Më datën 11 Prill ministri i Financave Ridvan Bode ka firmosur nddër të tjera dhe tre urdhra për emërime në rangjet më të larta të doganave shqiptare. Urdhri i parë lidhet me doganierin Gëzim Demushi, një zyrtar i lartë i Doganës së Tiranës i cili që prej datës 11 Prill është emëruar Zv.Drejtor i përgjithshëm i Departamentit Operativ Hetimor në dogana. Nga ana tjetër Qazim Merlika, një zv.Drejtor i Përgjithshëm i Doganave është orientuar me të njëjtin rang por në krye të Departamentit Teknik. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për Zv.Drejtoren e Përgjithshme Arlinda Mulgeci e cila është orientuar në Departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit. Është ende e paqartë se çfarë e ka motivuar këtë rokadë në rangjet më të larta të doganave, por një prej tre urdhrave të ministrit, ai i emërimit të Gëzim Demushit, i ka dhënë këtij të fundit, një nga sektorët më kyç në dogana, sektorin e hetimit doganor.
DITA
Rreth dy muaj më parë gazeta “ DITA” zbuloi se në një konkurs për punësim në dogana një person i quajtur Ilirjan Mulgeci kishte siguruar 99 pikë nga 100 të mundshme. Z.Mulgeci është vëllai i nëndrejtoreshës së Përgjithshme të doganave Arlinda Mulgeci, nga Tropoja. Z.Mulgeci tashmë është hetues i shkeljeve doganore në doganat e Shqipërisë. Tashmë e dinë të gjithë. Nepotizmi në dogana po arrin rekorde të padëgjuara më parë. Janë vende “me lekë” – siç njihen në popull dhe tashmë janë mbushur plot, veçanërisht me banorë të Tropojës. Dikur thoshin se treva vendlindje e kryeministrit aktual të vendit qenkësh e “prerë” për polica e shik-sa, tani është zbuluar një tjetër dhunti e zonës: doganierë, madje zyrtarë drejtues. Dhe jo rastësisht shumë nga ata që sot drejtojnë zyrat doganore, janë ish-shiksa të implikuar në vitin e kaosit ‘97 dhe të ikur më pas nga sytë këmbët pas rënies së Berishës. Janë rikthyer dhe i gjen sot në poste kyçe drejtuese, në dogana.
Shtrirja
Një burim i DITA-s, i cili dëshiron të ruajë anonimatin, informon se Degët Doganore kryesore të vendit kanë tashmë të gjitha kryetar nga Tropoja. Kryetari i Degës Doganore Tiranë, kryetari i Degës Doganore Kakavijë, kryetari i Degës Doganore Qafë Thanë, kryetari i Degës Doganore Rinas (Bujar Vukaj, Dritan Hysenaj, ish-rapsodi Gjovalin Prognisa etj, sa për të përmendur disa) – janë nga Tropoja. Tropoja kryeson edhe në poste të tjera doganore. Arlinda Mulgeci nuk është nëndrejtoresha e vetme e doganave nga Tropoja. Jo. Edhe nëndrejtori tjetër Rifat Gjoni është nga e njëjta zonë e vendit. Dhe nuk mbaron me kaq: Drejtori i Drejtorisë së Monitorimit dhe Riskut Ilir Hoxha është gjithashtu nga Tropoja. Zoti Hoxha është vëllai i Artan Hoxhës që drejton aktualisht Gardën e Republikës, pas përfshirjes në hetim dhe gjykim të Ndrea Prendit, vrasës direkt i protestuesve të 21 janarit sipas ekspertizës së FBI-së amerikane. Në sektorin që drejton z.Hoxha është emëruar shef sektori ende pa mbushur 30 vjeç, Besmir Gazidede që nuk është askush tjetër veçse djali i Bashkim Gazidedes. Një listë e gjatë e klanit Tropoja vijon sipas hierarkisë nga zyrat doganore poshtë në “terren”, aty ku ngrihen dhe ulen trarët doganorë.
Leave a Comment
