-Me rastin e 96 vjetorit të Luftës së Vlorës-
Nga IDAJET JAHAJ
Nuk është kombinim legjendar. Eshtë një fakt i thjeshtë, të cilin e mori kënga si një legjendë. Në njërën nga ato epopetë historike, të cilat më së shumti janë cilësuar si legjendare: 1920-ta.
Eshtë quajtur unikale, shembullore, skenderbejadë… Atje ndodhen fakte të mëdha e të vogla, por të gjitha të spërkatura me tisin e lgjendës. E kjo e bën atë- me aromë të përjetshme legjende. Kur populli- vullkan shpërtheu si bombë mbi okupatorin.
Thamë: fakte të vogla. Ashtu si gurët vullkanikë, të cilët çajnë flakën mes llavës e marrin qiellin përpjetë e zhuritin gjithçka kur takojnë në tokë. Ashtu edhe guri ynë. Se gur ishte, nuk ishte gjyle topi a predhë mortaje; as plumb mauzeri a krismë sharapneli. Gur, gur i vërtetë, aq sa mund ta mbajë e ta hedhë dora e njeriut.
Por sigurisht, dora e një njeriu të fuqishëm, diçka jo i zakonshëm. Kaq i rëndësishëm ishte? Në një betejë të tillë? Ç’kishte të vçantë kur artileria e zakonshme e shqiptarëve në shekuj kanë qenë pikërisht këta, gurët? Po kishte , sepse, në ndryshim nga predhat-gurë që i rrokullisnin maleve, këtë gur e hodhi me dorë një luftëtar i thjeshtë aty në sulmin ndaj postkomandës italiane, në Gjorm të Vlorës
Dhe ngjau diçka si predhë antitanke, siç i themi sot.
Ç’bëri guri?
Hasan Katrani ishte luftëtari. Ishte mesoburrë, i rritur, por me fuqinë e një djali në duar. Ose më saktë- në dorën e djathtë. Rritur kodrave e pyjeve të pjerrëta mbi Gjorm, ai e kishte bërë zanat hedhjen e gurëve.- rrufe për ‘të. Kishte qenë– luftëtar në forcat çlirimtare deri në Janinë më 1913, etj.
Thonë se kishte një trup vigan. I errët në fytyrë, e nga kjo, i kishin ngjitur nofkën “Katrani”. Në lojërat e hedhjes së gurëve fitonte gjithmonë. Dhe godiste bisha, shpendë… Shenja. Ashtu si Muji, që, kur i dhanë gji zanat, e hodhi gurin aq larg, sa ato u tmerruan… A nuk shtegton legjenda nëpër trojet tona epike?…
Kështu edhe “legjendari” ynë. Veçse ky ishte një djalë. Apo burrë i zakonshëm fshati.
Ja si ndodhi:
Kur u bë plani i shpërndarjes së forcave të luftëtareëe popullorë për të sulmuar postkomandat italiane, çetës së Gjormit iu caktua detyra të shkonte në rrethimin e garnizonit të Llogorasë. Të gjithë u nisën për atje. Hasani ndaloi e tha:
-Merreni dyfekun tim! Unë nuk vij atje! Do i qëlloj me gurë italianët këtu!
Dyfekun e tij e mori një tjetër luftëtar. Ia dinin kokën Hasanit e nuk i bëzajtën. E lanë aty.
Një natë, në fshehtësi, afër mëngjesit, nisi sulmi i befasishëm i luftëtarëve të krahinës mbi garnizonin e Gjormit. Aty te vendi ku është shkolla sot. Quhej “Kumanda” atëhere. Hasani – midis tyre. Goditën bataretë e pushkëve të luftëtarëve. Kundërpërgjigjen sharapnelet e mitralozët e armikut. Zjarr për zjarr. Dita u hap dhe dukeshin pikat e zjarrit të armikut. Luftëtarët tanë fshiheshin pas gurëve të mëdhenj e përrallave. Sulm e zjarr e plumba e bomba në ajër. Sokëllimat e luftëtarëve tanë gjëmonin mbi bombat. Dhe thirrjet- llahtarë: “O burra, t’i kapim me dorë”! Dhe britmat “Mama-mia” të bersalierëve.
Një çast, nga pozicioni armik u ngrit një si top i zi në ajër. Bombë !
-Hapuni,- briti Hasani.
Dhe me një lëvizje ujku u rrotullua përdhe, gjeti një gur plot dora dhe rrëmbimthi bëri përpara. E flaku me gjithë forcën e krahut. Në të dhjetën e sekondës. Diku mbi kokat e armiqve guri u përplas me bombën dhe bomba plasi. Zjarr e cifla mbi kokat e atyre që e kishin lëshuar. Ata britën me kuje: “Mama mia”! – dhe u shpërndanë si zogjt e gjakosur. Që mbushin vendin me pupla anash. Disa ulërinin në mes të gjakut.
Postkomanda ra në duart e luftëtarëve.
…Tani, ç’rëndësi ka më spjegimi?
Shumë kohë më vonë dolën vargjet-bombë:
Seç u di e ra saba,
Kur u bë lufta në Gjorm;
Hasani si ezhdërha,
Ky me gur, ata me bombë!
S’kish bërë vaki në dynja
U përpoq guri me bombë
Plasi bomba në hava,
U kthye vrau të zonë! …
Vargjet fluturuan në faqen e shekullit. Si flurudha zjarri nga fusha e betejës. Nga fusha e zjarrte e heroizmit popullor. Të veshura me skenderbejadën e legjendës.
Hasan Katrani nuk hodhi vetëm gurin si bombë, por edhe gjakun e tij. Ai u vra në një luftim në Pestrovë kundër armikut. Edhe rënien e tij e mbuluan me vargje mirënjohjeje. Siç ishte zakoni pellazg i shqiptarëve. Pra, edhe gjaku – predhë e bombë kundër uzurpatorëve. Por guri i tij mbeti flurudhë e legjendës.
… DHE MEDITIMI …
Bomba u ngrit. Mbi kokat dhe duart e të zotëve. E lodhur, ajo tha:
-Ku më çoni? Vriten këto male? Do më vrisni mua, do vrisni edhe veten!
Sikur e parashikoi. Fluturoi, me pezm. Në krahë- uturima e vdekjes. Por nën këtë qiell të huaj sikur po i merrej fryma. S’po e thithte dot këte ajër e qiell, megjithëse kaq transparent…
Drejt saj pa të vinte me rrapëllimë një lëmsh i zi. Bombë tjetër? Si ajo e pak më e madhe. Hakërruese, e egër. E errët.
Ishte guri i luftëtarëve. Në këtë rast – i Hasan Katranit. Sikur edhe emri fliste: Katran ishte, e të zes si katran do t’i bënte armiq lyes, rrotullues. Me vetëtima shikimesh midis tyre. Po me vetëtima vdekjeje. Ose njeri, ose tjetra. Përplasja ndodhi.
-Po sjell vdekjen?-i tha guri, me heshtjen e zymtë.
Bomba heshtte. Dy vdekje përballe njëra-tjetrës.
U përplasën. Bomba sikur qe letër. Ose xham, ose pluhur. Coprat e saj e zjarri ranë poshtë.
-Mamaaaa-miaaaaa!- gjëmuan rreth e rrotull. Ulërima e gjak. Guri, pa pësuar gjë, ra diku. I qetë. Detyrën e mbaroi. Shikonte kokat e armiqve nën hirin e bombës së tyre. Bomba sikur pëshpëriste edhe në cifla:
-Pse më çuat këtu, o zotër të mi? Nuk u thashë? Hëngrët veten edhe mua! Burracakë, qaramanë!
. ..Dhe kockat-cifla, rreth e qark, lëshonin zjarre të vegjël, përpëlitës. Ulërimat bashkë me gjëmimet u rrokullisën poshtë, drejt Urës së Gjormit. Në ikje vrundulluese. Brambullonin në çmendje vrapi bashkë me rrëketë e gjakut që lanë pas…
Vlorë, 20 maj 2016

shkrim shume i bukur dhe te jep krah dhe fuqi per te ecur krenar ne token meme