Një 34-vjeçar në Dibër është arrestuar nga policia pasi simuloi ngjarjen për të përfituar azil në vendet e Bashkimit Europian. Femi Nezha 34 vjeç, banues në Laprakë të Tiranës, kishte shkuar në Lurë tek xhaxhai i tij, me iniciale Q.N.
Më 30 prill të këtij viti, rreth orës 23.00 dyshohet se ka simuluar ngjarjen ku vetë ky shtetas ka qëlluar me armë zjarri në murin e banesës së xhaxhait të tij.
Pas këtij veprimi ai njoftoi median dhe më pas policinë se ishte qëlluar me armë në drejtim të banesës së xhaxhait te tij ku ndodhej edhe ky shtetas.
Nga hetimet e kryera, rezultoi se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është vetë Femi Nezha pasi dyshohet të ketë simuluar ngjarjen me qëllim përfitimin e statusit të azilantit në vendet e BE-së.
Gjithashtu ai ka kryer veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës duke fshehur gëzhojat në vendngjarje. Policia mundi të gjejë dhe sekuestrojë një gëzhojë dhe një predhë plumbi në faqen e murit të banesës së shtetasit Q.N.
