Prokuroria Tiranë kërkon arrest në burg për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim për atë që goditi gazetarin Ilnica.
Një ditë pas ngjarjes, Report TV zbardh dëshminë e presidentit të Kastriotit, i cili ka mohuar të ketë dhunuar gazetarin, por policia ka thënë se ka dëshmitarë që e faktojnë.
Gjatë dëshmisë së tij në polici, Vogli e ka mohuar kategorikisht autorësinë e dhunimit të Ilnicës, duke pohuar madje se as që e njeh gazetarin.
“Nuk kam lidhje me dhunimin e gazetarit, s’e di kush e ka goditur”, mësohet të ketë thënë 29-vjeçari Vogli para hetuesve.
Gazetari Eduard Ilnica u dhunua mbrëmjen e së hënës pranë një lokali në afërsi të Zogut të Zi. Ai është goditur nga grushta e shkelma dhe menjëherë pas ngjarjes, nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook u shpreh se autori ishte presidenti i Kastriotit.
Në një intervistë për Report TV, Ilnica tha se i ishte zënë pritë nga Alban Vogli dhe 6 persona të tjerë, të cilët nuk i kishte njohur.
