“Zodiaku” i Moikom Zeqos dhe gjymtimi i një shkrimi

redaktor

Nga Pirro Dollani

 

Rastësisht duke lexuar shtypin në Internet, pashë që gazeta Shekulli.com.al kishte botuar shkrimin tim “Kudo që shkoj atdheun mbart si plagë”, shkrim i botuar fillimisht te gazetat Illyria dhe Dielli, më 6 Prill 2016.

Më erdhi turp kur fillova ta lexoj: e kishin gjymtuar dhe botuar në rubrikën “letra në redaksi”. Mendova t’u shkruaja e t’u kërkoja llogari që e kishin rrëmbyer dhe sakatuar, pa çarë kokën për të drejtën e autorit.

Por, hoqa dorë menjëherë se m’u kujtua një rast më ekstrem se ky.

Kur u botua në Amerikë libri i Moikom Zeqos “ZODIAK” botova një shkrim te gazetat Illyria, dhe Dielli me titull “Për Moikomin” më 12 dhjetor, 2016.

Më vonë, e pashë shkrimin për librin “ZODIAK” te gazeta Shqiptarja.com.

Por çuditërisht, në fund të shkrimit, kishin vënë inicialet e nje “autori imagjinar”, S.M (?!)

Qesha me vete, dhe thashë se do te jetë ndonjë gabim ortografik.

Kështu që, u dërgova një shënim miqësor kryeredaktores, zonjës Alba Malltezit si edhe përgjegjëses së rubrikës z.Dhurata Hamzai. U thoja që gabimisht në vend të autorit të vërtetë poshtë shkrimit ishin vënë inicialet S.M(?!)

Gjithashtu, u kisha bashkëngjitur edhe linkun e gazetave Illyria dhe Dielli që të shikonin autorin e vërtetë të shkrimit, dhe datën e botimit që ishte më përpara se data e botimit të tyre. Dhe me naivitet prisja ndonjë email nga zonjat ku do të lexoja: “Z.Pirro Dollani, falemnderit që na informuat. Ju njoftojme se e korrigjuam”.

Por asgjë nuk ndodhi.

Kaluan një, dy, disa javë dhe asgjë.

Duke jetuar për mëse 20 vjet në Amerikë, dhe duke njohur nga afër ligjin e rreptë të së Drejtës së Autorit, si edhe etikën e lartë profesionale që kanë gazetarët këtu, heshtja e tyre më bënte shumë përshtypje.

Dhe jo vetëm heshtja! Shkrimi vazhdonte të mbante poshtë inicialet e dikujt që s’ka asnjë lidhje me artikullin.

Më vonë, u dërgova të dyja “gazetareve me etikë të lartë profesioniste” edhe një mesazh tjetër. Por përsëri heshtje.

Edhe tani, mbas 4 muajsh, në gazetën online “Shqiptarja.com” shkrimi mban përsëri “emrin imagjinar” të pagëzuar nga këto gazetaret tona. Nëse gjëra të tilla do të ndodhnin në shtypin amerikan, gazeta e gazetari do të ndëshkoheshin ashpërsisht.

Por në Shqipëri xhevahire të tilla e shumë më të mëdha se këto janë gjëra të zakonshme. Prandaj vendosa që të mos u shkruaja gazetës shekulli.com.al., që jo vetëm e kanë botuar shkrimin “Kudo ku shkoj Atdheun mbart si plagë” pa u marrë leje gazetës Illyria e Dielli, por edhe për redaktimin përçudnues që i kanë bërë artikullit. Sepse asgjë nuk pres nga gazetarë të tillë, që u mungon etika e gazetarit si edhe profesionalizmi. Këtë përfundim ma “mësuan” zonjat e “Shqiptarja.com.” me papërgjegjësinë e tyre.

Më poshtë, mund të shihni që edhe tani, 15 prill, 2016, mbas katër muajsh, shkrimi mban inicialet S. M. Fakti që ato zonja nuk pranonjnë të korrigjojnë këtë gabim, duke vënë emrin e vërtetë të autorit, ose tregon se për to nuk ka rëndësi fare vërtetësia e shkrimeve që botojnë në faqet e gazetës ose kanë krijuar një autor “imagjinar” për këtë shkrim për të futur në xhepat e tyre ndonjë honorar që mund t’i kenë paguar S. M-së për shkrimin.

Jam i paaftë të gjej një tjetër arsye!

 

Share This Article
1 Comment
  • Me vjen keq per kete qe ju ka ndodhur por redaksia dhe K/redaktori duhet ta rregullojne kete parregullsi menjeher.Nuk jam dakord qe do kene marre noj honorar sepse nuk paguhen shtrejt shkrimet.Pune te mbare dhe bej noj shkrim tjeter interesant.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *