është një deputet i zakonshëm”, “është lideri ynë historik” etj. Pra, atij dhe atyre iu lejohet gjithçka sepse ata nuk janë si ne të tjerët, janë të veçantë dhe mbi gjithë të tjerët. Dukej sikur klithej në kor: “Na kanë përjashtue babën more, heheeeeej! Qëndroni burra!…”.

Të ngjallin neveri edhe disa analistë mendjekërmill dhe jargavitës si kërmijtë që përpiqen ta reduktojnë dhe paraqesin klithmën berishiste si një “tezë thjesht dhe qartë politike, e djathtë si në gjithë botën” apo disa të tjerë që nuk i vënë faj Berishës për ato që thotë pasi qeveria nuk i kishte ftuar në një aktivitet të sajin për urbanistikën. Po të mos kishim pasur këtë shpurë mbështetësish të keqbërjes kombëtare do t’i kishim pasur më mirë punët si komb dhe do të ishim më dinjitozë në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare.

Është detyrë e çdo qytetari shqiptar të ndërgjegjësohet dhe të kuptojë se individëve dhe thirrjeve të tilla antipopullore, kriminale dhe të pamoralshme iu duhet kthyer shpina, nga kushdo që i bën. Ata që klithin për armatosje të popullit dhe për konflikte civile mund ta çojnë Shqipërinë drejt Mesjetës. Kush do përparimin vetjak, familjar dhe kombëtar duhet të çarmatosë mendjen dhe trupin nga atavizmat e së kaluarës. Një popull që vazhdon të shkojë pas berihajve për motive fisnore, krahinore, pasurore apo emocionale, edhe kur sheh se anija në të cilën ndodhet mund të mbytet, së bashku me gjithë “udhëtarët”, ai popull nuk bën gjë tjetër veçse vetëvritet. Vetëvritet përditë pak e nga pak dhe, siç thotë vetë populli ynë, “Kush vret veten nuk i dhimbset kujt”.

 

VIKTOR MALAJ – DITA

Share This Article
20 Comments
  • Brilante! Sidomos qe Ylli,Lubonja dhe Andi edhe Bojaxhi jane quajtur “mendjekermill”! Ata futen ne guasken e tyre dhe zvarriten kur i urdheron Berisha!

  • Kendon pa pushim Bilbili
    Pa i’u ngjirur zeri fare
    Here qendron ne prag te deres
    Here qendron ne dritare!!.

    Kendon pa pushim Bilbili
    Ne mejhanet e Tiranes
    Ia thote pa pushuar fare
    Te SHQUP-i ne ane te lanes!…

    Ka njezet e gjashte vite
    ç’te ka gjetur popull – ziu?!
    ti vajton si qyqe prilli
    si bilbil ‘kendon’ Saliu !!

    Bilbili me sqep te ndyre
    me surrat te deformuar
    sa here te ka share rende
    sa here te eshte hakerruar ?

    Ka nxire si reja e detit
    ka shperthyer ne gjemime
    ti si qyqe ke vajtuar
    vetem kuje e ligjerime!!

    Ka ‘kenduar’ sa eshte ngjirur
    ky bilbil-bilbil gjyzari
    po edhe ka pallur shume
    njelloj sic pellet gomari!

    Zbriti nga mali bilbili
    ashtu si fare pa pritur
    pastaj u be nje me ukin
    per te shqyer e uleritur!!

    Me ‘kenget’ e tij bilbili
    nuk ka lene sy pa perlotur
    me sqepin e tij te ndyre
    nuk ka lene asgje pa ndotur!

    Ne keto njezet e pese vite
    ç’te ka gjetur popull – ziu?
    ti je vrare e je gjakosur
    ketu ka bere hyqem Saliu!

    Ne keto njezet e pese vite
    ka ngrene njeriu – njerine
    koke ulur qyqi- popull
    ka degjuar bilbil Saline!!…

    Do vazhdoje kengen bilbili
    Do kendoje e s’do pushoje
    Ndersa ti o qyqi popull
    Do ngelesh me m….(molle) ne goje

    E sa shume ka per te shkruar
    per gjithe ‘kenget’ e Saliut
    per te zezat qe vazhdojne
    mbi kurriz te popull-ziut!!…

    Sa do e durosh akoma??
    Te pyes o popull – ziu
    te vajtosh si qyqe prilli
    te ‘kendoje’ bilbil Saliu??!!

  • Njje shkrim i plote qe nuk le ose shume pak le vend pere koment. Shkurtimisht do te thoja: Bravo Viktor, si gjithmone ne balle te atyre pak gazetareve realist qe jetojne ne kete xhungel mediatike qe vervitet si lavjerres here duke marre anen e pushtetareve dhe pushteteve te korrupsionit dhe here anen e gangstereve politik, skizofrenise akute por dhe tejet kriminale qe perfaqesohen nga kryekrimineli, kryebanditi, kryemafiozi, kryehajduti, kryeshkaterruesi, kryeantikombetari, kryemashtruesi, kryedemagogu dhe serialkilleri me pasaporte shqiptare, Sali Ram Berisha. Kancelarite perendimore dhe perfaqesuesit e tyre diplomatike ne Shqiperi, duke heshtur ndaj deklerates luftenxitese te ketij kryegangsteri politk psikopat, tregojne se sa shume ata “e duan” Shqiperine dhe popullin e saj. Por Sali Berisha dhe gjithe banda e tij nen siglen e PD-es, harrojne vetem nje gje, qe do te thote se riperseritja e nje fatkeqesie, per te mbrojtur dhe fshehur krimet qe kane bere, siç qene ato qe ai ka inicuar dhe zhvilluar keto 25 vjet, do te jene vetem nje bumerang tragjik per ata, familjet e tyre biologjike dhe politike.

  • Artikull iplote Z.Malaj por mendoj se analistet mendjekermij dhe jargavites duhen cituar me emra si pshm Bushati ,Zheji, Lubonja,Hoxha(kandidati per president)Fevziu,Balliu etj te behen te njohur para popullit si shpure mbeshtetsish te keqberjes kombetare ne menyre qe te bojkotohen dhe injorohen se bashku me idhullin e tyre Berrisha pasi ai qe justifikon dhe mbeshtet kriminelin eshte kriminel me i rrezikshem se ai qe ben krim ,mjaft i duruam keta sharlatane te helmatisin dhe te sabotojne aspiratat e popullit per demokraci ,drejtesi reale dhe prosperitet

  • Sali Berisha eshte monument i kultures politike dhe shteterore Shqiptare – ruhet nga PPSH – PS, PD, LSI, si brenda ashtu dhe jashte shtetit.

  • SALTI MORTALI

    nuk mund te behen, i nderuari Viktor, edhe pse thirrja keqedashese e kriminale e Sali Mutqenef Berishes, nenkuptonte fare haptazi nje revolte ndaj rendit kushtetues (qeveria e zgjedhur me vote te tradhetuar), duke bere u bere kandilmbajtesi i armatosjes se bandave te frymezuara, stervitura e akoma te pa armatosura legalisht prej tij dhe qelbesirave qe mban per rreth.

    Ligjerisht, po ta shohesh me qetesi dhe dashuri, mund te bindesh se nuk ka bere asnje edhe nje shkelje ne kete menxyre te tij deshperuese. Sepse, sigurisht tellall promovuesit e tij i kane matur mire fjale per fjale shpirtdhenjet e fundit te tij te llahtarte, pavaresisht qellimit te tij kriminal te nenkuptuar.

    Nuk ka e nuk mund te kete gjykate ne kete bote qe mund ta denoje, ne mungese te nje ligji specifik per dalje te tilla kriminale. Tingellon qesharake dhe idiote kerkesa e qafeshtemberit te Librazhdit, me rrefim te neneve 222 e 223 dhe nje tjeter, per ta ndeshkuar penalisht, po aq e llahtareshme eshte edhe deklarata prej skuthi bythelepires e Kalifit te Surrelit ne kete sage donkishoteske te ketyre diteve te zymta.

    Ne boten moderne zakonisht nuk denohen deshirat, qofte te shprehura publikisht, pa nje prove te provuar me veprime konkrete per realizimin e tyre.

    Kjo menyre e te berit politike, e bazuar ne mosndeshkim te mire programuar, me tere lukunine e ligjeve deri ne absurde, te imponuara me voten e kuvendareve te zgjedhur, eshte e keqja me e madhe e gjithe ketyre viteve te shkerdhatokracise, qe as edhe e ashtuquajtura Reforme ne Drejtesi, pa nje shkulje teresore te ketyre mekanizmave te perçudnuar, nuk do te kete efektin qe presin me shpirt neper dhembe shqiptaret e masakruar jo vetem nga saliberishistet e turnit, por edhe nga ilirmetiste e ediramistet qe gallatojne me durimin tone.

  • Është urgjente dalja e një force të re politike , e cila realisht në Shqipëri ka një bazë të fortë , rininë e edukuar në perëndim dhe në vënd,….jo ata që kanë blerë diplomat….punëtorët e ndërrmarjeve të mëdha, fermerët , disa intelektualë jo konformistë, duke u mbështetur nga ajo pjesë e borgjezisë së re përparimtare, jo oligarkët, dhe pa dyshim emigracioni i fuqishëm..Një forcë e re me ide të qarta , të realizueshme , një forcë e aftë të ballafaqohet me ide por edhe e organizuar me lider trima, të pakorruptueshëm, që patjetër nuk mungojnë ….Në të kundërt do të jemi një popull i vdekur, i pakallur…Shëmbujt i kemi të freskët qoftë në vëndet e superzhvilluara si ShBA, Britania, me Sandërs , Korby…..ashtu dhe në Itali , Grillo, Spanjë Podemos, Greqi , Cipras….Mos prisni , veproni sot , nesër mund të jetë vonë Lërini kriminelët berishistë në ulërimën e tyre kafshore, lërini politikanët gënjeshtarë në shejtninë e tyre, lërini shkruesit e shitur të gazetave në llumin e tyre, veproni dhe do të habiteni edhe ju kur të shikoni që do të jenë mijra edhe miliona ata që do tju ndjekin ……

  • Zoti Malaj ju kam lexuar gjithmone dhe i cmoj shkrimet tuaja. Ju kam dhen Shum te drejte ne nje shkrim me pare ku thoshit se Sali Berisha nuk duhet trajtuar si i cmendur por si kriminel. Pas 26 vitesh cfare nuk kemi pare te bej Sali krimineli dhe asgje nuk e gjeti. Prandaj sot jemi ne gjendje ta themi me gojen plot se, fajin nuk e ka krimineli Sali por qeverite socialiste dhe kjo “rilindsja” qe e lan kete kriminel jo vetem te kryej krime te renda njeri pas tjetrit por edhe ti mbroj keto krime faqe botes. Une kam dal ne konkluzionin se Nanos dje dhe Rames sot nuk u behet fare vone per krimet e Saliut por vetem per pushtetin e tyre prandaj dhe krimineli nuk eshte atje ku ka vendin por ne Parlament me Ramen si koleg i tij.

  • Kjo eshte e veteta – e thene troc e shkoqur, njerzit sot jane fare te qarte, shoqeria Shqiptare eshte shresezuar, paqesoret dhe kriminelet , populli qe kerkon me cdo kusht eleminimin e ketij kryekrimineli dhe kriminelet qe kerkojne te shkaterrojne shqiperine dhe te marrin pushtetin perseri dhe ta hedhin ne gremine kete vend e kete popull. Shqiptare bashkohuni dhe dregoni ne vendin e duhur Kryekriminelin dhe bandat e tij qe ai ju jep urdher te armatosen nga Parlamenti qe e mbani dhe paguani ju.
    Poshte tradhetaret e Shqiperise rrofte populli Shqiptar.

  • E cuditshme se siky popull rri e degjon brockullat e Sali berishes qe i nxjerrr nga goja e tij e ndyre sa here e shikon veten para kamerava.Ama,nje gje duhet ta kuptoje ,i madh e i vogel qe eshte shqiptar se toleruesi me i madh eshte Ilir Meta.i cili i ka dhene mundesine ketij funderrine te neveritshme (fatkeqesisht pjese e popullit shqiptar por ne te vertete me antishqiptari i te gjitha koherave) te flase cdo te enjte me kohe te pakufizuar duke u perpjekut qe te cnderoje jo vetem pjesemarreit ne ate salle,por tere popullin.Nje hall e ka Ilir Meta qe sa here ndodhet para Sali Berishes,shkel me te dyja kembet rregulloren e parlamentit.Keto jane cudirat shqiptare,Prandaj,populli shqiptar duhet te zgjohet nga gjumi,te gjeje prijesit e vertete te tij dhe te tregoje vlerat e verteta te tij ,nese i ka.Une besoj se i ka,dhe shpresoj se ka mendjen te kthjellet, patriotizem ,kulture shoqerore,ndjenje njerezore te marre pergjegjesite qe ka para brezave te kaluar e te ardhshem e te mos i lejoje me keta bandite te vertete,te cilet vecse akuzojne te tjeret si bandite ,kur ne te vertete,e kane tepruar kaq shume duke luajtur (deri sa , s`ka ku te veje me) me ndjenjat e popullit,gjoja po i thota ketij qe keto qe ke votuar jane bandite.Veprimi i tyre te kujton e te qe :hajduti therret ,kapeni hajdutin.

  • Shkrim i nderthurur Shqiptaro-Amerikan apo Amerikano-Shqiptar,ku sillen 2 mentalitete,2shtete2 popuj qe nuk kane lidhje me nj-tjetrin.
    Sa kenaqen Shqiptaret kur merret shembull,amerika,burundi,somalia…..etj.
    Jo o Viktor jooooo,mos ik aq larg qe te lodhesh mendjen tende bashke me te lexuesve,qe bejne vajtje-ardhje te mendimeve Shqiperi-Amerike kur lexojne.
    Jo Viktor,ne nuk jemi Amerikane!
    O Viktor,ne jemi Italia e viteve ’60-’95,tritol,vrasje,pengmarje,mashtrime,korrupsion…gjithcka,ku MAFIA sulmonte “SHTETIN”, ku ” SHTETI” i kontrolluar nga MAFIA,ishin dhe jane nje nderthurje prefekte e nje SISTEMI MAFIOZ ,si ky qe Shqiptaret jetojne SOT!!!
    Shqiptaret kane 70-80 vjet qe jetojne nen sundimin e MAFIES,e cila ka klanet e veta qe hane si hienat pjellat e veta.
    Nuk ka faj Saliu,Rama,e te gjithe skenen politike,se ATA nuk jane vec ushtare te MAFIES.
    Cfare krimineli eshte nje Fshatar nga Vucidoli,apo nje Djale Tiranas(rama)apo nje djale Cepanj-ot,kur pa ju thare mire muti nder breke,hyne ne politike dhe me llogari bankare plot!?!?!
    MAFIA…..Viktor….MAFIA,ajo qendron pas tyre,nuk eshte as Disenjatorja e Parlamentit qe kalon ne eksitim publik per thirrje nen arme,as Saliu,As djali Tira-nas,as Shtangisti….dhe MAFIA,nuk FLET….por KONTROLLON!!!!!

  • I dashur Thano,
    Artikulli I sotem I gazetes tuaj me autor Viktor Malaj eshte brilant, maja e ekspertizes qe si askush tjeter ka ndricuar mendjen e cdo shqiptari, qeveritareve tane e nderkombetareve per rreziqet serioze qe mbart psikopati vrases Berisha. Urime e suksese gazetes tuaj qe me artikuj te tille behet me e kerkuara ne vend. Novruz Limaj

  • Te lumte pena dhe mendja I nderuar Z.Viktor.Te gjitha qe ke shkruar i ndjejme dhe i bisedojme ne rrethet miqesore.Ndjehemi te braktisur dhe te tradhetuar.Mbeshtetem PD ne fillimet e saj , po mbars Mali dhe polli nje MI HALEJE si Sale Grdec-21 Janari.Besuam ne Ndryshimin dhe Rilindjen , po prape u zhgenjyem. Edi Rama nuk ka kellqe te beje perpara .E mira e punes eshte te behet menjane se eshte Frikacak dhe zbythet menjehere.Dhe atij i vjen mire qe eshte pasuruar bashke me Klanin e tij dhe ka lene pa ndeshkuar te gjithe zagaret e Saliut , qe as nuk e mendojne tu fusin nje gjemb ne kembe.E gjithe klasa politike eshte pergjegjese per grabitjen e pasurive kombetare dhe dhenia e koncesioneve e pasurive qe duhet te menaxhohen nga vete shteti.Mjaft me Retorike bajate , duhet patur si busull interesin kombetar, interesin e popullit dhe jo pasurimin e ndyre te kraheve te politikes.Bertet Rama :Ku jane Provat?.Provat Zoti Rama jane me bollek ne vilat qe keni ngritur, ne pronat qe keni grabitur, ne gjakun qe eshte derdhur, ne kontot bankare Off Shore dhe In Shore..Thirrja e leshuar nga Zagari i Vucidolit tregon se i ka ardhur Sosja. Denimi i tij duhet te behet shembull.Zoti Moderator eshte hera e pare qe levdoj Z.Viktor Malaj

  • Horrat e katandisën Shqipërinë për horr :

    Sali Berisha që mban era gjak ,

    Fatos Nano që kutërbon era raki dhe

    Edi Rama frikacaku që kutërbon era mut !

  • Respekt e z.Gazetar,,,! Nuk kam lexuar shkrim më të qëlluar në gjithë shtypin që ka dalë këto vitet e fundit si këtu tek dita e si ky që na paraqet Viktori.,,!
    Problemi është se si duhet bërë një reagim i përgjithshëm qytetar një lëvizje e fuqishme popullore politike por pa asnjë lider shih politik të sotëm kjo poshtërsi që po I ndodh vëndit në ditët e dasmës(integrimit) së tij mban erë të hapur tradhtie ,por e veçanta është se e kemi të hapur ,e fatkeqësisht me sport politik.Shteti ynë përfundimisht ka rënë presidenti është pjesë e problemit,ndersa mazhoranca e hutuar dhe gjysmë e lyer.Njerëz ,Shqiptarë jeni vigjilentë,largohuni nga këta sharlatanë sa pa që në vonë.,,!

  • Shkrime te tilla jane ajka e Gazetarise dhe e nderojne Prestigjozen Dita!
    Koplimente Autorit V. Malaj!

  • Bravo Viktor o mendje e ndritur .Shpellaret kane treguar qe jane njerzit qe kurre nuk shpetojne dot nga mllefi primitiv qe i ka ushqyer dhe i udheheq bashke me gjakmarjen dhe sot.Mostra Sali ka bere cka dashur madje ka vrare dhe bashkepuntoret e tij me te afert per te mbajtur pushtetin dhe ka bere lloj lloj aleancash te ndyra qe nga xhuvelet e deri tek hajduti Meta.Po cte presesh nga ky parlament ku ke deputet qe kane vite opo muaj qe vegjetojne dhe su eshte degjuar zeri se jane aty fale dhurates se listave te mbyllura me shkolle e pa shkolle injorante qe si lidh asgje me ate parlament.Cte presesh nga deputet si Ferracaku e partis se Frrokut pa asnje lloj integriteti apo kulture ne vend te librave ka mjel lopen me nje familje totalisht injorante.Ajo eshte kultura dhe nderi i ketij kombi.Cte presesh nga deputet te tille pa integritet moral e kulturor qe skane lexuar nje liber skane pare nje teater pa le nje opera ne vend te ketyre ka mjel lopet.Por keta injorant te tipit Ferracaku qe si bejne asnje sherbim kombit me prezencen e tyre ne parlament privilegjet e tyre i kerkojne deri ne nje madje paisen dhe me pasaporta Diplomatike dhe bashkeshortet e tyre injorant e hajdut.Ky eshte llumi qe perfaqeson ajken e kombit dhe pret populli ti zgjidhen hallet nga keta injornt te peshtir dhe servil te nenes parti qe i polli.Per sa kohe parlamenti o jete i mbushur me keto mostra Sali shpellari do jetoj gjate e sdo ti hyje gjemb ne kembe.RRofte Parlamanti i shoqes LAJE .

  • Z.Viktor ,behuni ju organizuesi i nje partie te re,elementet intelektuale qe do marin pjese te jene te pa korruptueshem ,vetem tek Gazeta Dita jane nje staf i konsiderueshem (Nuk e di pse Z.B.Islami shkoi dhe u antaresue tek P.S.) Sa dhe te tjere qe jane te ketij niveli !
    Kohe per tu organizuar po mbetet gjithmone dhe me pak ! Do jete nje mbeshtetje e kosiderueshme ,dhe kur te shikoni estraden politike kur te bejne koalicjon PD,PS,LSI !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *