Trump i përgjigjet Cameron: Nuk jam budalla si Obama

Elton Tafaruci

Kandidati republikan për President Donald Trump ka deklaruar se dëshiron të bashkëpunojë me Kryeministrin britanik David Cameron pavarësisht se zyrtari britanik i ka ofenduar, duke i vënë epitete si budalla dhe përçarës për shkak të qëndrimit të miliarderit ndaj myslimanëve.

“Siç duket nuk do të kemi marrëdhënie shumë të mira, kush e di, unë shpresoj të krijoj raporte të mira me Cameron por duket sikur ai nuk ka shumë dëshirë të merret me këtë çështje” ka thënë Trump gjatë një interviste me Piers Morgan që pritet të transmetohet e plotë gjatë ditës së sotme.

Kryeministri Cameron ka deklaruar më herët se nuk do ti kërkonte falje Trump për fjalët që tha ndaj tij, menjëherë pas deklaratave të republikanit se do të ndalonte hyrjen e çdo myslimani në SHBA nëse fitonte zgjedhjet presidenciale.

“E para unë nuk jam budalla, përkundrazi. E dyta nuk jam përçarës, por jam unifikues, ndryshe nga Presidenti amerikan Obama”, nënvizoi Trump.

Gjatë intervistës, Trump po ashtu ka deklaruar se largimi i Britanisë nga Bashkimi Europian nuk do të bëjë asnjë ndryshim në marrëdhëniet mes dy vendeve, nëse ai zgjidhet President i SHBA.

Për këtë çështje, Presidenti amerikan Obama ka opinion krejt të kundërt dhe u ka kërkuar britanikëve të mos largohen nga BE.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *