Përfaqësuesi i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë, Indermit Gill, i cili pak muaj më parë ishte dhe në vendin tonë, ka deklaruar në takimin vjetor të Ëashingtonit se perspektiva për rritjen ekonomike në Ballkan është e errët dhe e paqartë. Gjatë një takimi me kryeekonomistët dhe ekspertët rajonalë të Bankës Botërore, Gill është shprehur se “shikoni se çfarë po ndodh në Shqipëri, Serbi dhe Bullgari. Këto vende kishin lidhje të ngushta me Greqinë dhe Italinë, lidhje në tregti, sistemin bankar dhe në tregun e punës. Për shkak të kësaj, këto ekonomi tashmë kanë perspektivat më të këqija për rritjen ekonomike”. Kryeekonomisti i Bankës mendon se kriza europiane ka sjellë një realitet të ri. “Në të shkuarën thuhej se sa më larg Brukselit të ndodheshe, aq më keq ishte. Tani kjo ka ndryshuar. Sa më afër Athinës të jesh, aq më keq është”, ka deklaruar Gill. Sipas Gill, në pesë vitet e krizës, Shqipëria ka mundur të shmangë recesionin. Rënia e kërkesës së brendshme dhe tkurrja e investimeve private është kompensuar falë ecurisë së mirë në sektorin e jashtëm, kryesisht eksporteve dhe investimeve të huaja. Sipas Komisionit Evropian, në 2012-ën, Shqipëria së bashku me Turqinë dhe Kosovën, ishin tre vendet e vetme në rajon që mbajtën rritje ekonomike pozitive, teksa të gjitha vendet e tjera u rikthyen në recesion. Por, e ndrydhur mes Greqisë dhe Italisë, dy ekonomi që janë shndërruar në epiqendrën e krizës europiane, ekonomia shqiptare po humbet rezistencën.
