Superiorja me sytë nga derbi

redaktor

Me garën për titull që vazhdon, luftën për vendin e fundit në Europë ku pritet të zbardhen dilemat dhe mbijetesën ende të pasigurt, Kategoria Superiore ia lejon vetes të kthejë sytë nga derbi. Pavarësisht se gjithçka mbetet e hapur dhe impaktit jo maksimal të supersfidës së kryeqytetit.

Kjo mbi të gjitha për faktin se paraqitjet e Tiranës dhe Partizanit kanë një disnivel të dukshëm.

Të kuqtë paraqiten të fortë nga ecuria me 14 ndeshje pa pësuar humbje dhe titullin që mbetet një objektiv i arritshëm. Pa harruar edhe faktin që Partizani nuk njeh humbje në 8 përballjet e fundit derbi. Të pamposhtur përballë rivalëve të përjetshëm në më tepër se dy vjet, ku kanë regjistruar 4 fitore dhe po kaq barazime.

Në anën tjetër Tirana është në krizë rezultatesh.

Një tjetër sezon për t’u harruar për bardheblutë, me Europën që duket një mision thuajse i pamundur. Situatës në kampin e 24-herë kampionëve u shtohen problemet me mungesat të trajnerit Ilir Daja, që përveç Karan, nuk do të ketë në dispozicion as Smajlin, Kërçikun, Muzakën dhe Malaj-n.

Ashtu siç ka ndodhur shpesh në këtë sezon, teknikut do t’i duhet të improvizojë me alternativat e pakta që ka në dispozicion. Por, pavarësisht problemeve të së tashmes apo të kaluarës që nuk entuziazmon, derbi vlerësohet si një ndeshje me histori krejt ndryshe.

Nuk do të kishte mënyrë më të mirë për Tiranën, sesa t’i komplikonte Partizanit rrugën drejt titullit kampion.

Kjo do të ishte edhe mënyra e vetme për të bërë paqe me tifozët, raporti i të cilëve me klubin është në një prej pikave më të ulëta në histori. Takimi do të luhet të mërkurën në orën 18:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Share This Article
1 Comment
  • Ky derby nuk ka asnje interes, pasi rezultati dihet se si do te jete! Tirana e ka te sigurte humbjen, sepse ka dy vjet qe nuk po arrin te krijoje ekip konkurues! Te shpresojme qe ne sezonin e ri, te kape ata standarte qe i ka patur ne vitet ’80 te shekullit te kaluar! Sa per kete vit, gjerat jane te qarta, dhe mendoj se nuk kane nevoje per komente!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *