Federata Europiane e Futbollit, UEFA, do të votojë sot për anëtarësimin e Kosovës në kuadër të këtij mekanizmi. Është kjo pika kryesore e rendit të ditës së Kongresit të UEFA-s, që zhvillohet në Budapest.
Nëse kalon, Kosova do të bëhet anëtarja e 55-të e UEFA-s. Prej 54 votave në total, asaj i duhen së paku 28 për. Votimi do të jetë i hapur dhe do të bëhet me ngritje të dorës ose të kartonit të votimit.
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur qysh në shtator të vitit të kaluar që aplikimi i Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë të shqyrtohet dhe të votohet në kongresin e radhës, që është caktuar për sot.
Anëtarësimi në UEFA u mundëson ekipeve të Kosovës të luajnë në garat kontinentale.
Për më tepër, kjo i hap rrugë Kosovës që të anëtarësohet edhe në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA, kur të mbajë kongresin e radhës në Meksiko Siti më 12 dhe 13 maj.
FIFA, në janar të vitit 2014, i ka lejuar Kosovës që të luajë ndeshje miqësore kundër shteteve anëtare të FIFA-s, në nivele klubesh dhe ndërkombëtare.
Aktualisht, statuti i UEFA-s parasheh që anëtar i saj mund të bëhet vetëm ai vend që njihet si shtet i pavarur nga Kombet e Bashkuara. Në rastin e Kosovës, e cila nuk është anëtare e OKB-së, ky nen pritet të modifikohet dhe për bazë të merret njohja e Kosovës nga shumica e shteteve europiane.
