“U ngjafsh dainjve, por mos paç fatin e tyre o bir”

Dita

I rritur jetim dhe në skamje, i burrërruar para kohe, pjesëmarrës me detyra drejtuese në Luftën Antifashiste, pikërisht në Brigadën e Parë, Hekuran Pobrati mbeti në histori si njëri ndër ata pak Heronj të Popullit që e morën këtë titull të lartë që në gjallje. Sepse përveç kontributit të madh në luftë, ai bëri emër në rrethana kur mund të linte dhe kokën, pas lufte, duke luftuar jo përballë armikut, por “brenda rradhëve” të tij, përmes makinacioneve të famshme kundër bandave të diversantëve.

Ndërkaq, në këto shënime të pabotuara që kanë ardhur në redaksi, duket qartë se Hekuran Pobrati ka edhe një damar letrar mjaft interesant. Janë shënime sa personale, aq dhe me interes për lexuesin; kujtime që përfshijnë informacione të vlefshme për disa personazhe historike e patriotë si kapedanët Tajar e Tofik Vëndresha, që ndoshta jo të gjithë e dinë e ishin dajallarët e Hekuran Pobratit. Apo për përhapësin e betuar të shqipes, Babë Dudë Karbunara. Rrëfimi i ndërthurur me detaje nga jeta e fëmijës Hekuran Pobrati, që shkon të punojë si shërbëtor tek mësuesi Shyqëri në Berat duke përfituar arsimimin, dhe me kujtime nga nëna e tij, është ndarë në dy pjesë dhe besojmë se do meritojë vëmendjen e lexuesit.

Nga Hekuran Pobrati

(Vijon nga numri i kaluar)

Riza Vala – bashkëluftëtar i çetës së Tofik dhe Tajar Vëndreshës – do të më rrëfente se, kur vendi ishte në gjendje të mjerueshme e varfëria shkonte deri aty sa kur miku takonte mikun a cilindo tjetër, shqiptarët midis tyre para se të pyesnin për shëndetin shkëmbenin llaf për bukën e gojës, duke i qarë hallin sho-shoqit se s’kishin ç’të hanin, pasi më të shumtët s’prodhonin e s’kishin me se ta blinin kallamoqin ndaj të mos vdisnin urie, djemtë iknin nizamë në shkretëtira të Azisë e të Afrikës.
Në këtë situatë të rëndë, një i paguar nën dorë nga Aziz Pashë Vrioni, tek gjezdiste gjoja me sebep udhe nëpër hanet e Beratit, si nën zë e gjysmë fshehur përhapte tek të buajturit e tjerë vargje të sajuara enkasi për këtë punë, mbushur me dhimbje për gjoja ikjen nizamë të Tofik dhe Tajar Vëndreshës. Shpifje e bërë me synim që mashtrimi jo vetëm të besohej e përhapej ngado që udhëtarët do të shkonin e mbërrinin të nesërmen, por në mes lotëve që rapsodit i rridhnin për nizamët e mjerë (ç’thoshte i paguari nën dorë, i varfëri vjershëtor i besonte si të vërteta edhe vetë), vargjet e ujdisura hollë nga pashai veç për të ngatërruar, kompromentonin kundërshtinë e njohur të dy luftëtarëve popullorë ndaj fermanëve të Portës së Lartë dhe, nga ana tjetër, përmes kësaj intrige tentohej të ulej sadopak rezistenca e fshatarësisë së varfër në shlyerje të gjithçfarë taksash e detyrimesh që, këta të fundit, u paguanin njëmënjë bejlerëve të kamur në Myzeqe, Berat e Skrapar, duke zbuluar ndërkaq qëllimin e pistë të kësaj djallëzie. Sikurse herët, qysh në lëvizjet kundër reformave të Tanzimatit, populli ishte përgjegjur sundimit të Stambollit dhe feudalëve shqiptarë të blerë e të paguar prej tij:

Nizamë e xhelepe s’ka
Është vëndi fukara!

Në këto rrethana kur konflikti, përplasja mes bejlerëve turkoshakë dhe fshatarësisë së varfër e të mesme në Myzeqe, Berat, Skrapar, apo Mallakastër si kudo tjetër në Shqipëri kapte majat; ndryshe nga vargjet ku populli fukara i këndonte me krenari pa përkulshmërisë e trimërisë të Tofik dhe Tajar Vëndreshës, ose të tjerë burrave kapedanë si këta, në përgjigje e kundërvënie të tyre ishin bejtet e thurura skutave ato që, përmes stisje lotësh, u vinin në ndihmë pozitës së rëndë të një beu Vrionas-pasha.
Ç’vjen tjetër pas domethënies së episodit të Riza Valës, nuk mbetet e pëlqyeshme pse ndihmon të perceptojmë një nga mënyrat si realizohej shpifja atë kohë kur në mungesë të mjeteve të informimit, për mendësinë e njeriut të thjeshtë e të zakonshëm mbi të cilin rëndonin taksat që vilnin dita-ditës çifligarët dhe bejlerët e mëdhenjë; fshatarët e rraskapitur nga skamja e varfëria mashtroheshin më lehtë përmes bejtesh që bënin të besoje se në vitet që flasim nxitja e së ligës realizohej veç të tjerash edhe përmes të tilla sajesash, variantë ky i përdorur veçanërisht në mbajtjen gjallë të ngatërresave, e për me keq të përçarjeve, dy të këqijave të mëdha që u janë lipsur më shumë pushtuesve dhe sunduesve.
Riza Vala do më befasonte kur në funksion të bisedës, më afroi tre këngë të moçme (në fondin familjar kam të ruajtura mbi njëzet tekste kushtuar Tofik e Tajar Vëndreshës), brenda të cilave lexohet qartë lidhja e ndërsjelltë që luftëtarët kapedanë kishin me fshatarësinë e varfër e të mesme, sikundër përgjigja që këta u jepnin përmes vargut, stisjeve për gjoja thyerjen, ikjen nizam të Tofik e Tajar Vëndreshës, duke pasqyruar vendosmërinë dhe trimërinë e tyre në mbrojtje të të varfërve.

E para:

Nuk shkove asqer
por dole komitë
Zaptijet e turkut
të kanë zënë pritë
Ti na mbrove nderin
na shpëton shtëpitë
Tofik bej Vëndresha,
burri që s’njeh frikë!…

E dyta:
Te ura e Konisbaltës,
se ç’u bë një gurgule.
Nisu o Tajar Vëndresha,
kapedan ku je?
Kanë ardhur zaptijet,
të na rrahin ne
Nxito kapedani ynë,
Tajar bej ku je?

E treta:
-O Tofik jepu pse s’jepe
Merre Tajarin me vete
I thoni Sulltanit lepe
Që të mos keni më derte!
-Si të jepem, ku të vete
S’i them dot Sulltanit peqe
Kam fukarenjtë me vete
Unë thirrë e ata lepe
-Rrofsh o rrofsh se u rrëfeve
Si disa ti s’u gënjeve
Kafshatën me gjak e ngjeve
Si xhevahir shkëlqeve

Këngët janë kënduar nëpër dasma, gëzime e gostira, por siç mund të kuptohet, ato kanë ardhur në ditët tona sikurse populli i krijoi qysh ditën që i këndoi. Kurse arsyeja pse aty këtu në varg përdoret etiketimi bej; për ta bërë shpjegimin më të kapshëm, do të them fare shkurt një histori të dëgjuar për Dervish Aliun e Dukatit të Vlorës, i cili bashkë me Rrapo Hekalin dhe Tafil Buzin, udhëhoqën kryengritjen fshatare kundër reformës së Tanzimatit.

Dervish Aliu në Labëri e më gjerë, thirrej Dervish bej, titull që nuk lidhej me pasurinë, por vinte thjeshtë në shenjë respekti që populli kishte ndaj tij, pasi siç njihet, Dervish Aliu nuk u impresionua nga internimi dhe burgosjet e Perandorisë Osmane.
Një herë Dervish Aliu kishte ftuar për darkë një bej nga Myzeqeja, duke thirrur për të marrë pjesë në të, një burrë për çdo shtëpi në fshat. Nisur nga etiketimet dashamirëse përdorur gjatë darkës në këngët e ngritura atë çast për Dervish Aliun, beu nga Myzeqeja i kërkoi kapedanit lab që ky t’i tregonte të nesërmen çifligjet dhe bujqët që kish; ndërkohë që i zoti shtëpisë iu përgjegj mikut shkurt: “Për çfarë pyet zotrote, e vetmja pasuri që kam janë këta trima që më rrethojnë. Mes tyre, unë ndihem si ai kalliri i grurit në mes të grurit!”.

Ky kapedan sypatrembur, ishte objektiv i autoriteteve osmane për t’u asgjësuar; ndaj në dhjetor 1851, Dervish Aliu i Dukatit u thirr në Vlorë për të sqaruar një mosmarrëveshje, por në fakt, ky ishte plani për ta eliminuar. Bejlerët turkomanë të Vlorës, e helmuan Dervish Aliun pabesisht në kafene; sikurse do t’i ndodhte në 1919, gati shtatëdhjetë vjet më pas Tajar Vëndreshës, të cilin bejlerët turkoshakë do ta vrisnin natën në pusi, me dredhi e në pabesi, pasi për kallauz do të ishte një i ashtuquajturi vëllam i tij.

Një herë tjetër, unë do të tregoj se kujt i interesonte eliminimi i kapedan Tajar Vëndreshës dhe alibinë që përdorën bejlerët për vrasjen e tij. Por këtë radhë, ndjehem i obliguar të shpjegoj se kush ishin ata bashkëluftëtarë besnikë, skraparlinj e myzeqarë trima që mundësuan atdhetarët Tofik dhe Tajar Vëndresha të ndiheshin mes tyre si ai “kalliri i grurit në mes të grurit”, sikundër ishte përgjegjur dikur Dervish Aliu beut të Myzeqesë:

Çeta e Tofik dhe Tajar Vëndreshës ishte nga të parat çeta patriotike që vepronin në Skrapar, Berat e Myzeqe, me ndikim të dukshëm në zonën e Tomorricës, Gramshit, Dëshnicës, Dangëllisë dhe Përmetit; e njohur veçanërisht për veprimtarit në mbështetje e përkrahje të hapjes së kurseve dhe shkollave shqipe. Ajo i kish vënë detyrë vetes të kundërshtonte pushtetin osman, të mbështeste fshatarësinë në mospagimin e taksave dhe të kontribuonte në shpalljen e pavarësisë.
Më 1907 çeta u shfaq nën drejtimin e kapedan Tofik Vëndreshës, kurse mbas vrasjes së tij drejtimin e mori i vëllai, kapedan Tajar Vëndresha dhe ndër anëtarët e parë të saj ndërsa kish skraparlinj trima, si: Riza Vala, Qamil Islami, Estref Zaimi, Ali Sevrani, Kasëm Zaimi, Feim Xhelali, Xhemal Bakiu, Bektash Agai (Cici), Mestan Bakiu, Muharrem Musai, Bektash Hysi, Myslim Kuçi, Nebi Musai, Myslim Zeka, Orhan Bregu, Qemal Lula, Mustafa Shehu, Daut Bregu, Xhemal Zeka e Ali Shehu; nuk mungonin luftëtarë të sprovuar nga Pobrati, Kutallia, Sqepuri, Rërëza dhe Samatica ku vlen të cilësohen: Gjok Kërri, Llambi Piti, Kolë Kuqali, im atë – Hasim Pobrati, Jorgji Tefi, Todi Thanasi, Shaqir Rrapushi (Pobrati), Siku Kerri, Miho Tefi, e plot të tjerë.

Çka më ngelet tjetër të them, është se në ka diçka që ndihem borxhli, kjo lidhet me ndrojen
që ekziston kur shkruan për njeriun tënd, pasi nga meraku se mos rrëshqas në subjektivizëm kam heshtur e nuk kam folur për veprimtarinë patriotike të prindit dhe dajove të mi, punë që tek e kam gjykuar si të tjerëve, kam rastin të falenderoj ata shokë që janë angazhuar e kanë shkruar për tim atë Hasimin, komandant i çetës së Pobratit dhe fshatrave për rreth në Luftën e Vlorës më 1920, sikurse kanë bërë për kapedanët Tofik e Tajar Vëndresha të evidencuar nëpër historikë fshatrash të krahinës së tyre e më gjerë.

Tani do të flas pa ndroje, në raport me kohën kur jetuan të parët e mi, sikurse të tjerë luftëtarë të vendosur për pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë, veç mendësive të mjedisit ku rronin e vepronin, në një tjetër kuptim, ata përfaqësonin forcën emancipuese të zonës ku gjalluan dhe jetuan. Nga ana tjetër, kapedanët Tofik e Tajar Vëndresha, gjykuar nga aktiviteti patriotik, mbetën përcjellës të idealizuar të ëndërrës së Rilindasve për një Shqipëri të lirë, duke vepruar kryesisht nga pozitat e qëndresës së luftëtarit popullor në frontin e luftës në terren me armiq përherë të njëjtë, pushtues të huaj dhe persona të brendshëm vënë në shërbim, apo nën hyqmin e të parëve.

Por s’mund të mos rikthehem për të thënë dhe diçka tjetër për mësuesin tim Shyqëri Lakra.
Si një nga arsimtarët mësimdhënia e të cilit nisi me shpalljen e Pavarësisë, Shyqëri Lakra brenda teksit të këngës dhe ngjarjes së lidhur me të, donte të përcillte në breza kontributin e vyer të patriotit Babë Dudë Karbunara në përhapje të gjuhës shqipe, sikurse vlerësonte atdhetarinë e kapedanë Tajar Vëndreshës.

Për mësuesin tim të parë, personazhet lidheshin në një kur në fjalë vinte mëvehtësia dhe pavarësia e Shqipërisë. Kurse mua, s’kish si mos më mbahej goja tek flitej për tim ungj kur edhe sot që po përshkruaj ngjarjen, ndiej në vesh avazin skraparliçe të të folurës së time mëje, nga e cila ç’më ka mbetur pa thënë është se kur Çikja më rrëfente kësisoj episodesh, tek lidhte me duar shaminë e kokës, nuk di përse veprimin e shoqëronte ngahera me fjalët: “Ngjafsh në dainjtë o bir, por mos paç të njëjtin fat!” Kur në të kundërt të uratës së nënës, jeta ime veç viteve të luftës partizane, para saj dhe mbas çlirimit të vendit, për rrethana të lidhura me ruajtjen e vetes dhe kryerjen e detyrës, pati elementë të ngjashëm me jetën e komitit.

Siç njihet, shpesh më është dashur të rroj e qëndroj mal më mal e shpellë më shpellë, imponuar nga roli në imitim të banditit, bërë në funksion të nxjerrjes jashtë loje të veprimtarisë së shërbimeve të huaja dhe rritjes të sigurisë së vendit; sikurse më 1947 nuk i shpëtova qelisë së burgut të Koçi Xoxes, apo lidhjes me zinxhirë.
Pa e tepruar, duhet të them se, në një tjetër kohë, por për të njëjta motive atdhetarie, pjesa më aktive e jetës më shkoi afërsisht kështu. Ç’më shtyn të bëjë këtë analogji, flet për dëshirën që nëpërmet paralelizmit të evidencoj mësuesin tim Shyqëri Lakra, të cilin pavarësisht rrethanave të jetës personale e kam ruajtur në mendje, siç adhuronin Babë Dudën dajot e mi, kapedanët në zë Tofik dhe Tajar Vëndresha.

Në Berat gjithkush e di që Shyqëri Lakra ishte nxënësi i Jorgo Karbunarës, siç jam ndër dëshmitarët e shumtë të adhurimit që mësuesi im kishte për trimërinë e dy vëllezërve kapedanë. Veç vlerësimit për të tjerë burra atdhetarë, mes respektit për veprimtarinë patriotike të Tajar Vëndreshës; gjen shpjegim përse Shyqëri Lakra më 1911 ishte pjesëmarrës në demonstratën e djegies së abetares me shkronja arabe në Berat; përse ai më 1914 mbrojti me armë qytetin nga forcat Esatiste; përse mësues Shyqëriu më 1924 u vu në mbështetje të Revolucionit të Qershorit dhe përse mësuesi im më 1928, u zgjodh sekretar i degës së Beratit për korrespondencën e shoqërisë ‘Bashkimi’ mbuluar nën pseudonimin ‘Tomorri’; sikurse mbështeti aktivisht Luftën partizane dhe më 1943 u zgjodh në qytetin e tij të lindjes anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar.

Kur shkoja në Berat, do takoja me domosdo dhe ish mësuesin tim Shyqëri Lakra. Për çfarë më kishte ofruar ai në ato vite të vështira të fëmijërisë, unë përsëri ndjehesha para tij si të isha ai nxënësi i dikurshëm ndërsa gjeja tek Shyqëriu, përmbajtje të ngjashme me një rilindas. Shëndeti i pakët, trupi i hollë, lëvizja e syve plot dritë dhe republika në kokë, i jepnin mësuesit tim pamje të fisme; ndërkohë që maturia çfarë kisha njohur tek ai qysh kur isha fëmijë, bënte të besoja se gjendesha përsëri pranë një njeriu nga kishe ç’të mësoje.

“Ulu të llafos nja dy gjëra dhe të bëj një pyetje”, më tha ai në një përvjetor të çlirimit të Beratit dhe si të vazhdonim bisedën e lënë dikur në mes, në atë shëtitje të bërë afro pesëdhjetë vjet më parë, atëhere kur shërbeja si hyzmeqar dhe njëherazi do të nisja klasën e parë, mësues Shyqëriu tashmë i plakur, më pyeti përsëri, por në një tjetër formë:
Pa më thuaj o miku im, diçka për Beratin?
Si ta ndieja veten në pozitën e një nxënësi, nisa përgjigjen:
Sipas gjeografit Meletoi, emri vjetër i qytetit të Beratit ishte Skambin, ndërsa perandorët romakë e njihnin atë me emrin Bejrut. Në kohën e dyndjeve bullgare e serbe, në viset e Epirit dhe të Maqedonisë, qyteti u quajt Belgrad, në përkthim të emrit grek Lefki Polis. Nën emërtimin e ri, pra Belgrad, firmosnin peshkopët në dokumentat kishtare për t’u dalluar nga Mitropolitët e Beligradit, ose Beogradit të Serbisë.
Qyteti është drejtuar nga pinjollë të familjeve perandorake Bizantine, apo oborrtarë të lartë të tij; feudal të fuqishëm shqiptarë si Muzakët, Skurat, Novakët etj. Berati në shekullin e XVI-të, ishte qyteti më i madh shqiptar. Brenda kalas së tij, kishte 42 kisha me piktura të famshme të Onufrit…
Mësues Shyqëriu më hodhi duart në qafë e s’më la të vazhdoja. “Tani, lermë mua”, – tha ai dhe nisi një bisedë që s’do ta harroj:

“Më 1924, në mes të rinjve beratas që do të takonim në Tiranë Iljaz Vrionin, i cili sapo ishte zgjedhur kryeministër, bëja pjesë edhe unë. Çfarë do t’i kërkonim ne të rinjtë deputetit të qytetit tonë, ishte dëshira për t’u çelur një shkolle të mesme, në daç të quhej gjimnaz, se ndër qytetet kryesore atë kohë, vetëm Berati nuk kishte. E dinim që kjo s’do t’i pëlqente beut të madh, por ta provojmë njëherë thamë…
Iljaz Vrioni, s’na priti në zyrë. Kryeministri feudal, na e la takimin tek ‘Internacionali’ dhe ne iu ulëm beut përkundrejt.

Fjalën e mori Vlash Papa, i pari. Pas tij, fola unë. Shpjeguam përse kishim vajtur dhe i bëmë rixha Iljaz Vrionit, të na i plotësonte kërkesën.
Ai krruajti me thojin e gishtit të vogël flokët e ndara në mes dhe si të tregonte se nuk merakosej për çfarë nxirrte nga goja, bashkë me avujt e alkolit që pinte pambarim, Iljazi ofroi plot ironi edhe përgjigjen:
“Më dashki të mirën! Po a s’më thoni pas kësaj, kush voton në Berat për mua po e shkolluam rininë?!”
Kështu mbeti qyteti në kohë të tij, pa shkollë të mesme. Por as kjo nuk e shpëtoi dot Iljaz Vrionin”, – mbylli rrëfimin mësuesi im, pa menduar se një tjetër shkolle të mesme që do të ngrihej mbas vdekjes së tij, në nderim të punës për arsimimin e brezave, iu vu emri i Shyqëri Lakrës.

Fund

Share This Article
4 Comments
  • Kjo ftyre e tmerroi Gramshin,Vercen,Sulove, Mirditen.Ky u shkonte ne shtepi fshatareve naten si diversant.Kush lajmeronte degen e brendshme shpetonte.Kush e priste “mikun” si e ka zakon shqiptari,pa spiunlluk,perfundonte Kulak.Le te pyese te jatin Kastriot Myftaraj,si e pesuan Myftarajt e Shenepremtes,prej bandes Hekuran Pobratit,Asim Alikos me shoke,meqenese ka bere biografine e botes?Sa shtepi bujare ne Malsi, qe prisnin <diversantet" Hekuran Pobrati u internuan ne kampet e vdekjes ne Tepelene?Ky "hero i nheshtur"ka marre ne qafe shume familje tradicjonale,duke peshtyre mbi sofren qe e priti.Neveritje dhe perbuzje per Hekuran Pobratin! Tregojani patriotizmin qorrave qe nuk e njohin sigurimsin Hekuran Pobrati!

    • @ Demo

      Me mire mos fol more Demo, familje e madhe. E degjon ne fund nje perfaqesues te familjeve te medha se si thote?? Nuk duhet te shkollojme rinine..
      Perfaqesuesit e familjeve te medha qe u bene me ballin e legalitetin dhe u bashkuan me pushtuesin.
      Perfaqesuesit e reaksionit ne Mirdite, te Gjon Markagjonit qe vrane Mesuesin e popullit Ndrec Ndue Gjoka, qe vrane heroinat e Mirdites, qe i dhane arsim ketij populli te vuajtur e te shtypur nga keto familjet sarrhoshe te medha.
      Laj gojen kur permend Heroin e Popullit Hekuran Pobrati, ai tanime eshte legjende dhe nuk ka Demo te Sali M.. Berishes qe e njollos.
      Ti Demo je nga ato familje qe Hekurani ju futi lepurin ne bark dhe nuk do tju dale me sa breza te jeni..

    • Zoti Demo ,ju quaj keshtu sepse ma lejon edukata dhe jo se e meritoni,perpara se te flisni per Hekuran Pobrati duhet ta lani mire e ta dizifektoni ,sepse ka mundesi infeksjonet tuaja arrijne edhe nepermjet portatelit,ju keni qene spiuna te pa bese, per tu bashkuar me armikun e per te shitur mikun qe ju ka ardhe ne bese,Hekurani dhe dajat e atij Tajar e Tofik Vendresha e te paret e tyre i kane sherbyer atdheut me gjak e me shpirt,E te vije turp se l’irin e ke gezuar dhe e gezon Faleminderit ketyre Herojve te kombit Shqipetare e shume si ata,ndersa ti je nje Shqipfoles i ndyre e antishqipetare qe ata dhe Enveri kane harruar tju zhduknin,se po te kishit pasur stomak ju ti dilnit perballe,ai qysh 9vjec i ka dale ball nenes e motrave te tija,dhe ja ka numeruar ne balle beut te fshatit.ti je nje krim i demshem per vendin dhe shume si ti,prandaj mos e zere me ne goje se Hekurani ka lene shume Hekurana mbrapa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *