Qenka thënë e shkruar që ky popull të mos shohë e gëzojë një ditë të bardhë. Edhe kur ka patur shembuj minorë të vlerave e kompetencave të Presidentit, kanë ngelur në tentativë. Koha ka vërtetuar se presidentët e pas 90-tës dëshmojnë se janë emërime të mazhorancave, interesave e kulisave arriviste e pushtet-mbajtëse me çdo kusht e çdo mënyrë. Përveç kësaj edhe roli i tyre i përcaktuar me kushtetutë, ka ardhur duke u kufizuar gjithnjë e më shumë, në interes të livadhisjes së partive mazhoritare. Kam respekt për presidentët Moisiu e Meidani, për rolin e tyre, por dhe këta me dhimbje e shtrëngoj lapsin se ngelen të gjorë, siç dhe ngelemi të gjithë ne.
A ka mundësi që ky institucion të funksionojë, jo i varur e i ndërvarur nga forcat politike që dëshmohen se janë të tej mahisura në luftën e ndyrë për pushtet? A është e mundur (dhe këtë unë e perceptoj të mundur), që presidenti të zgjidhet nga populli, ose së paku ndër kandidaturat që propozohen nga subjektet e partitë politike, apo më mirë nga struktura të shoqërisë civile e intelektuale, të marrë udhë ky arsyetim e zgjidhje? Reforma në drejtësi, mendoj se fillon dhe e ka fundin pikërisht këtu; tek paanshmëria e Presidentit e vullneti i tij, në rast se ka zgjidhje me vullnetin popullor. Përse partitë politike nuk propozojnë bonsens në lidhje me presidentin, por gjithësecila përpiqet me dinakëri për ta shtënë në dorë?
Këtu duhej të fillonte demontimi. Këtu duhej të fillonte dhe rishikimi i dhënies së plotë të kompetencave presidentit. Këtu duhet thënë se presidenti thuajse është honorifik e për të mos thënë i damllosur. Presidentëve respektivë u kanë ngelur për kompetencë veçse çelësat e kashtës, lëre më pastaj, kur nga kjo krizë e mungesës së kompetencave ushtruese e madhore, ngelen matanë kanalit me ujë të ndenjur e të qelbur; shpërndajnë dekorata e tituj në formë qokash qesharake e njerëzit e shkretë e ndjejnë vehten të trishtuar, të zhgënjyer, të ofenduar e më tej, sepse në ato mënyra digjet i njomi me të thatin dhe i thati biskon me të njomin.
Prandaj dhe një herë presidenti të zgjidhet nga populli!
Letër e nënshkruar
Haxhi Kalluci
