Presidenti i Bajernit, Uli Hënes, akuzon rivalët për borxhe dhe shkelje të ligjeve dhe të rregullave të futbollit, por tani ai është i akuzuar për evazion fiskal. Kreu i klubit bavarez i ka hapur telashe vetes, duke mos deklaruar të ardhurat e tij dhe mos bërë të ditur numrin e llogarisë në një nga bankat zvicerane. Kjo, për t’iu shmangur taksave dhe tatimeve gjermane, duke kryer evazion fiskal. Mirëpo presidenti nuk i druhet aspak ligjit, pasi ai ka qenë iniciatori që ka paditur veten në gjykatë dhe ia ka bërë të ditur Ministrisë së Financave. “Në janar të këtij viti kam bërë një padi në zyrën e financave dhe taksave. Kjo, për shkak të numrit të llogarisë sime në një nga bankat e Zvicrës. Nuk kam asgjë për të fshehur. Gjithçka do bëhet sipas ligjit”, pohon Hënes për revistën “Fokus”. Ai paditi veten për të përfituar lehtësira ligjore dhe nuk bën të ditur shumën e parave. Sipas “AZ” bëhet fjalë për mbi 5 milionë euro. Kritikat ndaj tij kanë qenë pa fund, nga Christoph Daum deri tek Silvia Shenk. Revista investigative “Stern” publikoi lajmin në janar se një nga “kokat” e Bundesligës ka fshehur miliona euro në bankën e Zvicrës “Privatbank Vontobel”. Për arsye ligjore emri ka mbetur anonim. Sipas të dhënave bëhet fjalë për vitet 2000-2009 dhe arkëtimi arrin shifrat 800 milionë franga zvicerane, baras me 650 milionë euro. Është e paqartë nëse paratë ndodhen ende në Zvicër. Zyrtarisht bëhet e ditur se shuma është tërhequr pak e nga pak nga viti 2008. Teksa banka në fjalë u pyet nga “Stern”, drejtuesit e saj arsyetuan se nuk kanë të drejtë të nxjerrin asnjë të dhënë mbi këtë çështje. Hënes ka reaguar dje duke thënë vetëm se ato media që kanë publikuar gënjeshtra ta tilla do ta paguajnë shtrenjtë nga xhepi i tyre në gjykatë.
