Letër e nënshkruar
Muhamet Ahmeti
Quhem Muhamet Ahmeti, banor në Tiranë. Ankesa ime qëndron në faktin se: Para 5 muajve kam blerë një aparat cel. në firmën ‘Neptun’ që ndodhet tek pallati me kollona. Fillimisht bleva një aparat ‘Lenovo’, por konstatova që aparati ishte tregtuar më parë një klienti tjetër. Pas reklamimit mora një ‘Samsung J5’ kundrejt pagesës shtesë. Aparati funksionoi rreth 4 muaj dhe më pas nuk punonte. Meqë aparati gëzonte privilegjin e 24 muajve garanci, dërgova aparatin në servisin përkatës, ku më premtuan se pas 48 orëve do jetë gati. Por fill pas 2 ditësh më telefonojnë që do të zgjasë edhe pak pasi kishte punë për t’u riparuar. Nuk kaloi një javë dhe recepsioni më njofton që aparati është hapur nga servis tjetër! Pas një komunikimi të tensionuar me personelin e servisit të firmës më urdhërojnë që: eja merr cel. se nuk riparohet! Nuk e kuptoj stilin e punës dhe metodat e servisit të kësaj kompanie që për mua nuk është aspak e drejtë dhe aq më pak e justifikuar. Përse do ta dërgoja në servise kioskash kur cel. ka 2 vjet garanci apo kisha zell të tepruar për të paguar lekë, thua se i kisha gjetur në rrugë, dhe përtoja ta çoja tek servisi të cilët e kanë për detyre t’i përgjigjen klientit brenda afatit të garancisë?
Kjo më ka lënë një shije jo të mirë pasi demonstrojnë që janë jo seriozë. U dashkërka mik ose para, si në zyrat shtetërore për të mbaruar hallin kur të zë. Me shumë respekt për gazetën tuaj, M. Ahmeti.
