Klubi i njohur nga Bundesliga gjermane, Hannover 96, ku ka luajtur “një jetë” Altin Lala, madje ka qenë kapiten i tij, ka shprehur interesim për mbrojtësin shqiptar, Naser Aliji.
Sipas telesport.al, drejtues te skuadrës gjermane kanë filluar ta monitorojnë lojtarin me origjinë nga Kumanova prej kohësh dhe oferta mund të vijë direkt pas përfundimit të kampionatit në Superligën e Zvicrës.
Aliji është në superformë dhe njëri ndër protagonistët për titullin e kampionit të ri helvet, Bazelit. Ai, në gjashtë ndeshjet e fundit ka dhënë katër asiste.
Kujtojmë se Hanoveri do të luajë në Bundesliga 2 sezonin e ardhshëm, pasi këtë sezon ka rënë nga elita e futbollit gjerman.
Në elitë është ngjitur një tjetër shqiptar, lojtar i Kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, me Freiburgun.
