Atë ditë që bisedoja me njeriun që kaloi nëpër pesë kampe naziste të shfarosjes, Abdulla Krutanin, në shtypin e ditës shkruhej se ka një projekt për spostimin e Varrezave të Dëshmorëve të Kombit Shqiptar. Duket të kesh guxim prej të marri ta mendosh këtë. Është më shumë se aventurë çmendurie. Politika po humb ekuilibrin…
Dy pika lotit dolën nga gropat syve të Abdullait. Tek ato lot të pastër m’u duk sikur lexova: Mos vallë tashti për ta s’vlejnë më ata që dhanë gjakun për liri! Përse kështu?!
Këtë vit Abdullai mbush 90 vjeç. Memoria e tij ka qenë e ngarkuar vazhdimisht me përjetimet e luftës dhe të kampeve të shfarosjes. Shfarosjes… Nuk mund të gjesh një fjalë tjetër më të neveritshme e më të tmerrshme!
Nuk është e vështirë të komunikosh me të për të shkuarën 70 e ca vjeçare… Ai flet sikur është kthyer dje nga kampet e shfarosjes, e fjalët e tij sjellin rininë e një kujtese të plotë.
Ishte viti 1940. Fashizmi e kishte nxirë Tiranën dhe tërë Shqipërinë që më 7 prill ‘39. Më pat vdek baba e familja ime si çdo familje, e kishte të vështirë të siguronte bukën e gojës… S’i paç mbush ala 16 vjeç, e nëna më çoi çirak, marangoz te Fori Bardhi nga Gjirokastra. Aty u njoha edhe plot njerëz që punonin e lëviznin… Njoha Llambi Monarin, Ramazan Toskën, Aristidh Tanen… Më vonë dhe të tjerë, sindikalistë; Myzafer Reson, Arqile Titanin…Vrapoja gjithandej me shokë dhe shihnim si lëvizte rinia e punëtoria me zjarrin në zemër. Ishte vështirë të rrije larg atij zjarri… Nisën demonstratat, grevat, manifestimet, atentatet dhe zjarri ndizte edhe buçimën e këngëve: Eja mblidhuni këtu, këtu…Tek unë zjarrin e futi Njazi Meka. Por ai kaloi shpejt në ilegalitet se u zbulua nga fashistë. Njazi Meka më rekomandoi të lidhesha me Ibrahim Coken, kryetar i celulës. Dhe ashtu bëra… Bënim mbledhje mceftas në shtëpinë time. Natën. Flisnim për organizimin e Luftës. Për botën që ziente e ishte në flakë. Isha i vogël, por lufta të bën të madh. Tani Lufta qe ngjitur e kishte shpërthyer në male. Një ditë i them Ibrahimit: Dua të shkoj në mal, të dal partizan. Ngriti supet. Je i vogël,- më tha, a do të pranojnë, por do ta bisedoj. E bisedoi dhe pranuan të shkoja partizan. Më kujtohet si tani. Ishte data 24 tetor e vitit 1943 kur shkova në Balaxhias, u paraqita në Brigadën e Tretë Partizane. U njoha me plot shokë të Tiranës, Adnan Qatipin, Sul Cenoimerin etj. Njoha dhe komandantin Hulusi Spahiu. Nuk më del nga mendja lufta që u bë në Arbanë atë ditë që po formohej brigada. Nazistët u thyen dhe s’e ndalën dot formimin e Brigadës. Kush hedh sot poshtë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka hedhur përsëri bomba e plumba mbi popull. Atë luftë e bëri populli, prandaj është e shenjtë.
Në nëntor 1943, brigada mori urdhër të lëvizte nga Balaxhiasi prapa Dajtit. Udhëtonim natën. Terreni ishte shumë i keq. Lodhja dhe të ftohtit bënin punë e tyre. Mushkat e ngarkuara me municion rrëshqisnin nga terreni i keq. Pas mesnate bëmë pak pushim. Municionet tash do t’i merrnim në krahë. Duke ecur nëpër natë u shkëputëm nga brigada. Ishim katër-pesë vetë. Binte shi me terrena, si themi ne tiransit. Vazhdimisht binte shi. Në një moment hitlerianët na diktuan e breshëria e plumbave përzjehej me breshërinë e shiut. Unë rrijsha më këmbë. Ulu më bërtiste shoku, se do të zërë ndonjë plumb. Plumbat e shiu na ndanë nga njëri- tjetri. Mbeta vetëm. E humba toruan. Nëpër errësirë kur po kërkoja shokët, dëgjoi një thirrje si ulërimë ujku: Alt… alt… alt… Nëpër zgavra ishin mcef gjermanët. Rashë rob. Këtu fillon kalvari i mundimeve të mia dhe pashë botën e tmerrshme të burgjeve e kampeve të shfarosjes të nazistëve… M’u hodhën sipër siç hidhen bishat mbi prenë e vet. Më goditën me shqelma sa mundën, më lidhën…
Më çuan në Peqin, më mbyllën në xhami. Ndenja nja 5-6 orë. Pastaj na çuan në Kavajë. Në sheshin e xhamisë së Kavajës ku ishin shumë kavajas. Ndenjëm 10 orë. Pastaj në Durrës e së fundi në Shijak. Kishte shumë vetë. Robërit e luftës janë qenie të çuditshme, sepse mendojnë se në çdo moment mund t’ia marrin jetën. Autokolona e makinave me robër i ngjante një funerali që shkonte të varroste njerëz të gjallë. Autokolona ndaloi në Rrashbull ku na bashkuan me të burgosurit e Durrësit dhe na çuan drejt në Burgun e ri të Tiranës. Aty ndenja nëntor ‘43– dhjetor ‘43. Na ndanë nëpër kausha. Vetëm unë isha nga Tirana. Aty njoha atë njeri që nuk më është shqitur asnjë çast nga kujtesa, njeriun e madh e të mirë, Kozma Nushin, Njoha Telat Nogën, Mihal Marton, plot të tjerë…
Jashtë çdo ditë na prisnin me ankth e me frikë njerëzit e familjes. Na sillnin ushqime, mcehtas, i hanim të gjithë bashkë. Kishte një organizim të përsosur. Të burgosurit, shiheshin nga nazistët si një rrezik i madh. Prandaj deshën të na i merrnin jetën ca nga ca.
Më 28 dhjetor 1943 në burgun e Tiranës pat lëvizje të madhe. Na zgjuan me të thirrura pas mesnate. Në ora 4.30, kur ishte ala errësirë na rreshtuan me grykën e pushkëve tehun e bajonetave. Asgjë nuk mund të harroj nga ai mëngjes, por një gjë dua ta tregoj. Nga jashtë burgut të Tiranës erdhi një zë, një zë nëne si një klithmë, si një vajtim, a s’di si të ta them… “O Mihal…. Mihal,…. Mihal i nënës ku do më vesh, ku do më lesh… Mihaaaal!…” deri sa zëri u shua. Shtangëm dhe u përlotëm të gjithë. Ishte nëna e Mihal Martos që bërtiste me dhembje. Edhe sot që jam 90 vjeç ala më jehon në vesh ai zë nëne aq i dashur e dhimbshëm që na preku e na emocionoi të gjithëve. Kur dolën makinat, jashtë ishte plot me njerëz. Kishte dalë Tirana për djemtë e saj.
Udhëtuan drejt Elbasanit, pastaj nëpër Maqedoni. Na çuan në kampin famëkeq të Zemunit të Jugosllavisë. Ishte kampi më i tmerrshëm që kam parë. Qëndruam aty nga janari deri në qershor 1944. Kishte robër e të burgosur nga tërë Ballkani. Na griu uria. Një vishkull bukë 150 gram në ditë sa mbanim frymën gjallë. Me aq bukë edhe pula nuk fonjet. Egërsia ndaj nesh i kalonte kufijtë njerëzorë. Një ditë dikush thirri në kamp: Kush është mysliman të dalë këtej… Ne jemi të gjithë shqiptarë, ia ktheu Kozma Nushi. Kudo ishte Kozmai, Telati, Mihali që na dilnin zot…
Nuk e dinim ku udhëtonim. Ishte muaji korrik. Ishim në breg të lumit Sava. Kudo bombardohej. Në në çdo metër dëgjonim veç klithmat e çjerra të nazistëve: Alarm!!… Alarm! Alarm! Vdekja na rrinte pranë në çdo çast. U vra një shoku ynë, Muhameti… O çfarë dhimbje! Na çuan në Kampin e Bonicës të Beogradit. Aty kam parë tmerre e tortura me sy që s’më hiqen nga kujtesa. Argëtoheshin duke na torturuar.
Më shtator ‘44 mbërritëm në Mat’hauzen. Udhëtonin në një tren kafshësh. Udhëtonin drejt vdekjes. Në tren pashë se si na vdiq një djalë nga Korça, Pandi Dimo e quanin. Nuk e di ku u varros… Ndoshta e hodhën nga teni. Një djalë nga Elbasani, Spiro Dhamo, na mbante gjallë me humor e shaka që të harronim urinë e vdekjen, derisa mbërritëm në Mat’hauzen. Si tani e kam parasysh kur u hap porta e madhe e hekurt, sikur u hap një arkivol i madh. Krematoriumi nxirrte tym. Binte një erë e çuditshme. Vëllezër, jemi në gojën e ujkut. Qëndroni fort, duroni, mos bini pre e provokimeve, bisha është bishë e s’ngopet kurrë me gjak… Rrini bashkë. Na foli gojëmjalti Kozma Nushi.
Uri e madhe, edhe qymyr kemin ngrënë edhe tallash druri, gjethe pemësh që të mbanim veten gjallë. Ishte lufta për të mbijetuar. Na numëroheshin brinjët. I ke parë fotografitë besoj? Prisnim me ankth kur do të mbaronte e lufta… Dëgjonin fshehur lajmet në radio… Sulejman Cenoymeri na dha lajmim se Shqipëria u çlirua më 29 nëntor 944. Më 20 prill 1945 një italian më thotë: Hitler kaput, po hesht!… Duhet të dalim gjallë. Në kampin e shfarosjes ndjehej të regëtinte shpresa për liri… Më 6 maj 45, ora 2. 50 minuta në kamp na vinë aleatët amerikanë. Na dhanë lajmin se lufta po mbaronte. Hajdeni në Amerikë. Jo, i thashë, unë. Do të shkoj në Shqipëri, kam atdheun tim, kam nënën, vëllanë, kam njerëzit e mi. U nisëm për në Shqipëri… Ishim kockë e lëkurë, por shpresa për të arritur gjallë na jepte kurajo…..

Te gjithe ju qe i dhate vendit tone jeten dhe rinine tuaj, Zoteri,keni respektin e te gjithe atyre shqiptareve qe e respektoje sakrificen e heronjve te luftes. Edhe une jam pjese e tyre dhe nuk mund te harroj sakrificen e familjes qe dhane per luften. Ata qe nuk e njohin, nuk ndjejne asgje tjeter vetem mllef ne zemrat e tyre. Qendro krenar per ate qe bere.
Kam njohur personat vete ose familjaret e :
Kozma Nushit Heroi i Popullit, anetar i Partise Komuniste Franceze, pervec se PKSh
Malo Sulo Hasamataj nga Smokthina e Vlores
Ejup Zotaj. nga Smokthine E vlores
Petrina Nase.
Marika Papi
Te gjithe keta persona te tradhetuar nga legalo-ballistet e te internuar nga bishat naziste ne mathausen , pervec Kozma Nushit qe nuk u kthye i gjalle nga ai kamp famekeq, i kam njohur personalisht ne Tirane.
I paharuar qofte kujtimi i tyre!
Te nderojme dhe te perulemi me respekt perpara vepres se tyre te lavdishme!
Rrofte populli heroik Shqipetar!
Poshte fashistet dhe koolaboratoret e tyre!
Respekte
nuk esht e gjith ashtu………