Thonë që kur je keq i drejtohesh Zotit! Një tundim i fortë, në kohë dëshpërimi shpirtëror dhe moral! Në kohë krize dhe kaosi logjik! Shpeshherë për të kërkuar një ngushëllim. Në përpjekje për t’i dhënë kuptim në forma universale, absurditetit dhe dhimbjes individuale. Herë-herë, në kërkim të një shtyse për riorientim. Riorientim vlerash për të ri-dimensionuar rrëshqitjen nga morali, nga humanizmi dhe solidariteti.
Këtij tundimi, duket se nuk i shpëtoi dot as Evropa!
(…)
“Dhënia e çmimit “Charlemagne 2016” Papa Françeskut, është një ngjarje shumë e jashtëzakonshme. Disa mund të thonë me ironi se, Bashkimi Evropian duhet t’i ketë punët keq, deri sa erdhi në këtë pikë t’i drejtohet Papës, ndërkohë që të tjerë mund të pyesin përse t’ia akordojmë një Pape argjentinas një çmim për bashkimin paqësor të Evropës…Ne jemi të bindur se Papa Françesku e meriton këtë çmim, për mesazhin e shpresës, që i drejton Evropës”,- do të deklaronin një ditë para dhënies së çmimit në Vatikan, Atit të Shenjtë, dy krerët e institucioneve të BE-së, Junker dhe Schulz.
(…)
Tek trokitën në derën e Zotit, duke i akorduar Atit të Shenjtë edhe çmimin e mirënjohjes dhe të kontributit, për mesazhin e shpresës, që po i jepte Evropës, krerët e saj do të merrnin ndoshta edhe leksionin më të fortë, që iu është drejtuar deri më tani. Një leksion historik! Një kujtesë mbi rëndësinë e vlerave të një memorie historike. Një kujtesë mbi idealet, mbi të cilat është ngritur kjo Evropë, mbi vizionin e baballarëve të tyre për t’i ikur luftërave, tensioneve dhe shkatërrimeve dhe për t’u bashkuar në ndërtimin e Evropës së paqes dhe të humanizmit. Një leksion mbi nevojën për të “aktualizuar” idenë evropiane, për të rikonceptuar Humanizmin, për të kuptuar rëndësinë e dialogut dhe të solidaritetit, të gjithë-përfshirjes dhe bashkëjetesës mes kulturave të ndryshme.
(…)
“Shkrimtari Elie Wiesel, i mbijetuar nga kampet naziste të shfarosjes, thoshte se, është themelore sot, të realizohet një “transfuzion i memories”. Është e rëndësishme të “kemi një kujtesë”, të marrim pak distancë në raport me të tashmen, për të dëgjuar zërin e të parëve tanë. Jo vetëm që memoria do të na ndihmojë të mos kryejmë të njëjtat gabime të së kaluarës, por ajo do të na japë gjithashtu qasje ndaj atyre dijeve, që kanë ndihmuar popujt tanë të kalojnë me një shpirt pozitiv, udhëkryqet historike, që hasnin tek kalonin. Transfuzioni i memories, na çliron nga kjo tendencë aktuale, shpesh më tërheqëse, të fabrikojmë në nxitim mbi tokë të lëvizshme, rezultate të menjëhershme, që mund të prodhojnë një fitim “politik të thjeshtë, të shpejtë dhe të rrufeshëm, por që nuk ndërtojnë tërësinë njerëzore”.
Për këtë qëllim, do të na bënte mirë të kujtonim etërit themelues të Evropës. Ato ditën të kërkojnë rrugë alternative, të reja në një kontekst të shënuar nga plagët e luftës. Ato patën guximin jo vetëm të ëndërronin idenë e Evropës, por ato guxuan të transformojnë rrënjësisht modelet, që nuk provokonin veçse dhunë dhe shkatërrim. Ato guxuan të kërkojnë zgjidhje shumëpalëshe ndaj problemeve, që gradualisht u bënë të përbashkëta”
(…)
Transfuzion i memories, që sipas Atit të Shenjtë do të mundësojë jo vetëm frymëzimin nga e kaluara por edhe përballjen me të ardhmen, me sfidën për të “aktualizuar” idenë e Evropës.
Aktualizim, që sipas Tij, duhet të ngrihet mbi një Evropë, që duhet të mundësojë lindjen e një Humanizmi të ri, të bazuar në tre kapacitete: kapaciteti për të integruar; kapaciteti për të dialogu-ar; dhe kapaciteti për të gjeneruar.
Një humanizëm, që duhet të ketë Kapacitet për të Integruar, në referim të vlerave të gjithë-përfshirjes, të jetuarit në një vend, ku kulturat e ndryshme të përbëjnë vlerën e të përbashkëtave.
(…)
“Reduktimet dhe çdo tentativë njëtrajtësimi, larg nga gjenerimi i vlerave, i dënojnë popujt tanë me një varfëri mizore: atë të përjashtimit. Dhe larg prurjes së madhështisë, pasurisë dhe bukurisë, përjashtimi, provokon poshtërsi, ngushtësi dhe brutalitet. Larg dhënies fisnikëri shpirtit, i sjell atij meskinëri.”
(…)
Një humanizëm, që përveç kapacitetit për të integruar duhet të zhvillojë edhe kapacitetin për të dialoguar. Zhvillimi i kulturës së dialogut, sidomos tek të rinjtë, për t’i mundësuar atyre mënyra konceptimi dhe operimi brenda fushës së takimit, dialogimit dhe komunikimit.
(…)
“Është urgjente për ne sot, të përfshijmë të gjithë aktorët socialë në avancimin e një kulture, që privilegjon dialogun, si formë takimi, duke nxitur kërkimin e konsensusit dhe të marrëveshjeve, por pa e ndarë nga shqetësimi për një shoqëri të drejtë, të aftë të kujtojë dhe pa përjashtime. Paqja, do të jetë e qëndrueshme deri në atë nivel, ku ne do të armatosim fëmijët tanë me armët e dialogut, në masën që ne do t’ u mësojmë atyre luftën e duhur të takimit dhe të negocimit. Në këtë mënyrë, ne do të mund t’u lëmë atyre si pasuri një kulturë, që di të përcaktojë strategjitë, jo të vdekjes, por të jetës, jo të përjashtimit, por të integrimit. Kjo kulturë dialogu, që duhet të futet në të gjithë programet shkollore, si aks përshkrues i disiplinave, do të ndihmojë t’u mësojë gjeneratave të reja një mënyrë për të zgjidhur konfliktet, e ndryshme nga ajo, që ne jemi mësuar.”
(…)
Një humanizëm, që kërkon përtej dy kapaciteteve të para, edhe kapacitetin për të gjeneruar. Askush nuk duhet të kënaqet vetëm me rolin e spektatorit apo vëzhguesit, pasi të gjithë në logjikën e Atit të Shenjtë, nga më i vogli tek më i madhi, janë aktorë të ndërtimit të një shoqërie të integruar dhe në paqe.
(…)
“Këto kohët e fundit, kam reflektuar mbi këtë aspekt dhe pyeta veten: Si mund të bëjmë që të rinjtë tanë, të marrin pjesë në këtë ndërtim, kur ne i privojmë ato nga puna, nga punë të denja, që i lejojnë të zhvillohen falë duarve të tyre, falë inteligjencës dhe energjisë së tyre? Si duhet ne, t’a njohim vlerën e protagonistëve, kur përqindja e papunësisë dhe punësimit nën nivelin e tyre, të miliona të rinjve evropianë, është veçse në rritje? Si të shmangim humbjen e të rinjve tanë, që përfundojnë duke shkuar gjetkë, në kërkim të idealeve dhe kuptimeve të përkatësisë, pasi këtu në tokën e tyre, ne nuk dimë t’iu ofrojmë mundësi dhe vlera ?”
(…)
Pyetje, që ofron edhe një logjikë orientimi si përgjigje, kërkimin e modeleve të reja ekonomike, më gjithëpërfshirëse dhe më të barabarta, të orientuara drejt përfitimit të njerëzve dhe të shoqërisë. Si edhe kalimin e nevojshëm në një ekonomi sociale, çka do të japë perspektiva të reja dhe mundësi konkrete integrimi dhe përfshirje.
Një leksion, që do të mbyllej me apelin përfundimtar për Humanizëm, që të drejtat e njeriut të mos perceptohen si “utopia e fundit e Evropës!”
“Unë ëndërroj për një Evropë ku të jesh migrant, të mos jetë një krim, por më tepër një ftesë për angazhim në dinjitetin e plotë të gjithë qenies njerëzore..…Ëndërroj për një Evropë, ku të rinjtë thithin ajrin e pastër të ndershmërisë, duan bukurinë e kulturës dhe të një jete të thjeshtë, jo të ndotur nga nevojat e pafund të konsumit…….Ëndërroj për një Evropë, për të cilën nuk mund të themi se angazhimi i saj, për të drejtat e njeriut, ka qenë utopia e saj e fundit!.”
Evropa po vazhdon të përballet me një nga krizat më të forta të saj, krizën e refugjatëve. Krizë që tashmë është vlerësuar se i ka tejkaluar përmasat dhe rëndësinë e një krize të thjeshtë ekonomike, pasi në të, janë ndërthur edhe dimensione të tjera, që nga ai moral dhe human dhe deri tek efekti zinxhir i përplasjeve dhe egoizmave kombëtare, që nuk kanë hezituar të tronditin themelet e Unionit Evropian, si qarkullimi i lëvizjes së lirë. Kjo krizë e ka ekspozuar si rrallëherë Evropën të përçarë, të ndarë, të fragmentarizuar, të dobësuar deri në atë pikë, sa e kërkon kompromisin dhe zgjidhjen e problemit, jashtë saj, tek figura problematike autoritare. Duke rënduar dhe kompromentuar më tej imazhin dhe moralin e saj.
Leksioni që Ati i Shenjtë, u drejtoi krerëve të Evropës, sigurisht që mbart vlera simbolike, që burojnë nga një autoritet thellësisht moral. Por, ky leksion, vlen për t’i rikujtuar jo vetëm Evropës dhe krerëve të institucioneve të saj politike, por sidomos vendeve të caktuara anëtare dhe popujve të tyre, rëndësinë e një reflektimi ekzistencial, mbi arsyen e qëndrimit në Evropën e Bashkuar; rëndësinë e një solidariteti dhe humanizmi të domosdoshëm, si vlera të pamohueshme jo vetëm në kohë paqe, por sidomos në kohë krize, tensioni dhe konfliktesh./im.ta/DITA
