Evropa duket se do të shkojë së shpejti drejt një rimodelimi. Që prej hyrjes në kriza të shumëfishta, kjo ide po përforcohet gjithnjë e më shumë. Një sërë zërash, me kontribut të veçantë në projektin politik evropian, por edhe në përforcimin e tij, kanë kohë që apelojnë për rishikim të projektit evropian.
Fillimi i këtij viti do të shoqërohej me një reagim të fortë, të njërit prej të urtëve të Evropës, belgu 83 vjeçar, Etjen Davinjo. Ish bashkëpunëtori i ngushtë i një prej baballarëve të Evropës, Pol-Henri Spak, do të lëshonte britmën e alarmit, mbi një Evropë që nuk po funksiononte më. Duke kërkuar dalje nga kriza, nëpërmjet një rimodelimi të projektimit evropian. Rimodelim dhe thellim të integrimit, me ato vende që kanë dëshirë, motiv dhe vullnet për të ecur së bashku. Një skemë, që korrespondon në linja të përgjithshme me projektin e Evropës së thelluar të dy klasave. Ku secili vend të mund të aderojë sipas ritmit dhe vullnetit përkatës.
Pas thirrjes për dalje nga kriza të Davinjo, një prej njohësve më të mirë të Evropës, do të ishte ish kryeministri i Italisë, Mario Monti, që do të reagonte publikisht. Një reagim, që përforconte thirrjet e Davinjo, duke kërkuar gjithashtu rimodelim, nëpërmjet një integrimi më të thelluar të Bashkimit Evropian. Në mënyrë të veçantë, ai do të vinte theksin mbi rrezikun e nacionalizmit, duke rikujtuar publikisht, se pa ekzistencën e këtij Bashkimi Evropian, këto nacionalizma do të shkojnë sërish drejt rrugës së pashmangshme të përplasjeve të përgjakshme.
Edhe Zhak Delor, një prej figurave franceze me kontribut të veçantë mbi ndërtimin evropian, do të shprehej mbi Evropën në kujtimet e tij, se vizioni mbi një Evropë të bashkuar, fatkeqësisht, nuk ndahet nga të gjithë. Duke shënjestruar si një prej problematikave të mosfunksionimit zgjerimin e parakohshëm, ndaj vendeve të ish kampit komunist.
Përtej thirrjeve, që kanë ardhur prej kohësh nga personalitete të rëndësishme, vetëm dy javë më parë, në ditën e përkujtimit të Evropës, kjo thirrje u përforcua edhe nga një sërë politikanësh dhe personalitetesh evropiane me kombësi të ndryshme si, Daniel Kohn-Bendit, apo Gi Verhofstad, etj. Apel për ndryshim, me synim ripërtëritjen e dinamikës evropiane, duke vënë në qendër të këtij projekti, qytetarin evropian. Duke mos neglizhuar edhe apelin e veçantë, që erdhi nga Selia e Shenjtë e Vatikanit, për nevojën e rishikimit të projektit evropian.
Traktat i Ri
Jo më larg se dje, një prej figurave të njohura të së djathtës franceze, Nikola Sarkozi, do të pasqyronte idenë e tij mbi rindërtimin e thelluar të projektit evropian. Një projekt, që sipas tij duhet të kalojë përmes një Traktati me iniciativën e Francës, duke nisur nga vera e vitit tjetër, pra në 2017. Vit, që jo rastësisht korrespondon edhe me 60 përvjetorin e nënshkrimit të Traktateve të Romës (1957).
Ky projekt, sipas Sarkozisë, duhet të bazohet në disa elementë të rëndësishëm si : Hedhja e bazave për Shengen 2, pasi Shengen 1 ka vdekur; Krijimi i Euro-Shengenit, d.m.th, një qeverie e Shengenit e përbërë nga Ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare, me një president stabël, që do të ketë autoritet mbi Frontex; Imigracioni duhet të ketë një pilotim politik dhe të mos jetë thjesht trajtim administrativ; Liria e qarkullimit të personave, që nuk i përkasin Komunitetit të mos lejohet më në Bashkimin Evropian, për sa kohë që Shengeni 2, nuk është miratuar ende; Franca dhe Gjermania duhet të sigurojnë drejtimin e Zonës Euro; Formimi i një qeverie ekonomike dhe krijimi i postit për një Sekretar të Përgjithshëm të thesarit evropian, për të favorizuar koordinimin e politikave ekonomike të vendeve anëtare të Eurozonës, etj. Me një pikë, që kërkon edhe përqendrim kryesor të politikës evropiane mbi fusha të rëndësishme, ndërsa në fusha të tjera kompetencat t’i rikthehen sërish mbrapsht vendeve anëtare.
Sigurisht që propozimi i Sarkozisë, për projektimin e rimodelimit të Evropës, mbart disa elementë, që krijojnë përplasje me aspiratat apo vlerat e një Evrope, që synon të jetë më humane dhe më e civilizuar, larg egove kombëtare dhe dozave nacionaliste. Nga ana tjetër, duhet marrë në konsideratë fakti se deklaratat e ish presidentit francez Sarkozi, shquhen për karakterin e tyre të spikatur në krijimin e polemikave dhe është e pamundur t’i vlerësosh pa marrë parasysh dy faktorë të rëndësishëm: i pari, lidhet me vënien sistematike të tij në qendër të akuzave të brendshme juridike për korrupsion dhe abuzime me fondet në partinë e tij, dhe nga ana tjetër, psikologjikisht, nuk mund t’i shmangemi kontekstit të një kompleksi interesant shpjegues të prejardhjes së miksuar të origjinës së tij hungareze dhe çifute.
Aksi franko-gjerman
Përtej modelit të fundit, që ofron në linja të përgjithshme Sarkozi, skicimet e një rimodelimi politik evropian kanë kohë, që janë bërë publike. I rëndësishëm për t’u theksuar është fakti se ka një përqendrim të bërthamës franko-gjermane, që siç duket do të shërbejë sërish si një shtytëse e mëtejshme e vullnetit për një thellim më të integruar.
Përgjatë vitit të kaluar kemi dy dalje publike, në filozofinë e përbashkët franko-gjermane, ku prezantohet dhe mbrohet skicimi i një Evrope më të thelluar. Por, ajo që vihet re, është vazhdimi i një bashkëpunimi të konsoliduar, që është përforcuar në vazhdimësi mes Francës dhe Gjermanisë.
Pesha dhe roli gjerman është i padiskutueshëm në fushën evropiane, jo vetëm për nga logjika ekonomike, por edhe edhe për sa i përket forcës së propozimeve, në arenën politike evropiane.
Në thelbin e funksionimit të fortë të aksit franko-gjerman në Evropë, përveç lindjes dhe ngjizjes së projektit evropian vlerësohet se një rol të madh ka marrë ndërkohë bashkëpunimi i thelluar, që krijoi fryma e Traktatit të Elizesë (22.01.1963). I nënshkruar nga kancelari gjerman Konrad Adenauer dhe Presidenti francez Sharl de Gol, ky Traktat, përveç rolit të padiskutueshëm, që pati duke u shndërruar në simbolikën e pajtimit franko-gjerman, ai përmbante ndër të tjera edhe një objektiv shumë të rëndësishëm, që lidhej me misionin për të favorizuar ndërtimin e Evropës së Bashkuar.
Është pikërisht baza e këtij Traktati, që vlerësohet se ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm, drejt një perspektive të ndërtimit të mëtejshëm evropian. Nga ku veçohen, momente kyçe politike si krijimi i Aktit Unik Evropian, Traktati i Mastritit, krijimi i Euros, i hapësirës Shengen, ndërtimi i një politike evropiane të sigurisë dhe të mbrojtjes, vënia në jetë e Unionit Bankar.
Jo rastësisht, në vitin 2003, me rastin e 40 vjetorit të Traktatit të Elizesë, kemi edhe krijimin e një tjetër avancimi në aksin franko-gjerman: krijimin e Këshillit të përbashkët të Ministrave të Francës dhe të Gjermanisë. Një Këshill, që mblidhet periodikisht një apo dy herë në vit, në prezencë të Kryeministrit dhe Presidentit të Francës, të Kancelarit federal gjerman dhe të një pjesë të ministrave përkatës në varësi të axhendave të punimeve paraprake. Këshilli i fundit, u mbajt në Berlin më 31 mars 2015, me një axhendë punimesh mbi mbrojtjen, investimet, energjinë, luftën ndaj terrorizmit, etj.
Në vitin 2013, në përvjetorin e 50-të, të tij kemi një tjetër moment kyç, pasi kemi miratimin e një Deklarate të Përbashkët, ku riafirmohet “roli motor i çiftit franko-gjerman në fushën evropiane” duke angazhuar të dy vendet të bashkëpunojnë ngushtësisht, mbi një sërë dosjesh. Ndër to më të rëndësishmet, thellimi i Eurozonës dhe i politikës së jashtme, konkurrenca ekonomike, mbrojtja dhe siguria. Një bashkëpunim, që ka përfshirë në angazhim edhe dy parlamentet respektivë.
Rimodelimi i Evropës ka kohë që kërkohet dhe skicohet. Krizat e njëpasnjëshme dhe problematikat që po shfaqin përballjet me to, po përshpejtojnë një konceptim të ri të Evropës së Bashkuar. Një rimodelim, që sigurisht ka kohë që përgatitet në paradhomën franko-gjermane. Forma dhe përmbajtja në bazë të projekteve paraprake duket se, do të qëndrojnë mbi skaletën e Evropës së dy klasave, ku vendet që dëshirojnë të ndajnë një vizion dhe të ardhme më të ngushtë apo më të thelluar, të mund të avancojnë pa u penguar nga vendet e tjera, që duan më pak Evropë dhe më shumë vëmendje, përqendrim dhe pushtet brenda hijeve dhe kontureve të një kombi. Paralelisht me këtë përgatitje, kemi edhe një proces reflektues që ka nisur në Romë, me mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të gjashtë vendeve themeluese të projektit evropian. Një mbledhje simbolike e të gjashtëve, me një qasje reflektuese, për më shumë kohezion të brendshëm evropian, integrim dhe për t’i dhënë një tjetër formë arkitekture projektit evropian. Një proces, që ndoshta do të finalizohet me një projekt konkret më 25 mars 2017, në 60 vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Romës./I.T/DITA/
