Shtëpia botuese “M&B”, e drejtuar nga Bujar Karoshi, dhe shtëpia botuese “Naimi” ( www.botimenaimi.com ), ditën e shtunë, 14 maj 2016, dhuruan një sasi librash të përzgjedhur për shkollën 9-vjeçare “Zylyftar Veleshnja” dhe gjimnazin “Ramis Arantasi” të qytetit të Çorovodës.
Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në mjediset e gjimnazit të njohur të Skraparit me praninë e drejtuesve, mësuesve dhe nxënësve të shkollave si edhe drejtuesit e shtëpive botuese të sipërcituara.
Librat e përzgjedhur si dhuratë janë kryesisht të fushës së historisë dhe letërsisë; një pjesë e tyre janë vlerësuar nga Ministria e Arsimit si literaturë ndihmëse për arsimin parauniversitar dhe bibliotekat e tyre.
Autorë të tyre janë personalitete të albanologjisë dhe arsimit shqiptar si prof. Kristo Frashëri, prof. Shaban Demiraj, prof. Shaban Sinani, prof. Matteo Mandalá, prof. Francesco Altimari, prof. Irakli Koçollari, prof. Agron Tufa etj., ndërsa problematika e librave jane historia dhe kultura shqiptare, përfshi studime dhe analiza për veprën e I. Kadaresë, D. Agollit, Fan Nolit, M. Camajt, M. Kutelit etj., apo vepra për etnosin, historinë, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
