Shëndetësia elektronike do të sjellë një shërbim sa më transparent për pacientët shqiptarë, por do të ngushtojë edhe hapësirat për korrupsion.
Këtë deklaratë, ministri i shëndetësisë e bëri Ilir Beqaj, gjatë një vizite që kreu në Spitalin Rajonal të Elbasanit ku ka mirëpritur Nëndrejtorin e Përgjithshëm të USAID-it për Evropën dhe Euroazinë, Thomas Melia dhe Drejtorin e Programit të USAID-it për Shqipërinë, Marcus Johnson.
Beqaj bëri me dije se investimet në sektorin e shëndetësisë do të vazhdojnë si në infrastrukturë, ashtu edhe në burime njerëzore, ndërsa theksoi se shërbimi i Telemjekësisë ka shkurtuar distanca dhe barriera.
“Shëndetësia Elektronike, Telemjekësia na bën të mundur të rrëzojmë apo të shkurtojmë barriera financiare apo distanca gjeografike, dhe padyshim bëjmë të mundur që edhe mjekët specialistë në Spitalin Rajonal të Elbasanit të mund të vendosin diagnoza më të sakta, në mënyrë që të përcaktojnë edhe terapi më efektive.
Unë besoj se Shëndetësia Elektronike na ndihmon që të rrëzojmë ca barriera administrative, të ofrojmë shërbim më transparent.
Ky aktivitet sot përkon edhe me Javën e Inovacionit që po zhvillohet nga qeveria shqiptare, dhe praktikisht sot, shërbimet online për të qenë më pranë qytetarëve, për të shmangur radhë, për të administruar radhë më transparente janë sot shumë më të përhapura”, tha Beqaj gjatë fjalës së tij.
Po ashtu, ai vlerësoi rolin e infermierëve në sektorin e shëndetësisë, duke pohuar se përgjatë këtyre dy viteve të fundit ata nuk janë më vetëm shkrues dhe referues për pacientin, por janë profesionistë të vërtetë në përdorimin e teknikave modernë në shëndetësi.
Sa i përket Telemjekësisë, kreu i shëndetësisë pohoi se gjatë katër viteve të fundit, përdorimi i kësaj teknike për vendosjen e diagnozave apo konsultave në distancë ka sjellë edhe një kursim të parave në sektorin shëndetësor si dhe një hap drejt mbulimit universal.

eh hajduti me cizme flet per shendetesine