Serbia bllokon kodin telefonik të Kosovës

Dita

Kosova nuk arriti të fillojë të punojë me kodin e ri telefonik as në mars të këtij viti, ashtu siç ishte premtuar pas negociatave të gjata rreth kësaj çështjeje në Bruksel.

Marrëveshja ishte që një palë e tretë, në këtë rast Austria, të aplikonte tek Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se Serbia ka bllokuar marrëveshjen për kodin telefonik të Kosovës.

“Në përgjithësi në krejt këtë proces të dialogut në Bruksel ku janë arritur shumë marrëveshje, pjesa që nuk është zbatuar apo zbatohet pjesërisht është me fajin e Serbisë e cila nuk i ka përmbushur obligimet zbatuese të dialogut”.

“Sa i takon Kosovës si palë në këto bisedime, të gjitha obligimet tona i kemi kryer më kohë dhe cilësi. Sa i përket kodit telefonik, veprimi konkret në praktikë është bllokuar për shkak se Serbia nuk i ka kryer disa obligime”, ka theksuar Tahiri.

Ministrja Tahiri, ka ritheksuar se Austria tashmë ka aplikuar në Organizatën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit (ITU) për kodin telefonik të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacion. Sipas saj, kodi telefonik i Kosovës do të jetë 383 dhe se ai i mundëson Kosovës njohje dhe sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit.

Në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, si kompromis ishte paraparë që një vend i Bashkimit Evropian të aplikonte për Kosovën. Austria kishte dalë si vullnetare për ta ndihmuar Kosovën në këtë fushë./REL/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *