Biznesmeni 48-vjeçar, Dritan Jazenxhiu, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme nga policia pasi i dha 6 milionë lekë gjyqtarit Ibrahim Hoxha për një çështje pronësie, nuk është një emër i panjohur. Në shtator të vitit 2014 atij i është bërë atentat.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:15 të 11 Shtatorit, në rrugën “5 Maji”, ku ka mbetur i plagosur biznesmeni. Ai është qëlluar pranë dyqanit të tij, ku janë gjetur 16 gëzhoja kallashnikovi. Nga hetimet e asaj kohe rezultoi se në drejtim të tij është qëlluar nga dritarja e një automjeti.
Jazenxhiu u plagos me 1 plumb nga 16 që u qëlluan, ndërsa shkak për plagosjen mësohet të jetë një konflikt pronësie. Biznesmeni ka një konflikt të hershëm pronësie me familjarët e tij, të cilat kanë qenë të dokumentuara.
