Dje, dita e reagimeve publike mes historanit dhe akademikut. Xhufi: “Fuga, komunisti me 30 doktoratura në vit…”. Fuga: “U prekën ithtarët e akademisë sovjetike”.
Një intervistë e prof.Pëllumb Xhufi në DITA për gazetarin Xhevdet Shehu, botuar më 10 maj, kishte në fokus Akademinë e Shkencave dhe dhe katandisjen e saj aktuale, si pasojë e një “reforme” të vitit 2007 që nxorri në rrugë shumë specialistë e shkencëtarë të instituteve të ndryshme që vareshin nga Akademia. Është një gjendje që vazhdon edhe sot dhe duket se nuk e shqetëson shumë qeverinë aktuale.
Si reagim ndaj kësaj interviste, akademiku Artan Fuga ka bërë një shënim në gjatë në faqen e tij në facebook, ku duke iu drejtuar gazetarit Shehu si intervistues, në fakt e kishte me z.Xhufi. Sipas Fugës, akademia para 2007-s ishte “veçse një karakatinë, me të gjitha institutet e saj në gjendje të vajtuar, një ngrehinë sovjetike, e plakur, e ngurtësuar ideologjikisht, jashtë kohës, e drejtuar nga persona që abuzonin me pozitën e tyre në kryesinë e saj” etj. Gjithsesi, Fuga sqaron se nuk ka marrë pjesë në përgatitjen e reformës së 2007-s, por në procesin e mëpasshëm.
Në vijim, DITA botoi dje reagimin e Besnik Gjongecajt ndaj intervistës së Xhufit, nuk mungojnë disa etiketime që vetë Xhufi i trajton në këtë përgjigje që po botojmë. Gjongecaj deklaron se ishte pjesëmarrës kryesor në hartimin e reformës së 2007-s,por “jo në zbatimin e saj të mëpasëm”, për të cilën bie dakord se nuk është zbatuar siç ishte hartuar.
Një përgjigje për dy replikuesit, Pëllumb Xhufi e dha dje në DITA. Ndërkaq dje pasdite, z.Xhufi ishte i ftuar për një intervistë në emisionin Zululand në Tema Tv. Në fokus ishte padyshim edhe debat i DITA-s. Xhufi iu përgjigj sërish publikisht Fugës, pas enumeracionit të etiketimeve si “komunist, hoxhist, pseudoshkencëtar” etj. Xhufi shpjegoi faktin se ai vetë nuk ka qenë anëtar partie, ndërsa Fuga po.
“Unë kam pasur babain komunist, nënën komuniste. Por mua nuk më kanë lejuar të më thoshin që jemi ne. Edhe unë nuk u bëra anëtar partie, ndërsa Fuga po”, tha Xhufi në studion e Zululand. Gjithashtu historiani shtoi se Fuga ende nuk e pranon që universiteti është bërë një qendër mediokriteti. Madje më tej, si një kundërpërgjigje ndaj Fugës, Xhufi shtoi: “Ai e kundërshtoi që në fillim idenë e reformës, ishte i kënaqur me gjendjen e këtij universiteti, ai drejton 30 doktoratura menjëherë, ndërsa unë vetëm 1 në vit. Llogaritni dhe paratë që merr për çdo doktoraturë. Korrupsioni ka pushtuar universitetin dhe janë kapur me presh në dorë por i kanë gjëra të vogla”.
Sipas Xhufit, reforma në Arsim nuk e zgjidh problemin për të hequr nga sistemi arsimor njerëzit që kanë 25 vite që e drejtojnë.
Por kush është arsyeja që politika kërkon të kapë sistemin arsimor dhe gjithmonë fut hundët në punën e saj? Xhufi tha se politikës gjithmonë i ka interesuar duke marrë një shembull konkret që tregon kapjen e sisitemit të drejtësisë.
“Është një zgjedhje e zgjuar. Berisha vite më parë ka kapur Fakultetin e Juridikut. Kam të dhëna nga Partia Demokratike që Berisha ka punuar shumë fort për ta kapur këtë fakultet, sepse aty dalin juristët, avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët. Kështu ka ndodhur me të gjithë Universitetet”, tha Xhufi.
Historiani tregoi edhe për librin e historisë që aso kohe u bë nga Beqir Meta. Ai tha se ishte një dramë për historinë. “Ishte një shtrembërim total i historisë. Historianët duhet të bënin vetvrasje”, tha më tej Xhufi.
Ndërkaq akademiku Fuga pa patur dje dy reagime në FB, që vijojnë këtu. I pari, pas replikës së historianit në DITA, dhe i dyti pas intervistës së pasdites në Tema Tv.
Reagimi 1: Fale Zot se nuk di se ç’bën!
Nga Artan Fuga
Lexoj se Pëllumb Xhufi më paska kërkuar falje sot në DITA sepse dikur më kishte akuzuar pa të drejtë se kisha qenë inicues dhe frymëzues i reformimit të Akademisë të Shkencave në 2007.
Do ta kisha dashur të isha, por ja që nuk ma vuri njeri këtë detyrë atëhere!
E kam falur!
Madje e kisha falur që përpara sesa ai të kërkonte falje sipas shprehjes : Fali Zot se nuk dinë çfarë bëjnë!
Mirëpo, Pëllumb Xhufi paska konstatuar në shënimet e mia, të botuara nga unë vetë, se unë nuk paskam qenë iniciator e frymëzues, por zbatues i reformës në Akademi në 2007 !!!
Pikërisht atëhere kur unë nuk isha fare antar i Akademisë dhe askush nuk më qaste atje as te dera.
Kam pasur dyshime si i interpreton tekstet dhe dokumentet Pëllumb Xhufi. Por këtë rradhë shoh se ka shfaqur edhe probleme të rënda në leximin e tyre.
Unë kam deklaruar vetëm se kam qenë pjesë e komisionit që ushtroi kontroll mbi institutet e albanologjisë dhe gjeta atje një gjendje katastrofike që e përmban raporti i botuar prej meje pikërisht për transparencë për publikun.
Por, meqë nga Ministria e Arsimit e asaj kohe u pranuan konstatimet por jo rekomandimet e atij raporti, unë nuk pranova për pasojë dhe publikisht të isha pjesë e bordit drejtues të Qendrës të Studimeve Albanologjike.
Këtë quan bashkëpunim në aplikim të reformës për një institucion Pëllumb Xhufi!!!
Të mos pranosh të bëhesh pjesë e një institucioni???
Fale Zot se nuk di se çfarë po bën!
Kush merrte pjesë në institucion, unë, që isha në punët e mia në universitet, apo ai si pjesë e elitës të dikurshme dhe të sotme të QSA?
Sqaroj, se për për reformimin e shkencës apo edhe të Shqipërisë, unë jam gati gjithmonë të bashkëpunoj me qeveritë shqiptare sa herë më përputhen me forca politike, qoftë edhe pjesërisht mendimet dhe idetë për një çështje ose fushë, ose edhe t’i braktis, e të iki në punët e mia, sa herë shoh gjëra që nuk përputhen me bindjet e mia.
Le të jenë ato të të gjitha ngjyrimeve politike, mjafton të kenë ardhur në mënyrë legjitime në pushtet, me votat e shqiptarëve. Bashkëpunoj sikurse jam kritik pa paragjykime. Sikurse iki në punën time!
Sepse shkenca, sikurse cdo pjesë tjetër e shoqërisë, qeveriset nga politika në planin shtetror.
Kjo është demokracia e epokës sonë. Nuk dilet jashtë saj.
Nuk ka ardhur ende ajo kohë kur politika të qeveriset administrativisht nga shkenca dhe jo shkenca nga politika.
E deri sa të presim atë çast fatlum, sakohë qeveria në funksion në një periudhë të caktuar përfaqëson vullnetin administrativ të shqiptarëve, nuk ka rrugë tjetër, veç bashkëpunimit me sinqeritet me të, por me kusht ruajtjen e pavarësisë individuale dhe të drejtën e kritikës.
Duke e falur përsëri dhe përsëri Pëllumb Xhufin, duke i falur edhe gabimet që do të bëjë në të ardhmen nga padurimi e nxitimi, i kërkoj unë ndjesë publikut duke i marrë kohën, e premtoj se kurrë më nuk do të merrem me këtë person në dialogje në media. Kam shumë punë të tjera dhe koha nuk pret!
Reagimi II: Shpifjet e Xhufit si strategji uzurpimi e Akademisë të Shkencave
Nga Artan Fuga
Vazhdojnë gënjeshtrat edhe shpifjet e Pëllumb Xhufit kundër meje. Por, unë kam vendosur nuk do të merrem me të sepse i bëj mirë.
Sa më shumë ta injorosh këtë tip aq më shumë shpif dhe kalon në monstruozitete. E ka humbur krejt toruan në misionin që ka marrë apo i kanë dhënë….
Nga më të fundit që mund të verifikohet fare lehtë: Fuga, deklaron ai pa pikë turpi, ka në udhëheqje tridhjetë doktoratura.
Hahahaha. Sikur t’i kisha pasur!!!
Jo tridhjetë, por asnjë më shumë sesa ka kërkuar ligja në vit.
Dhe paskam qenë paguar për to. Jo more? Por, unë do të isha bërë milioner.
Gjej o Pëllumb gjej sa doktorantë pranonte shkolla doktorale që drejtonte Fuga në vit dhe do ta shohësh!
Mjerë historia pêr historianin shpifës.
Diçka e ka pickuar. Diçka ka dashur me pasion që unë i jam bërë pengesë. Diku plani i grupit nuk ka ecur.
Pengesa jam bërë unë që kritikova gjendjen ku ndodhet akademia e shkencave dhe trashëgiminë e saj totalitare. Që kërkoj një reformim nga brenda të akademisë dhe jo një kapitullim të saj përpara arrivistëve që duan të rimarrin kështjellat e humbura, fatkeqësisht të sabotuara edhe më pas sipas një strategjie fare të qartë.
U preka mitin. Merri pasurinë dikujt, nuk të vret mbase. Merri edhe nderin, mbase nuk të vret!
Sulmoju mitin – të hidhen në fyt dhe humbasin krejt logjikën dhe flasin përçart.
Këtu më ka, madje edhe miqtë e tij që duket se duan të uzurpojnë institucione, poste, të kapin me forcë si të fortët e rrugës (duke propozuar në shkëmbim mbrojtje) të gjitha hallkat e shoqërisë për t’i trashëguar, duke zhvilluar nostalgjinë hapur për shkencën sovjetike.
Ta harrojnë!
