Dërguar me Email
Në adresën e redaksisë
Pas “hatave” e “tmerreve” të përditshme që Saliu i nxjerr si simite të furrës, doli dhe kryevepra e shërbimit inteligjent të SHQUP-it. Besoni ose jo, por këtë radhë në këtë aksion kanë marrë pjesë “kokat” më të ndritura të këtij kombi. Mirë Saliu e presidenti i gardheve që u njihen meritat në këtë fushë, por ajo që na besoi ishte “aftësia” e rrallë e Flamur Nokës. Bile kaq me qejf e ka marrë, sa që caktoi edhe oraret e paraqitjes së drejtuesve të lartë në këshillin e sigurimit. Aferim Mul trimi! Duke u nisur edhe nga shqetësimi i madh i sigurisë në vend i z. President, propozoj të ftohen përfaqësues të NATO-s. Pse jo edhe nga shërbimet e huaja sekrete, sidomos ai grek. Veç një diçka s’po e kuptoj e nuk do ta kuptoj kurrë. A e dinë këto koka të “ndritura” se 90 për qind e shqiptarëve nuk ju nxihet fare për këto budallallëqe? Kujt i drejtohen këto UFO dhe nga kush presin t’i dëgjojë? Perse u djeg kaq shumë kjo puna e përgjimeve edhe sikur mos të ishte sajesë e tipit Berisha? Ata janë “të ndershëm”, “engjëllorë” e të panjollosur. Harrojnë këta zotërinj se na kanë ardhur në majë të hundës me pisllëqet e tyre. A e dinë këta se njerëzit e thjeshtë e të ndershëm mezi presin të vihet një aparaturë e tillë për të zbuluar poshtërsitë e tyre? Liria buron nga e drejta. Dhe ajo vetë nga dënimi i së keqes. Profeti
