Kush i mbron fëmijët?

redaktor

Entela Resuli

Marjoli është 12 vjeç. Mban veshur një xhup lëkure ngjyrë kafe dhe atlete të kuqe. Flokët i ka të prera sipas modës së fundit, në një anë më të shkurtra, në krahun tjetër disi më të gjata.

Të afrohet natyrshëm dhe të kërkon lekë. Pa ndroje, pa turp! Ai nuk di shkrim dhe këndim.

Arrin të kuptojë zonat ku mund të fitojë më shumë para dhe shëtit tavolinë më tavolinë duke bërë kërkesën e zakonshme dhe të përditshme.

Ne e takojmë pranë Komunës së Parisit. Është vëllai i madh i tre fëmijëve të tjerë të familjes, dy vëllezërve dhe një motër.

Kanë ardhur nga Elbasani dhe banojnë me qira në zonën pranë bregut të lumit në Tiranë.

Asnjë prej atë treve nuk ka shkuar asnjë ditë në shkollë. 

“Nuk më pëlqen shkolla, dua të fitoj lekë”- thotë prerë dhe këmbëngul t’i japim lekë.

Nuk di të thotë se çfarë do të bëhet kur të rritet, ngre supet duke na parë në sy, sikur vë në dyshim pyetjen tonë.

Pak metra më tutje ndodhet babai i tij, i cili është duke i dhënë dorën e fundit ngarkesës me mbeturina në karrocën e tij të dorës.

“Nuk kam mundësi ekonomike. Erdhi një shoqatë dhe i mori për disa ditë, gjasme për të mësuar, u jepnin vetëm ndonjë copë bukë dhe kaq. Nuk mësuan asgjë, siç hynë, dolën”- na tregon ndërsa shtyn karrocën dhe largohet.

Si Marjoli ka shumë. Çfarë do të bëhet ai pas disa vitesh?

A mund t’i ndryshohet jeta Marjolit dhe shokëve të tij?!

Jemi në ditët e një Plani Kombëtar të quajtur “Unë mbroj fëmijët”, i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe partnerë ndërkombëtarë si UNICEF, World Vision, Save the Children, etj., i cili ka në kuadër sensibilizimin kundër dhunës, neglizhimit, abuzimit dhe shfrytëzimit të fëmijëve.

Ky plan ka nisur në 1 Mars dhe përfundon në 1 Qershor. Për të kuptuar çfarë po ndodh me fëmijët e rrugës dhe si po ecën ky plan, u drejtuam pranë Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve për të takuar, drejtoreshën, Ina Verzivolli.

Qëllimi i këtij plani është ndryshimi i një mentaliteti që toleron dhe pranon dhunën ndaj fëmijëve si mjet edukimi dhe disiplinimi. Dhuna nuk prek vetëm fëmijët e varfër, por të gjithë fëmijët janë potencialisht të rrezikuar. Ndaj ka rëndësi që e gjithë shoqëria të reflektojë mbi pasojat e dhunës në rritjen e fëmijëve dhe zhvillimin e tyre, dhe të bëhen përpjekje për parandalim. Përpos komunikimit, Plani ka si qëllim reflektimin në Ligjin e ri për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”- thotë Verzivolli për Dita-n.

 

Deri më tani cilat janë konstatimet tuaja dhe çfarë problematikash kanë fëmijët tanë?

Nga Monitorimi që Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve bën mbi punën e njësive të mbrojtjes së fëmijëve, në vitin 2015, Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve kanë trajtuar 1403 raste të fëmijëve në rrezik. Prej tyre 555 fëmijë kanë përjetuar një situatë dhune apo abuzimi fizik, psikologjik, seksual apo neglizhim. Rastet e neglizhimit të lidhura ngushtë me situatën e varfërisë së familjeve, si dhe rastet e dhunës në familje janë situatat e rrezikut që mbizotërojnë në jetën e fëmijëve në Shqipëri.

Një tjetër problem janë fëmijët në situatë rruge të cilët janë shpesh subjekt i formave të ndryshme të dhunës, siç është shfrytëzimi, apo neglizhimi. 264 fëmijë në situatë rruge janë trajtuar gjithashtu gjatë vitit 2015. Në pjesën tjetër të rasteve është ndërhyrë nga strukturat sepse fëmijët janë ndodhur në situata problematike që rrezikon fëmijët lidhur kryesisht me problemet ekonomike në familje, braktisjen e shkollës apo aftësitë e kufizuara.

Znj. Verzivolli, nëse një fëmijë dhunohet dhe kjo dhunë konstatohet, çfarë ndodh me të?

Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e të gjithëve në shoqëri, në radhë të parë e prindërve dhe pastaj e profesionistëve që janë në kontakt me të, siç janë mësuesit. Por tashmë kemi edhe struktura të posaçme që kanë për detyrë të vlerësojnë dhe të trajtojnë rastet e fëmijëve të dhunuar apo në rrezik abuzimi. Këto janë Njësitë e Mbrojtjes së Fëmijëve që duhet të ngrihen pranë çdo bashkie.

Njësia Mbrojtjes së Fëmijëve menjëherë kontakton me fëmijën dhe familjen e tij dhe sigurohet që ky fëmijë të jetë jashtë rrezikut. Hapi tjetër është mbledhja e grupit teknik multidisiplinar të cilët hartojnë një plan ndërhyrjeje me masat që do të ndërmarrin për mbrojtjen e fëmijës. Por shpesh gjendja e fëmijës varet nga situata e familjes, ndaj Plani përmban shërbime dhe ndërhyrje për të gjithë familjen. Njësia e Mbrojtjes së Fëmijës ndjek në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e fëmijës deri kur të sigurohet që ai nuk ndodhet më në rrezik.

Po a funksionon ky shërbim që thoni ju?

Megjithatë në fund të vitit 2015, vetëm gjysma e territorit ishte e mbuluar me këtë shërbim, shpesh duke e mbivendosur me funksione të tjera dhe shpesh niveli i profesionistëve lë për të dëshiruar. Ligji i ri për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve do t’i detyrojë bashkitë të kenë punonjës të kualifikuar dhe te dedikuar, dhe rrit autoritetin e këtyre punonjësve për të ndërhyrë në mbrojtje të fëmijës, edhe atëherë kur kjo bëhet kundër vullnetit të prindërve.

Portrait DG II - Droits des enfants Portrait DG II - Droits des enfants

Sa fëmijë kemi sot në rrugë dhe çfarë po bëhet që ata të largohen nga aty?

Fëmijët në situatë rruge janë një nga problemet sociale më të thella që prek fëmijët shqiptarë. Me vullnetin për të mbrojtur këta fëmijë, në 2015, u nënshkrua Pakti mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Kjo marrëveshje synon ndërmarrjen e përpjekjeve të përbashkëta institucionale për parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Aktualisht ne po koordinojmë ngritjen e mekanizmave që do t’u vijnë në ndihmë këtyre fëmijëve në 7 bashki: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Korçë dhe Shkodër. Këto janë dhe bashkitë ku problemi është më i mprehtë. Aktualisht janë ngritur 27 skuadra të lëvizshme të cilat perlustrojnë territorin për të identifikuar fëmijët. Pas identifikimit bëhet një plan për çdo fëmijë dhe familje, me synimin për të garantuar akses në të drejtat themelore: regjistrim, shëndetësi, arsim, punësim, ndihmë ekonomike. Deri më tani janë larguar nga rruga 270 fëmijë, ku për secilin është bërë një plan mbrojtjeje. Kjo kërkon përfshirjen e aktorëve të ndryshëm ku secili merr përgjegjësi për të ofruar shërbime. Risia e Ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve do të jetë gjithashtu në përcaktimin e detyrimit për institucionet arsimore, të shëndetit, rendit dhe përkujdesjes sociale për të garantuar mbrojtjen e fëmijëve.

Ata që janë të dhunuar, po ashtu edhe që detyrohen nga prindërit të lypin, mund të jenë shumë shpejt kontingjent krimi. A ka struktura që këtë fëmijë të shkojnë në shkollë apo të rehabilitohen?

Njësia për Mbrojtjen e Fëmijës mbetet struktura përgjegjëse që garanton sigurinë e fëmijës dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre. Standardet ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve kanë përcaktuar se interesi më i lartë i fëmijës është të qëndrojë me familjen. Në aplikojmë këto standarde në punën tonë, ndaj bëjmë përpjekjet maksimale që të ndihmohet familja. P.sh Zyra e punës na ka krijuar akses të privilegjuar në listat e saj të punësimit për prindërit e fëmijëve në situatë rruge. Megjithatë, kur skuadrat e terrenit, apo Njësia e Mbrojtjes së Fëmijës, konstatojnë, se fëmija, të cili i është ofruar një plan përkujdesi, vazhdon të jetë në situatë rruge, atëherë bëhet e qartë që familja apo dikush tjetër shfrytëzon fëmijën për përfitime ekonomike. Këto raste denoncohen në polici, dhe fëmijët merren në mbrojtje në institucionet shtetërore, nëse nuk ka të afërm të tjerë të aftë për t’i mbajtur. Raste të tilla kemi patur 20 në vitin 2015.

Ju këto kohë, në lidhje me këtë plan keni udhëtuar në shumë qytete të Shqipërisë. Cili është qyteti më problematik për sa i përket fëmijëve?

Gjatë këtyre muajve ne kemi qenë në disa qytete të Shqipërisë për të përçuar atje mesazhin #UnëMbrojFëmijët dhe për të parë nga afër situatën e mbrojtjes së fëmijëve. Mund të themi se në qytetet e mëdha problematike është fenomeni i fëmijëve në situatë rruge, ndërsa në zonat më të thella vihet re dhuna psikologjike, por edhe fizike ndaj fëmijëve, pasi shpesh prindërit në këto zona pranojnë dhunën ndaj fëmijëve si mënyrë disiplinimi të tyre. Problematike në periudhën e verës janë qytetet bregdetare si Durrësi, Vlora etj. Gjatë sezonit veror në këto qytete shtohet fenomeni i fëmijëve në situatë rruge, shumë fëmijë vijnë nga të gjitha zonat e Shqipërisë për të punuar dhe lypur në këto qytete.

5Cila është historia më e trishtuar që keni dëgjuar dhe që mund ta ndani me ne?

Ne çmojmë shumë konfidencialitetin e historive të fëmijëve, pasi sa më pak të përhapen historitë e fëmijëve të abuzuar, aq më shumë ata do të kenë një mundësi që të ri-integrohen në një jetë normale. Në vitin 2015, i kemi kushtuar rëndësi rasteve të abuzimeve seksuale me fëmijët, që përbejnë një nga abuzimet më të mëdha të të drejtave të fëmijëve. Këto raste për fat të keq shpesh dalin në media dhe historitë e fëmijëve bëhen publike, dhe kjo nuk është aspak në interesin më të lartë të fëmijës. Megjithatë ajo që dua të ndaj me ju është një histori pozitive, e një fëmijë dhe gjyshes së tij. Në vjeshtën e vitit 2015, një fëmijë 6 vjeç lypte i vetëm në rrugë në zonën e trenit ku u identifikua nga skuadra e terrenit. Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve në bashkëpunim me institucionet shtetërore dhe me organizatat filluan punën që fëmija së bashku me motrën 12 vjeç dhe vëllanë 3 vjeç brenda nja kohe të shkurtër të vaksinoheshin dhe të pajiseshin me libreza shëndetësore. Fëmijët u regjistruan në kopsht dhe shkollë si dhe u pajisën me libra dhe çanta. Por puna jonë nuk përfundoi këtu. Për të garantuar përmirësimin e qëndrueshëm të kësaj familjeje, falë Zyrës së Punës, babai u punësua pranë një kompanie private dhe familja u ndihmua me paketa ushqimore. Sot jemi të lumtur të shohim tre fëmijë që po arsimohen dhe një kryefamiljar të punësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë në mbështetje të familjeve në situatë rruge duke përmirësuar jetën e tyre për një të ardhme të sigurt!

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *