Një javë që vlen sa një sezon i tërë. Kjo që sapo ka nisur do të jetë java më e rëndësishme për Kukësin, pasi në vetëm 4 ditë skuadra e Klodian Duros do të luajë fatet e sezonit. Nga sigurimi i vendit të tretë në kampionat te triumfi i mundshëm në finalen e Kupës së Shqipërisë, dy objektiva që në kampin verilindor dëshirojnë ti arrijnë me çdo kusht, por nga ana tjetër e dinë shumë mirë që nuk do ta kenë të thjeshtë.
Rivalët e Kukësit do të jenë Tirana dhe Laçi, dy ekipe që ja kanë dalë ti frenojnë verilindorët në shumë raste gjatë sezoneve të fundit. Të mërkurën të besuarit e Klodian Duros do të presin në “Zeqir Ymeri” Tiranën e Ilir Dajës, një kundërshtar ndaj të cilit janë mundur në dy herë në këtë kampionat, ndërsa në një rast janë ndarë në barazim.
Te Kukësi gjatë kësaj periudhe është ndierë edhe lodhja për shkak të kalendarit shumë të ngjeshur, pasi verilindorët kanë qenë të angazhuar në dy kompeticione. Edhe dëmtimet disa futbollistëve titullarë kanë bërë të vetën. Gjithsesi optimizmi në kampin kuksian është i madh përpara këtyre dy sfidave.
Trajneri Duro do të dëshironte shumë që në takimin e të mërkurës ndaj Tiranës për kampionat të linte pushim një pjesë të mirë të futbollistëve titullarë në mënyrë që këta të fundit të ishin sa më të freskët për finalen e Kupës ndaj Laçit, por siç la të kuptohet vetë tekniku 38-vjeçar në emisionin Gol Pas Goli në përfundim të sfidës ndaj Tërbunit diçka e tillë është e pamundur.
Kjo për vetë faktin se edhe ndeshja kundër Tiranës ka një rëndësi të veçantë për Kukësin, pasi në lojë është ende vendi i tretë në kampionat. Bardheblutë dhe Laçi janë dy rivalë shumë të vështirë, por pavarësisht kësaj te Kukësi janë të bindur se do ti bëjnë mbylljen më të mirë këtij sezoni.
