Saliman Barçi është shqiptari që fshihet në Britaninë e Madhe, pasi u arrratis në vitin 1997 duke përdorur identitet fals kosovar dhe përfitoi azil në shtetin ishullor.
Tashmë, historia e tij është zbuluar dhe mediat britanike kanë shkruar për të gjatë këtyre ditëve, kurse Ministria e Drejtësisë kërkon ekstradimin e tij në Shqipëri.
“Report TV” ka publikuar dosjen e Saliman Barçit, i cili në vitin 1997 ka vrarë dy shokët e tij për ndarjen e shumës së parave prej 600 mijë Lekësh. Ai akuzohet për vrasjen e Artur Gjokolës dhe Përparim Ibrahimit.
Pas vrasjes, Barçi me gjakftohtësi shkoi për ngushëllime në familjet e dy viktimave, që në fakt ishin miqtë e tij.
Pas kësaj, nisi historia e hakmarrjeve mes fiseve, dhe familja e Përparim Ibrahimit vrau nipin e Saliman Barçit.
Procesi ndaj këtij të fundit është kthyer në Apel nga Gjykata e Lartë. Në të njëjtën kohë, Shqipëria kërkon që Britania e Madhe të ekstradojë Saliman Barçin.
