“Jorgo Roze, një emër artisti me rrezatim kombëtar”

Dita

Klarinetisti dhe muzikanti i talentuar Jorgo Roze, është njëri prej intelektualëve më të nderuar të fushës së artit e kulturës, modeli i intelektualit që me devotshmëri, përkushtim e ndjenjë të lartë profesionale, për dekada të tëra i shërbeu artit e kulturës në Gjirokastër.

Pas studimeve të mesme në Liceun Artistik “Jordan Misja” i përfundoi studimet e larta me “Medalje të Artë” në konservatorin e muzikës “Dvorzhak” në Pragë.  Me kthimin në Tiranë, në orkestrën e Radio Tiranës, Jorgua konsiderohej instrumentisti më i mirë i vendit, instrumentist i klasit të parë, por për arsye familjare, la Tiranën dhe u kthehet në Gjirokastër.

Në situatat e prapambetura të muzikës së kultivuar në vitet ’60, Jorgo Roze  i dha një përfytyrë të re jetës artistike të Gjirokastrës në krijimtari e interpretim, në lëvizjen muzikore profesioniste e amatore, duke evidentuar veçantitë kulturore të qytetit, jo vetëm në krahinat përreth, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe jashtë shtetit. Me pasionin e moshës iu përkushtua organizimeve muzikore: interpretonte, kompozonte, orkestronte, drejtonte ansamble dhe orkestra muzikore të shkollave dhe ndërmarrjeve industriale.

Ai i përkiste etalonit të muzikantit klasik, jo vetëm për shijen e repertorit që ai kultivonte, por edhe për qasjen ndaj tij si muzikant profesionist. Duke punuar njëkohësisht me amatorë e profesionistë, ka ditur te harmonizojë kërkesat e drejtimit te orkestrës, të korit e solistëve drejt  rezultatit interpretativ të dëshiruar. Kjo nuk ka qenë një punë e thjeshtë, sepse ka kërkuar jo vetëm një teknikë të lartë të dirigjimit, por edhe një kulturë  të gjerë muzikore dhe shije të përpunuara artistike.

Jorgo Rozen e ka karakterizuar modeli i një pune pasionante me frymë dashamirësie dhe mirëkuptimi, produkt i një atmosfere shoqërore që ndihmoi krijimtarinë muzikore të artistëve të qytetit. Me një përkushtim dhe sakrificë madhore mposhti vështirësitë e kohës, por pasioni i tij nuk ndjeu lodhje përpara spektatorëve: emocione, duartrokitje, por edhe debate e diskutime për të realizuar vlera estetike që pasuronin botën shpirtërore të banorëve.

Jorgo Roze u bë një emër në klarinetë me rrezatim kombëtar. Ajo që do të mbetet më shumë në traditë prej tij, është origjinaliteti si interpretues-solist në klarinetë. Jorgua ka krijuar individualitetin e tij interpretativ, qetësinë në shprehjen e mendimeve e kthen në furtunë gjatë interpretimit. Ai ka ditur të përshtatet me konsekuencë në logjikën dhe veçantitë e  repertorit klasik të klarinetës, duke harmonizuar në mënyrë të përkryer stilin e interpretimit klasik me atë popullor në veprat e muzikës së kultivuar që mbështeten ndjeshëm në intonacionet muzikore lokale ose kombëtare, çka nuk arrihet lehtë nga një instrumentist. Jorgua njeh mirë veçoritë e lojës solistike në sazet popullore vendase, njeh harmoninë, ritmikën dhe dinamikën e përgjithshme të këtyre orkestrave dhe në mënyrë krijuese i ka përshtatur në lojën e interpretimit të kultivuar.

Është ndër orkestruesit më  funksional falë talentit të lindur, po kryesisht prej njohjes kapitale të veçorive teknike e tingëlluese të instrumenteve muzikore. Loja brilante e tij, vjen dinamikisht më e lëvizshme, më e ndritshme, më transparente e më optimiste si atmosferë. Në dëgjim të interpretimit të Rozes, ndjehesh i frymëzuar nga dashuria për jetën, njerëzit e atdheun. Artisti jo vetëm përjeton tërësinë e zhvillimeve tematiko-emocionale të veprës, përmes seriozitetit intepretativ, arsyetimit logjik e shprehjeve emocionale të kontrolluara, por krijon edhe një ndjenjë estetike lirike që të përfshin e të shoqëron edhe pas përfundimit të interpretimit.

Në festivalin e 16 dhe 17 të Radiotelevizionit shqiptar, ka drejtuar orkestrën me instrumente të temperuara, ka kompozuar këngë për fëmijë e të rritur. Jorgo Roze ka qenë  për një kohë të gjatë drejtues i orkestrës së estradës profesioniste të qytetit,  me qindra koncerte dhe dhjetëra premiera; si instrumentist dhe dirigjent i saj. Me ditë të tëra larg familjes në turne nga Jugu në Veri të Shqipërisë, por pasioni i tij nuk ndjeu lodhje në qindra shfaqe përpara spektatorëve mes emocioneve, duartrokite, por edhe debateve e diskutimeve për realizimin vlerave estetike në artin muzikor. Ka qenë ndër të parët organizator, drejtues dhe pedagog në shkollën e muzikës. Puna pasionante dhe e përkushtuar e Jorgo Rozes, ka sjellë përgatitjen e disa talenteve të rinj, të cilët e kanë zëvendësuar jo vetëm në instrumentin e klarinetës, por edhe në  rolin e pedagogut në Shkollën e Muzikës. Ai ka qenë një ndër mbështetësit kryesorë të të gjithë proceseve të edukimit shkollor e jashtëshkollor të muzikës. Të tri aspektet themelore të punës së tij: si muzikant, veprimtar shoqëror dhe pedagog, janë të lidhura nga filli i përbashkët i ndjeshmërisë qytetare, i dhe besimit dashurisë për njerëzit.

Jorgo Roze ka interpretuar si solist brenda e jashtë vendit qysh në vitin 1971 në Rumani, e në vazhdim në Greqi, në Francë, në Maqedoni, Bruksel etj. Ai është një personalitet i shquar të kulturës gjirokastrite e shqiptare dhe, ndërkohë, personalitet që e meriton plotësisht nderimin e ri me të cilin e vlerësuan autoritetet vendore, titullin Qytetar Nderi i Gjirokastrës.

 

Share This Article
1 Comment
  • perte aerdhur keq me vleresime kur njerezit e vlerave per kombin, te artit, kinematografise muzikes,sportit,shkences, mjekesise
    arsimi.largohen nga jeta, i kujtojme ato dite….
    ska mundesi fototeka e tvsh,te kete emisin per keto vlera edukative dhe krenari kombi, per brezat e rinj.
    besoj me emerimin e drejtorit te TVSH, dhe pas mbarimit te tenderave te ministres kumbaro…..do te behet nje enciklopedi memorie per keta njerez me vlera.dhe aqme tepr per keta qe jetojne dhe kan veprat e tyre sipas fushave..
    boll meme fytyra politikanesh……veprat e VACES,ROSHIT, PROSIT, MANUSHIT, BORICIT, PANOS, RUSIT,XHEGES,KANACIT te DIZHONI me gjerdan ari ne FRANCE etj………pambarim.
    lavdi te gjtheve

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *