Koçi Xoxe: Me porosi të jugosllavëve, Nakon e shpalla armik. Synimi, ishte eliminimi i Enver Hoxhës

anazapta

Ekskluzive / Gjyqi ndaj Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve. Dokumente dhe dëshmi të të pandehurve për skenarin jugosllav për shpalljen ‘armik’ të Nako Spiros, me objekt eliminimin e Enver Hoxhës, goditjen e Mehmet Shehut dhe largimin e tij nga drejtimi i ushtrisë.

 

“Enver Hoxha e urdhëroi Nakon të mbajë një fjalim në Selitë ku të përmendë ‘miqësinë Shqiptaro-Jugosllave’. Por Nako më tha se unë nuk do e përmend miqësinë. Këtu shtova luftën ndaj Nako Spiros duke e akuzuar si armik e anti-jugosllav”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Debatet mes prokurorit të çështjes e të pandehurit kryesor Koçi Xoxe në lidhje me dokumentet dhe dëshmitë për vënien e tij në shërbim të jugosllavëve me synim goditjen (shpalljen “armik”) të Nako Spiros si një nga besnikët e Enver Hoxhës, goditja e Mehmet Shehut nëpërmjet largimit të tij nga drejtimi i ushtrisë, ngritja e kultit të Xoxes si Nr. 1 në Shqipëri dhe bashkërendimin me zbuluesit jugosllavë, mbyllin ditën e tretë të gjyqit ndaj Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të tjerë të akuzuar për “Veprimtari armiqësore kundër Partisë e popullit”. Me porosi të jugosllavëve, Nakon, një nga më të besuarit e Komandantit (Enver Hoxhës) e shpalla armik. Synimi ishte eliminimi i Enver Hoxhës. Mehmet Shehun e hoqëm nga ushtria dhe e dërguam në ekonomi, ku nuk kishte asnjë ndikim, ishte i mënjanuar…” -deklaron mes të tjerave në këtë seancë i pandehuri Koçi Xoxe…

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë seancën. I pandehuri nuk pranon relacionin e Mehmet Shehut mbi ushtrinë, po përkundrazi, thotë se Mehmeti nuk jep garanci për të qëndruar në ushtri dhe kur u dërgua në Ministrinë e Komunikacionit, i tha Partisë se nuk ka ndreqje.

(Me këtë rast, prokurori lexoi deklaratat e të pandehurit në Byro për bashkëpunimin e ngushtë me jugosllavët; deklaratën e tij në Byro mbi pikëpamjet borgjeze të Nako Spiros; deklaratën në Byro në datën 30.12.1947 që ka thënë se në këtë vijë të Nakos, Enver Hoxha u gjet i pari, se tek Nako dhe Enveri dilte çështja e indipendencës, ata janë pjesa armike që pas Nakos, kanë vulën; deklaratat në Byro mbi përgjegjësinë e të gjithë shokëve që kanë mbështetur punën e Nakos; deklaratat e tij në Byro ku ka thënë se do shkatërrojmë një vijë të tërë; deklaratat mbi çështjet e avangaurdizmit të Qemal Stafës e Nako Spiros, ku si konsekuencë e saj ishte heqja e fotografisë së Qemalit nga një qendër pune; deklarata në Byro ku ka thënë se Nako është agjent, deklarata që puna e Nakos ka qenë një fraksion i madh në kokën e Partisë; deklaratat e tij në Byro ku ka thënë se baza e marrëdhënieve tona me Jugosllavinë është që të shkojmë drejt bashkëpunimit e vëllazërimit; deklarata ku thotë se nuk është çështja që Shqipëria të marrë një kredi dhe të bëjë si t’i pëlqejë asaj; deklarata që edhe Mehmet Shehu kishte frikë si dhe Nako për bashkëpunimin me jugosllavët; deklarata që Nako kishte thënë haptazi se po të veprohet kështu, do të humbasim indipedencën; deklaratën ku thotë se po të veprohet kështu do të humbasim indipedencën; deklaratën që thotë se duke shtypur Nakon dhe fraksionin e tij ne armatosim Partinë; deklarata që pohon se duhej më parë të bisedohej me jugosllavët dhe pastaj me sovjetikët, se me sovjetikët mund të bisedohej në mënyrë zyrtare kurse për punë Partie ishte e domosdoshme të bisedohej me jugosllavët; deklaratën ku thotë se duke pasur besim të madh tek jugosllavët, ai ka munguar të marrë eksperiencë nga sovjetikët; deklarata se u tregua me besim të dobët, se Nako kërkonte ndihmë nga shokët sovjetikë; deklarata të nxjerra nga proceset e Byrosë datë 30.12.1947 që Partia të mos bjerë në duar të sëmura.

 

Prokurori: -Siç shihet, shokë gjyqtarë, për të pandehurin, edhe të vdekurit ishin kundërshtarë. Ai kundërshtonte dhe heroin Qemal Stafa, e fakti është që fotografia e këtij heroi, u hoq nga qendër pune.  Edhe Skënderbeu i bënte hije të pandehurit Koçi Xoxe. Për këtë, asnjeri dhe asgjë nuk kishte vlerë, as patriotët e vjetër, as punëtorët e ndershëm të shkencës dhe kulturës, arsimtarët që me mundim e sakrifica shpinin dritën e dijes në kasollen më të humbur, patriotët e sinqertë që janë shkri për atdhe. Ky është Koçi Xoxe dhe këtë koncept ka pasur ai për indipendencën e vendit tonë…

 

Kryetari(Frederik Nosi): -I pandehur, që kur i kanë filluar sabotimet trockistët jugosllavë?

 

Koçi Xoxe: -Sabotimet e tyre u zbuluan pas informacionit të Inform-Byrosë.

 

Kryetari: -A di gjë ti i pandehuri Nuri Huta në lidhje me një fjalim që do të mbante Shefqet Musaraj në Kongresin e Shkrimtarëve në Berat në emër të shkrimtarëve shqiptarë, fjalim të cilit i keni hequr disa pjesë me telegram që këtej?

 

Nuri Huta(I pandehur): -Unë nuk di se çfarë pjese e këtij fjalimi është hequr. Por di se kam folur në telefon me Shefqet Musarajin që ndodhej në Beograd që të shkurtonin ato pjesë të fjalimit dhe të ngrinin çështje aktuale. Mundet që pjesët e hequra t’i referoheshin luftës heroike të Vlorës me Selam Musanë. Derisa kemi thënë që të shtohen gjëra të tjera aktuale, sigurisht që këto pjesë do të jenë hequr. Urdhri qe, e unë kam folur në telefon…

 

Prokurori: -Dihet tani më botërisht se flamurtar për Plenumin e VIII-të ka qenë i pandehuri Koçi Xoxe. Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci, a ka qenë Koçi flamurtar i këtij Plenumi dhe si doli Koçi nga ai Plenum?

 

Vaskë Koleci(I pandehur): -Unë, nga leximi i krejt materialit të Plenumit të VIII-të dola me përshtypjen se në atë Plenum, Koçi doli flamurtar dhe shpëtimtar i Partisë dhe i vendit…

 

Vango Mitrojorgji(I pandehur) -Edhe unë atë përshtypje kam, se në Plenumin e VIII-të, Koçi i dha tonin dhe në Shkollën e Partisë, u vendos fotografia më e madhe e të pandehurit në ballë.

 

Pandi Kristo(I pandehur): -Në Plenumin e 8-të Koçi doli fitimtar. Është turp që ai të thotë se doli i goditur nga ai Plenum. Të goditur dolën Nako, Liria, Mehmeti dhe shoku Enver.

 

Koçi Xoxe: -Për sa i përket çështjes së indipendencës së vendit, unë këtë e kam çmuar që në vogëli. Por unë i shikova gjërat nën prizmin e një vëllazërimi ndërmjet Shqipërisë, Jugosllavisë e Bullgarisë dhe këtu ka qenë gabimi im. Se vetë Partia Bolshevike na kishte thënë që çdo gjë ta bëjmë me anën e Partisë Komuniste jugosllave dhe këtë na e ka thënë shoku Petrov.

 

Prokurori: -A nuk ke ti përgjegjësi si më i predispozuari në shërbim të jugosllavëve që me veprën tënde i ke futur thikën pas shpine Partisë dhe vendit. Këtë s’ke si e mohon i pandehur, se këto gjëra i di i gjithë populli?

 

Koçi Xoxe: -Në lidhje me bashkëpunimin me jugosllavët unë kam përgjegësi si më i predispozuari…

 

Prokurori: -Të merren shënim shokë gjyqtarë, se Koçi Xoxe nuk do të thotë asgjë për Titon dhe nga salla e këtij gjyqi kërkon ta mbrojë Titon. Të na thotë i pandehuri, pavarësisht nga letrat e VKP(b) ose jo, këto marrëdhënie me Jugosllavinë a ishin kolonizatore a jo?

 

Koçi Xoxe: -Po, në fakt, këto marrëdhënie ishin shfrytëzuese, kapitaliste.

 

Prokurori: -A e ke goditur ti Nako Spiron pse luftonte këto marrëdhënie kapitaliste?

 

Koçi Xoxe: -Po, Nakon e kam goditur se nuk ishte për marrëdhënie me Jugosllavinë.

 

Prokurori: -Prandaj e ke cilësuar ti Nakon si armik?

 

Koçi Xoxe: -Në atë kohë, e akuzova Nakon se shpinte këto marrëdhënie në rrugë nacional-borgjeze dhe prandaj e cilësova si armik të popullit

 

Prokurori: -Ta thotë i pandehuri Pandi Kristo si u cilësua Nako nga i pandehuri Koçi Xoxe?

 

Pandi Kristo: -Nako u cilësua si agjent.

 

Koçi Xoxe: -Letrat e Partisë Bolshevike, për sa u përket marrëdhënieve me Jugosllavinë, të tërë i kuptuam për një herë vetëm për çështjen e brendshme. Unë kisha dyshime që në fillim.

 

Prokurori: -Çfarë konkluzioni nxore ti për Nakon në marrëdhëniet me Jugosllavinë?

 

Koçi Xoxe: -Unë dyshova se në korrik të vitit 1947, Komandanti e kishte porositur Nakon të vinte në Selitë dhe të mbante një fjalim në të cilin të theksonte marrëdhëniet vëllazërore me Jugosllavinë dhe ai tha se nuk do të them kështu. Po kështu, një dyshim formova kur Nako nuk donte të shkonte në Jugosllavi.

 

Prokurori: -Në qoftë se marrëdhëniet tona me Jugosllavinë luftoheshin se ishin në frymë kapitaliste, a ishte e drejtë që Nako të cilësohej tradhtar?

 

Koçi Xoxe: -Jo, nuk ishte e drejtë. Por vetëvrasja e Nakos më shtoi besimin se i bënte me qëllim ato.

 

Prokurori: -A di ti i pandehur që anëtarë Partie të kenë vrarë veten?

 

Koçi Xoxe:- Unë di një rast të Sali Buxhelit.(Pastaj tha se ka dëgjuar edhe për një tjetër që kishte humbur triskën, si dhe për një ushtar roje kufiri).

 

Prokurori: -Kush e goditi Nakon me forcë?

 

Koçi Xoxe: -Për ta goditur, më me forcë e godita unë dhe pastaj vinte Sekretari i Përgjithshëm, Enver Hoxha…

 

Prokurori: -Po Sekretari i Përgjithshëm(Enver Hoxha), a nuk hëngri dhe ai dru?

 

Koçi Xoxe: -Në qershor të vitit 1946, Sekretari i Përgjithshëm Enver Hoxha paraqiti tezat për revizionimin e Beratit.

 

Prokurori: -Në vijën politike, çfarë përmbanin këto teza të Sekretarit të Përgjithshëm?

 

Koçi Xoxe: -Përmbanin çështjen që Velimir Stojniçi kishte goditur vijën e Partisë, unitetin e udhëheqjes, Sekretarin e Përgjithshëm dhe shokë të tjerë. Çështja tjetër ishte ajo e Sejfulla Malëshovës që kërkonte të dilte në krye… Sejfullai nga njëra, Nako nga ana tjetër dhe kështu, ai nuk kishte besimin që duhej. Ishte dhe çështja e spostimit Parti-Pushtet, ishte çështja Rini-Parti, kush e kishte vijën më të drejtë.

 

Prokurori: –Po, goditja e autoritetit të Sekretarit të Përgjithshëm a kishte të bënte me punën tënde në Berat?

 

Koçi Xoxe: -Po, pasi kisha pranuar kritikat e Velimir Stojniç në Berat.

 

Prokurori: -Goditja e Sekretarit të Përgjithshëm (Enver Hoxhës) a ka lidhje me punën që ke bërë ti me Velimir Stojniç në Odriçan dhe me Pandin e Velon në Berat?

 

Koçi Xoxe: -Po, ne kemi qenë mbështetje për goditjen.

 

Prokurori: -Nga kjo goditje e udhëheqjes a ka pas dëm Partia dhe Pushteti?

 

Koçi Xoxe: -Po, është dëmtuar puna e Partisë dhe Pushtetit…

 

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshminë e të pandehurit Koçi Xoxe në gjyq: Çfarë kam biseduar në fshehtësi me Safet Filipoviçin për rrjetin spiunazh jugosllav në Shqipëri dhe si u operua në këtë drejtim.

-Dëshminë e të pandehurit Nuri Huta lidhur me aktivitetin e tij në Jugosllavi si ndërlidhës i Koçi Xoxes dhe si ndryshoi situata me vajtjen e Hysni Kapos në Beograd.

-Akuzat e Prokurorit dhe dëshmitë e të pandehurve lidhur me mënjanimin e propagandës në opinion për Enver Hoxhën dhe zëvendësimin me figurën e Koçi Xoxes.

Share This Article
4 Comments
  • Do ti lutesha gazetarit Borici,qe te fotokopjoje dosjet e ketij gjyqi,dhe per ti botuar ashtu sic jane,ne rast se bazohen keto shkrime te kesaj gazete,ne fakte!
    Do te ishte e besueshme nga cdo lexus,sidomos nga shumica,qe sot e kesaj dite,akoma besojn qe Udheheqsi i tyre i dikurshem Enver Hoxha, ish si nje “Fanar ndricus” per Shqiperine?!
    Une konkretish do te pranoja planin e Xoxes,si pjes e nje platforme qe do ti sillte Shqiperise nje Emer ne mbar boten,edhe pse nen Trysnin e Titos,por te bashkuar si Komb,natyrisht per ket federate jan ftuar edhe bullgaret,qe per mendimin tim Tito dhe Xoxe kan luftuar Nacionalizmin,si i demshem per zhvillimet Ekonomike te asaj kohe,por edhe te kohes se sotme!
    Kjo esht e vlefshme per shum Kosovare,qe i quajn Ortodokset Shqiptare si Tradhetare,nen opsionin Diktatorial te Nje njeriu te hetur per pushtet,qe ka drejtuar ter potencialin mendor e poshtersit,ne funksion te postit,qe per 45 vje t Pushkatoj e varferoj e shkateroj nje komb!
    Integrimi ne nje shoqeri Europiane,ne vecanti i te gjith politikes mbar Shqiptare,duke u nisur nga Divergjenca te medha ideologjike, mes permes Kombit,te Oksidentit ndaj Orientit do te sheshonte njeher e mir luften per pushtet,qe esht zhvilluar nepermjet shqiptarve ne mes te kombit,dhe do ti jepte ketij kombi ate qe shum Shqiptare jan persekutuar e pushkatuar per bindje te nje lirie,qe edhe sot nuk arin ta perjetojn,edhe pse ne emerin” Demokraci”!

    • Beni, per kete koment u nise nga qenia e Koci Xoxes ortodoks dhe jo nga qenia e tij si shqiptar dhe mendon se Koci e kuptonte se nen Jugosllavine do te vinte zhvillimi dhe prosperiteti i shqipetareve.

      Sipas ketij arsyetimi i bie qe te gjitha lufterat qe populli yne dhe popujt e tjere kane bere ne shekuj per liri e pavaresi kane qene te kota, se do te ishte me mire te nenshtroheshin.

      Ky eshte nje arsyetim foshnjor,inatcor, i njeanshmen,hakmarres dhe aspak realist.

      Faktet kane vertetuar te kunderten…..

      Ne cdo kohe e ne cdo vend, ata qe bashkohen me pushtuesit quhen TRADHETARE. I tille ishte edhe Koci Xoxe e te tjere…..

      • Nuk e di qe Jugosllavia,te ket pushtuar Shqiperine,ne te gjitha kohet e ekzistences se saj!
        Jugosllavise ju dhurua Kosova dhe nje pjes e maqedonise,nga fuqit e medha te kohes ne 1913!
        Kur nje vendi i dhurohet nje toke,dikush duhet edhe ta mbroje,natyrisht esht e veshtir per ne Shqiptaret,qe ta akceptojm token e dhuruar,nga tjeter kush,dhe e kemi quajtur te padrejte?!
        Sot jemi ne nje kohe te re,por me njerez te mencur,ashtu si Koci Xoxe dikur,qe kerkojm ti bashkengjitemi UNIONIT EUROPIAN ashtu si dhe ideja e Xoxes ndaj UNIONIT te Jugosllavise,si me te perparuar,duke pare se ne mes vete, ne shqiptaret kemi kontradita te medha ideologjike,ne lufte per pushtet!
        Kete po e tregon koha,kur shum shtete kan mare statusin apo kandidat per ne Europen e bashkuar,kurse politika e Tiranes,me ne krye udheheqsit kryesore te saj,deri diku po vertetojn se jan ashtu si Enver Hoxha,qe te jen te pa varur ne lidhje me politikat sociale-ekonomik- politike te Vendit!
        Pra antarsimi ne EU esht nje lloj ashtu sic kerkonte Enveri,qe pushtetin ta bente ashtu sic desheronte ai vete,per politiken e Sali Berishes!
        Pra Orienti si ideologji te pushoj se vepruari e te menduari ne Europen e Krishtere si nje fenomen negativ ne cdo marveshje politike-ekonomike per gjith popullin Shqiptar!
        Te mendojm ashtu si mendojn Europianet,e jo ne Europ e mendjen ne Orient!
        Ky i fundit perfaqson interesa te tjera politike-ekonomike te nje rajoni tjeter e jo atij Europianizuese!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *