Me supersfidën në Selman Stërmasi që po afron, Partizani zgjodhi të stërvitet për derbin ndaj Tiranës, në impiantin që tradicionalisht është kthyer në shtëpinë e kuqe, Qemal Stafa.
Përgatitjet për ndeshjen e së mërkurës, nisën me vendimin e klubit për heshtje për shtyp. Në mënyrë që skuadra të punojë sa më e qetë dhe të jetë plotësisht e përqendruar në ndeshjen, e cila vlerësohet tejet e rëndësishme në garën drejt titullit, Partizani njoftoi se asnjë nga lojtarët apo nga stafi teknik nuk do të flasë për mediat.
Ndërkohë, ekipi vazhdoi punën nën drejtimin e trajnerit Andrea Agostinelli, që prej kalendarit të ngjeshur, u përqendrua më tepër te taktika sesa te puna fizike.
Kundër Tiranës, të kuqtë do të mbështeten te forca e grupit dhe mbi të gjitha te goleadori i skuadrës, Xhevahir Sukaj. Autori i 7 golave në 4 ndeshjet e fundit është në superformë në fushë, pavarësisht se lëndimi i vjetër në kofshë, hera herës i jep ndonjë shqetësim të vogël prej ngarkesës së fund-sezonit.
Por, me stafin mjekësor i cili kujdeset që gjendja e shkodranit të mbetet optimale, sulmuesi pritet të luajë normalisht në derbi dhe të bëjë atë që di më mirë: të shënojë gola fitues.
Sukaj zhvilloi stërvitje shkrydhëse së bashku me një pjesë tjetër lojtarësh, ku mes tyre ishte edhe Torasa. Për të dytën ditë me radhë argjentinasi punoi i diferencuar nga grupi, pas goditjes në këmbë të marrë kundër Tërbunit, por kjo më tepër si masë paraprake, për të bërë të mundur që fantazisti shtatshkurtër të luajë ndaj Tiranës.
