Flamurtari dhe Bylis, më të rrezikuarit për të zbritur nga Superiorja

redaktor

Me Tërbunin e rënë në Kategorinë e Parë, matematikisht gara për të mësuar ekipin shoqërues të pukjanëve është çështje për 4.

Më të ekspozuara duken Bylis dhe Flamurtari, që janë 3 pikë larg njëri-tjetrit, por mbi të gjitha kanë edhe një sfidë direkte.

Vllaznia e vendit të 6-të ka avantazhin se do të luajë këtë javë ndaj Tiranës, një skuadër pa objektiva, por mbi të gjitha nëse gjërat nuk shkojnë si duhet në 90 minutëshin e ardhshëm, shkodranët do të presin në javën e fundit Bylisin.

Vetëm një pikë ndaj mallakastriotëve do të mjaftonte për të siguruar mbijetesën. Laçi i vendit të 7-të shkon në Durrës këtë fundjavë, por në 90 minutëshin e fundit pret Tërbunin dhe një sukses ndaj tyre i mjafton për të siguruar qëndrimin mes më të mirëve.

Në këtë aspekt të rrezikuarat janë Bylis dhe Flamurtari, që do të përballen në javën e 35-të në “Adush Muça”. Për të shpresuar tek mbijetesa, Bylis duhet të fitojë me dy gola avantazh ndaj Flamurtarit, në mënyrë që të ketë epërsinë në ndeshjet direkte, dhe të tentojë fitoren në Shkodër.

Në 3 takimet e këtij edicioni janë regjistruar dy barazime 0-0 si dhe fitorja e 2-3 e kuqezinjve në “Adush Muça” në fazën e dytë. Nëse vlonjatët do të merrnin të paktën një pikë, atëherë gara për mbijetesë mund të konsiderohet e mbyllur, me Bylis që do ti bashkohej Tërbunit.

Fitorja ndaj Partizanit ka rritur optimizmin në Ballsh dhe besojnë se asgjë nuk është e pamundur. Suksesi me dy gola epërsi ndaj Flamurtarit shihet si një mision i arritshëm dhe për këtë arsye festa e fitores në “Qemal Stafa” i ka lënë vendin përgatitjeve.

Për mbijetesën 90 minutëshi i “Adush Muçës” shihet si jetik, nëse kjo garë do të vijojë të jetë e hapur deri në fund apo gjithçka do të mbyllet aty.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *