Domana dhe Ronaldi gati reformën në drejtësi, panik në kopshtet e vendit

Alqi Kociko

Të lodhur nga zvarritjet dinake të politikës shqiptare, ambasadorët e BE dhe SHBA në Tiranë vendosën këtë javë ta presin shkurt këtë lojë bizantine dhe të mbyllin reformën e drejtësisë me ndihmën e një eksperti të paanshëm e me përvojë, thonë Gojët e Liga.

Vendimi u mor pas një takimi të rastësishëm para një muaji në një supermarket në Tiranë, ku Domana dhe Ronaldi po bënin pazaret e ambasadave pasi i kishin frigoriferët bosh dhe u doli përpara miku i vjetër Dul Vasha.

–“Ua, Duli, si me porosi më dole”, i tha Domana, “na duhet një ekspert jurist me përvojë ndërkombëtare për të mbyllur reformën në drejtësi. Ua tregojmë ne këtyre horrave që na bëjnë cic-mic”.

–“Aman mos më fol Domana, punë shqiptarësh. S’bëhen njerëz këta”, u përgjigj Duli.

Ndërkohë Ronaldi ndërhyri: “Na duhet një djalë me perspektivë, që të ketë punuar, psh, me UNMIK-un. Si dhe ta shohë realitetin shqiptar nga një këndvështrim i ftohtë, i papërfshirë… Si holandezët psh”.

–“Po qe se e keni urgjent, vij unë”, ja preu Vasha i buzëqeshur, “vetëm në fundjavë, se gjatë javës jam në punë. Kemi dhe fëmijë për të ushqyer”.

Pas këtij episodi fatlum, punët ecën vaj, raportojnë Gojët e Liga. Vasha i sugjeroi Domanës dhe Ronaldit që në hetimin e zyrtarëve të lartë, mos të tregonin mëshirë për asnjë dhe me asgjë: “Po të më dëgjoni mua, filloni që nga Fan Noli e Mufit Libohova dhe mbaroni tek ata që do jenë ministra e kryeministra pas 30 vjetësh. A, se mos harroj, me përjashtim të dy Gencave, Ridvanit, Fatmirit, Flamurit… I njoh unë, se kam punuar me ta. Janë çuna të pastër, çuna me zemër”.

–“Shife ky! Po të dyshonim tek ty, s’të kishim thirrë fare”, tha Ronaldi, “me ty humbi Holanda, por fitoi Shqipëria”.

-“Ç’ma përmend a derëbardhë!”, ja ktheu Vasha, “unë ç’të bëj se më vjen keq për njerëzit e thjeshtë, se s’do më shihje këtu asnjë sekondë!”

Në vijim, në kuadër të draftit radikal të reformës u vunë piketa konkrete. Në sitën e hetimit special u vendosën të gjithë kryepleqtë e fshatrave të periudhës 1921-1935, brigadierët si dhe normistët e kooperativave të tipit të lartë të periudhës 1968-79 pa përjashtim.

Një çast, ambasadorit Ronald i vjen një sms, dhe shton një detaj: “Poooo. Burimet e mia më thonë se nga të majtët duhet të heqim nga lista një sekretar partie të Spitalit në Tiranë, në vitet 1980. Si dhe të heqim Lufter Xhuvelin. Ka qenë ministër i gënjyer. Plus që s’ka ndenjur shumë me ata të malit dhe i ka shlyer fajet e veta”.

Në pjesën e fundit të draftit ekstrem, ambasadorët dhe Vasha u përqëndruan tek ministrat dhe kryeministrat e potencialë të së majtës në 30 vitet në vazhdim. Ata morën dhe përpunuan informacion të detajuar se cilët nga pinjojtë e majtë në kopshtet dhe çerdhet e gjithë vendit, kishin tendenca për marrjen e lodrave të shokëve, organizimin e rebelimeve kundër edukatoreve etj. Në shënjestër u vunë një tufë qurrashësh e qurrashesh të grupmoshave 2-6 vjeç, për të cilët u vendos të bëhej e pamundura që të mos u jepej shkolla e lartë.

Duke lëvizur fotografitë e të dyshuarve zullapë nga njëra dorë në tjetrën, Domana dhe Ronaldi mërmëritën, “me këto fytyra mistrecësh bindemi se Shqipëria ka nevojë për një dorë të fortë”, dhe u drejtuan nga Dul Vasha, “na duhen njerëz të besuar për një qeveri të re. Njeh njeri?”

Duli ngriti supet: “Njof posi. Nuk e di a do pranojnë, por ja t’u themi njëherë dy Gencave, Ridvanit, Fatmirit, Flamurit…”  

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *