Ndryshimet në ligjin e menaxhimit buxhetor sjellin rregulla të reja dhe eleminojnë keqadministrimin e buxhetit.
Ministri i Financave Arben Ahmetaj, i pranishëm në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe Financave, paraqiti të hënën ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin buxhetor”.
Sipas tij, amendimet legjislative, të përfshira në draftin që po paraqesim për miratim, përfshijnë një sërë shtesash, përmirësimesh dhe riformulimesh, të cilat synojnë harmonizimin e këtij ligji me ligje të tjera të miratuara rishtazi, si edhe azhornimin e tij me zhvillimet e reja në fushën e menaxhimit të financave publike, të ndodhura që prej miratimit të tij në vitin 2008.
Objektivat që synohen të arrihen nëpërmjet projektligjit janë forcimi i disiplinës financiare nëpërmjet vendosjes së parimeve fiskale, miratimit të buxhetit trevjeçar dhe kontrollit të angazhimeve shumëvjeçare. Po ashtu synohet rritja e transparencës. Përfshirja e disa elementeve të reja që rrisin transparencën e procesit të buxhetimit, të cilat sigurojnë edhe një përceptim më transparent nga institucionet vlerësuese (OBS etj)”, deklaroi Ahmetaj.
P/ligji ndër të tjera prek edhe dy çështje të debatuara në lidhje me menaxhimin e financave publike. Konkretisht prek kontrollin e shpenzimeve në vitet kur ka zgjedhje, si dhe veprimtaritë ekstrabuxhetore, përfshirë PPP. “Ky përcaktim synon të rregullojë deficitin në vitet kur ka zgjedhje për pushtetin qendror dhe të eleminojë rastet e përshpejtimit të shpenzimeve dhe mosangazhimit të duhur në realizimin e të ardhurave buxhetore. Qëllimi është forcimi i disiplinës për veprimtaritë që mund të rezultojnë jashtëbuxhetore, si edhe menaxhimi efektiv i risqeve që mund të burojnë nga angazhimi i institucioneve buxhetore në partneritete të ndryshme publike/private (PPP)”, përcaktohet në relacion.
Ndërsa në lidhje me borxhin e pushtetit vendor, Ahmetaj tha se janë mbi 80 milionë dollarë borxhi i bashkive i trashëguar, ku 40 milionë dollarë i ka Bashkia e Tiranës. “Kjo nuk është futur tek borxhi publik dhe nuk do t’i financojme nga buxheti i shtetit, por do ti paguajnë vetë bashkitë. Kemi rënë dakort edhe me FMN”, u shpreh Ahmetaj.
Ndërsa deputeti i PD, Ridvan Bode thotë se nuk është rregull fiskal se do të ulet defiçiti më shumë se një vit më parë, kjo varet nga zhvillimi ekonomik i vendit. “Borxhet i institucioneve ndaj njeri-tjetrit janë shumë më të mëdha dhe kanë shkelje të shumta. Duhet një plan i detajuar për to”, tha Bode.
