Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Korçës, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim, pasi akuzohen se shpërndanin drogë në afërsi të një shkolle të mesme.
Të ndaluarit janë Emiljan Tepexhiku, 25 – vjeç dhe J .G, 17 – vjeç, të dy banues në Korçë, ndërsa në kërkim është shpallur 26 – vjeçari me iniciale Sh.M, banues në Linzë të Tiranës.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin “SEAT” me targa AA 373 FO, me të cilin qarkullonin dy të arrestuarit, u gjet 16 gramë kanabis.
Ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 17 – vjeçarit J.G, policia gjeti rreth 204 gramë kanabis.
Sipas policisë, dyshohet se 17 – vjeçari ia ka blerë lëndën narkotike shtetasit SH.M, në një lokal në Linzë – Tiranë dhe se do ta shpërndanin në doza kundrejt pagesës, në afërsi të një shkolle të mesme, në lagjen Nr 2 të qytetit të Korçës.
Përveç 220 gramëve kanabis, policia sekuestroi gjithashtu 2 aparate celularë dhe automjetin“SEAT” me targa AA 373 FO.
Mbi të ndaluarit rëndon akuza për veprën penale prodhim dhe shitje e narkotikëve, kryer në bashkëpunim.
