Dublini vdiq !

redaktor

Vdiq apo e vranë? Sipas Avramopoulos, Komisionerit për Migrimin dhe Punët e Brendshme në BE, Dublini nuk vdiq, por e vranë! Por, ç’është Dublini? Një rregullore mbi Azilin, që imponon që azilkërkuesit të kërkojnë azil, në vendin e parë hyrës në Union. Pra, vendet e para kufitare të Unionit, si Italia apo Greqia kanë barrën të mbajnë në kurriz të gjithë azilkërkuesit, që i ikin zonave të konfliktit dhe të luftës. Sipas kësaj rregullore, çdo vend tjetër evropian ka të drejtën ligjore të rikthejë në vendin e parë hyrës çdo azilkërkues, duke e refuzuar kërkesën e tij teknikisht.

Por, a ka funksionuar kjo rregullore? Në një kohë normale, pra jashtë sferës së krizës së refugjatëve, ky parim zbatohej në mënyrë rigoroze nga vende të ndryshme, duke kryer refuzime teknike (pra jo në thelb të kërkesave të azilit), por vende të ndryshme kanë aplikuar edhe një lloj elasticiteti, në bazë të së drejtës për bashkim familjar apo bërjes së kërkesave të azilit aty ku ndodhet edhe një pjesë e familjes së refugjatit.

Ndërsa me nisjen e krizës së refugjatëve, Gjermania u bë vendi i parë që e rrëzoi këtë rregullore, duke pranuar në masë refugjatët sirianë. Kjo rregullore është thyer gjithashtu edhe nga vendime në nivel evropian, siç ishte vendimi në kohë emergjence përgjatë vjeshtës së vitit 2015, ku u vendos mbi një lehtësim të vendeve të rënduara nga flukset e migrantëve, si Italia dhe Greqia, duke vendosur një skemë shpërndarje kuotash në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.

Por, pavarësisht thyerjeve në kohë normale, apo në kohë krize, rregullorja ngelet rregullore dhe është norma bazë e operimit në nivel shtetëror. Nga ku lind nevoja, për ndryshimin apo reformimin e saj, pasi në thelb që kur është hartuar, ajo ka qenë e padrejtë, duke i lënë të gjithë barrën e strehimit dhe mbajtjes së refugjatëve, vetëm disa vendeve. Nga ana tjetër, edhe këto shtete si Italia, apo edhe Greqia e kanë denoncuar sistematikisht këtë sistem, duke kërkuar rishikimin e tij nëpërmjet një logjike të drejtë shpërndarje dhe marrje përgjegjësish të barabarta. Në pamundësi të përballimit të kësaj situate dhe në mungesë të plotë të solidaritetit në nivel evropian këto shtete, kanë lejuar sistematikisht kalimin e këtyre flukseve për në vendet e tjera evropiane, si në kohë krize, por edhe përgjatë kohërave normale. Pra, ishte një lloj ekuilibrimi jashtë rregullave, në mungesë të një rregulloreje të drejtë dhe të barabartë.

Përgjatë krizës, një sërë iniciativash politike janë hedhur për të kërkuar reformimin e Dublinit, por ato janë pritur me refuzime dhe rezistenca nga vende të ndryshme evropiane, kryesisht vendeve të ish kampit komunist si Republika Çeke, Hungaria, Sllovakia, apo Polonia.

Përgjatë muajit prill (dt. 06.04.2016) Komisioni prezantoi dy rrugë alternative reformuese: ose mbajtja e sistemit aktual, por me një mekanizëm shtesë korrigjues; ose braktisja e këtij parimi, pra të vendit të parë hyrës që është përgjegjës për trajtimin e çdo dosje, dhe zëvendësimi i tij nëpërmjet një sistemi shpërndarje automatike mes shteteve anëtare.

Ditën e sotme (04.05.2016), Komisioni Evropian, propozoi më në fund rrugën e zgjedhur për reformimin e Dublinit, që në thelb është një lloj shkrirje mes dy opsioneve tashmë të prezantuara që në muajin prill. Pra, kërkohet mbajtja e sistemit aktual, ku përgjegjësinë për azilkërkuesin, e ka vendi i parë hyrës, por në rast të një mbingarkese, do të ndërhyhet duke mundësuar një shpërndarje automatike të tyre, në vendet e tjera të Unionit. Mbingarkesa do të përllogaritet në bazë të tejkalimit të kapacitetit të vendit, ku ky i fundit do të vlerësohet mbi një çelës reference mbi raportin mes numrit të popullsisë dhe PBB-së. Pra, ndërhyrje nëpërmjet një mekanizmi korrigjues mbi baza barazie.

Çfarë do të ndodhë në rast se, një vend do të refuzojë këtë mekanizëm?

Në këtë rast ky vend duhet të tregohet solidar, duke i akorduar shtetit që do të mbajë barrën që ai po shmang, një shumë financiare prej 250 mijë euro për çdo azilkërkues. Kjo shifër është përllogaritur si kosto e përgjithshme, që një vendi i kushton mbajtja e çdo azil kërkuesi, duke përfshirë mesatarisht pesë vite të zgjatjes së kërkesës së azilit, shkollimi, kujdesi shëndetësor, strehimi, etj.

Një shifër që është vërtet e lartë, por që mbart vlerën e domosdoshmërisë së reflektimit, sidomos ndaj vendeve të ish lindjes komuniste, në zgjedhje mes bashkëpunimit dhe solidaritetit apo refuzimit dhe detyrimeve ndaj “gjobave financiare”.

Përtej reformimit të Dublinit, u propozua edhe reformimi i agjencisë aktuale të mbështetjes së azilit, EASO, e cila do të zëvendësohet me një Agjenci, misioni kryesor i së cilës do të jetë administrimi i mekanizmit të përhershëm të shpërndarjes. Transformime do të pësojë edhe sistemi aktual i grumbullimit të të dhënave, Eurodac, që do të marrë formën e një dosje të madhe evropiane, për të mundësuar qasjen në të, të gjithë vendeve të ndryshme të BE-së.

Propozimi i Komisionit Evropian për reformimin e rregullores së Dublinit, duhet të kalojë për miratim në tavolinën e Këshillit të BE-së, që duhet të vendosë me shumicë të cilësuar dhe duhet të miratohet gjithashtu nga Parlamenti Evropian.

Paralelisht me reformimin e propozuar të rregullores së Dublinit, Komisioni njoftoi edhe zgjatjen e mëtejshme (6 muaj) të kontrolleve të brendshme kufitare për Austrinë, Gjermaninë, Danimarkën, Suedinë dhe Norvegjinë. Miratim për zgjatje, në logjikën e rrethanave të jashtëzakonshme, për shkak të flukseve të migrimit, por edhe në kuadrin e terrorizmit.

Gjithsesi, objekti i palëvizshëm i BE-së, ngelet rikthimi i plotë i situatës normale të sistemit Shengen, deri në fund të këtij viti. Në këtë kuadër, duhet parë edhe propozimi i përshpejtuar i ditës së sotme për liberalizimin e vizave me Turqinë, e cila ka tashmë fuqinë për të lejuar realizimin e objektivit të BE-së, për rikthimin në normalitet të kufijve të brendshëm të tij./im.ta/DITA

Share This Article