Marrëveshja me Serbinë, Thaçi raporton sot në Kuvend

anazapta

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbajë seancë sot në orën 20:00, me kërkesë të kryeministrit Hashim Thaçi. Gjatë kësaj seance të jashtëzakonshme, Thaçi do të raportojë për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar të premten. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare dërguar kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, i ka kërkuar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për ditën e diel, duke filluar në orën 20:00. “Kërkesa është bërë në pajtim me nenin 69 paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, si dhe në përputhje me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në  komunikatën e zyrës së kryeministrit. Gjatë kësaj seance të jashtëzakonshme, kryeministri Thaçi do të raportojë për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar më 19 prill 2013 në Bruksel. “Marrëveshja e përafruar nga të dy kryeministrat është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrimin formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dy vendeve më së largu ditën e hënë, më 22 prill 2013”, përfundon komunikata. / Koha.net

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *