Tenori Agim Hushi letër të hapur Michael Gove: Dini pak për shqiptarët, lexoni Durham e Bajronin

Elton Tafaruci

Tenori Agim Hushi i ka dërguar një letër ministrit britanik Michael Gove, i cili mori si shembull Shqipërinë për daljen e Britanisë nga BE.

Letër e Hapur

Zotit Michael Gove

“Ju nuk keni asnjë të drejtë të nëpërkëmbni ëndrrën e një populli martir, praninë e natyrshme të shqiptarëve në familjen europiane…”.

Olam ha ba…

Shkëlqesisë së Tij Zotit Michael Gove, Sekretar i Shtetit për Drejtësinë

Për dijeni të Tij Ambasadorit të UK në Tiranë Shkëlqesisë së Tij Nicholas Cannon

I nderuar Zoti Gove!

Nëpërmjet mediave ndërkombëtare, u njohëm me artikullin Tuaj për Daily Mail, ku përveç sinqeritetit Tuaj për faktorin shqiptar në EU, shprehnit edhe skepticizmin tuaj personal dhe të lëvizjes që Ju përfaqësoni në vendin Tuaj, për një shkëputje apo prani të kushtëzuar të Britanisë me Komunitetin Europian.

Ndërmjet të tjerave Ju përdornit si kryeargument a ilustrim të ideve Tuaja faktin e paimagjinueshëm nga Ju se ç’tmerr do të të jetë EU me shqiptarët. Bile e shoqëronit artikullin edhe me një anije tragjike të arratisjes noeike shqiptare nga ferri komunist në vitin 1990, një foto që çuditërisht më kujton çifutet e mjerë, duke lënë Aushvicin në ditën e parë të lirisë, pas rënies se fashizmit.

Nuk është fare në interesin tim e as të qytetarëve shqiptare, e drejta dhe lëvizja Juaj për daljen apo jo nga EU, megjithëse duket si diçka që ka ngjallur shqetësim qoftë të qarqeve madhore politike Europiane apo dhe të vetë Presidentit Obama!

Por, që Shqipëria e vogël 2-3 milionëshe, me hallet e saj, ky shembulli i jashtëzakonshëm i një populli të vuajtur që bën çdo sakrificë për të realizuar ëndrrën e vet evropiane, kjo demokraci e re, e brishtë, të bëhej kryeargumenti, Juaj, që UK të mos jetë në EU, ishte vërtet e habitshme për të mos thënë se mua personalisht më shkaktoi edhe pak buzëqeshje.

Por më pak se ajo që mund të më shkaktonte vetë heroi i humorit anglez në Shqipëri, Norman Ëisdom që ju e përmendnit në artikullin Tuaj, me merakun se mos ne shqiptarët mendojmë se mund të gjejmë Ëisdome të tjerë në Zyrën e Sekretarit Tuaj të Jashtëm.

S’do të doja sinqerisht t’iu shihja në këtë pozitë sido që ta keni hallin. Do përpiqem T’iu sjell disa arsye për këtë që po Ju them, jo si një politikan apo specialist i debatit në fjalë; por si një shqiptar i thjeshtë. Sinqerisht prisja si qytetar i këtij vendi një përgjigje zyrtare të përgjegjshme për fyerjet Tuaja, ne mos nga Ministri i Jashtëm shqiptar, aq me pak nga Kryeministri ynë që për hir të vërtetës duhet falënderuar për heshtjen e Tij në rastin Tuaj; por të paktën nga Ambasadori ynë në UK.

Zotëri i nderuar! Ju dini vërtetë pak për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ose ajo që Ju dini, vjen kryesisht nga statistikat e zyrave të policisë apo organeve të drejtësisë penale, që merren me kriminelët shqiptarë, që Ju pothuajse i veçoni nga kriminelet britanike apo dhe të vendeve të tjera të Europës.

Është vërtetë e dhimbshme ta gjykosh një komb si nocion penal dhe e quaj vërtetë cinik argumentin Tuaj, aq më tepër kurajon tuaj për të fyer një komb, duke përdhosur hapur kriteret diplomatike dhe standardet e komunikimit human, në shekullin e XXI.

Së pari ne shqiptarët jemi pjesë e Historisë dhe rrënjëve të lashta të Europës që nga Iliria, Mbretëresha Teuta dhe Heroi i Krishtërimit, Skënderbeu, Nënë Tereza e të tjerë. Kemi jetuar në lavdi për shekuj, s’kemi pushtuar dhe vrarë për të rrëmbyer troje, por kemi pasur fat tragjik si çdo popull i lashtë i Europës që jo rastësisht jeton buzë deteve më të bukur dhe me historinë më të pasur të kontinentit.

Jetojmë brigjeve legjendare të Adriatikut dhe Jonit, mes fushave pjellore, maleve madhështore e lumenjve të kristaltë, sup më sup me kështjella plot këngë të vjetra trimash e nën diellin plot shkëlqim mesdhetar në 300 ditë të vitit. Zotëri i nderuar!

Humori Juaj i hidhur rëndon mbi kujtesën tonë kombëtare siç është viti 1913; ku në Kongresin e Londrës copëtuan Shqipërinë e bërë nga Zoti, në 5 pjesë. Në Shkurt 1945, në Jaltë, pas luftës së dytë botërore, megjithëse gjeneralët tuaj ishin pjesë e Luftës Nacional Çlirimtare dhe ndihmuan në hartimin e strategjisë së fitores mbi fashizmin,

Winston Churchill ishte pjesë e kompromisit që ia dhuroi Shqipërinë kampit komunist. Pa përmendur historinë akoma misterioze të arit shqiptar, pronën e ligjshme të një populli martir, që u mbajt peng si dënim për një aventurë në Korfuz, të diktatorit Hoxha, i cili para së gjithash kishte masakruar popullin e tij.

Nuk kërkoj pendesën tuaj nëse nuk e ndjeni apo nuk e njihni të vërtetën. Por të jini të sigurt për respektin që shqiptarët kanë për Britaninë, për modelin britanik të demokracisë që shoqëria shqiptare mundohet të ndjekë e mbi të gjitha për dashurinë që shqiptarët ushqejnë për popullin zemërmadh anglez; pa dashur t’ju flas për literaturën: Shakespeare dhe Hardy, Dickens dhe Gaësëorth, muzikën apo gjuhen angleze, e dyta më e folur pas shqipes tonë të lashtë. Zotëri i nderuar!

Në vend të një përgjigje të munguar, qëndrimit zyrtar ndaj fyerjes që ju i bëtë shqiptarëve, ëndrrës tonë europiane, luftës dhe përpjekjeve tona për të arritur trenin europian të kohës; nëpërmjet kësaj letre të hapur i sugjeroj gjithashtu shtetit shqiptar, Kryeministrit Rama dhe Ministrit të Jashtëm Bushati T’ju ftojë zyrtarisht si mik në Shqipëri.

Të vizitoni atdheun e shqiponjave, të shikoni dhe ndjeni Shqipërinë, të prekni pasuritë tona të paçmuara natyrore e kulturore, me të cilat ne jo vetëm jemi krenar por jemi të bindur se i bashkangjitemi dhe pasurojmë vlerat evropiane.

Të takoni brezin tonë të ri, njerëzit e thjeshtë që ndërtojnë jetën e tyre me dinjitet dhe punë të ndershme, të shihni se si kultura e një kombi të lashtë sfidon dasitë fetare duke i kthyer ato në një harmoni të shenjtë sociale.

Të kuptoni se me gjithë klasën politike problematike, Shqipëria në 25 vjet, pas një diktature gjysmë shekullore, ka arritje të paimagjinueshme kudo; në çdo fushë të jetës. Jam i bindur se do shihni një eksperience nga e cila mund të frymëzohen edhe zyrtarë të perëndimit.

Ne nuk jemi një popull në gjunjë por në ngritje, përballemi çdo ditë me sfida dhe sakrifica të mëdha e natyrisht nuk mund të krahasohemi me një vend si i Juaji, që akoma vjel taksat nga politika e hershme e kolonializmit; apo me vende të tjera evropiane që kanë tradita demokratike qindra vjeçare. Ne jemi një popull që jetojmë akoma me ideale, me vlerën dhe shijen e lirisë. Dhe presim me bindje ndonëse të lodhur, shpesh dhe të zhgënjyer frutat e këtyre viteve.

E ndërkohë vazhdojmë t’i mjekojmë plagët e sakrificave tona me ëndrra të mëdha, kombëtare dhe europiane. E për këtë besoj se Ju nuk keni asnjë të drejtë të nëpërkëmbni ëndrrën e një populli martir, praninë e natyrshme shqiptare në familjen europiane e aq më pak t’i referoheni shqiptarëve në EU si një argument për problemet tuaja madhore, që natyrisht nuk janë aspak problemet tona e aq më pak të krijuara apo shkaktuar prej nesh!

Duke përfunduar këtë letër të hapur më lejoni të shpreh ndjenjat e mia të respektit dhe mirënjohjes për gjithçka që populli dhe shteti britanik kanë bërë për ne shqiptarët, duke Ju kërkuar gjithashtu ndjesë për çdo shqetësim dhe brenge që bashkëkombësit e mijë ju kanë shkaktuar me sjelljet e tyre, mbi të gjitha mosmirënjohëse, por që në fund të fundit kanë marrë dënimin e merituar sipas ligjeve të vendit tuaj.

Mbetem me shpresë se ju do t’i lexoni këto radhë, me bindjen se e qeshura e Norman Wisdom na kënaq apo hidhëron në mënyrë të njëjtë, kudo ku ka njerëz dhe mirëkuptim njerëzor.

E aq me tepër kur vargje si ato të Lord Bayron dhe fjalë si të Edith Durham kanë lartësuar dhe gdhendur me kohë afeksionin e hershem shqiptaro-anglez! Me ndjenjën e konsideratës sime më të lartë.

Tirane, 3 Maj 2016

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *