Meta: Reforma në drejtësi miratohet shumë shpejt!

Elton Tafaruci

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, duke folur gjatë sesionit të dytë të Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së në Luksemburg me temë “Forcimi i Bashkimit Europian”, tha se në 25 vitet e fundit shpresat e Shqipërisë, dikur vendi më i izoluar i kontinentit, janë mbajtur lart falë perspektivës së integrimit evropian.

Meta tha se hyrja e Shqipërisë në BE do të garantojë të gjitha parametrat e duhura për një shoqëri tërësisht demokratike dhe të zhvilluar.

Meta: Duke pasur parasysh këtë, në rastet kur vendet si i yni janë dëshmitarë të lëkundjes së vlerave evropiane në mes të shteteve anëtare, e ardhmja nuk duket shumë inkurajuese. Dhe, për fat të keq, këto muajt e fundit duket se gjërat nuk kanë shkuar më mirë për të gjithë hapësirën evropiane.

Kryetari i Kuvendit, u ndal edhe tek reforma në drejtësi, për të cilën shprehu bindjen se do të miratohet shumë shpejt nga Parlamenti.

Meta: Aktualisht po punojmë ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, BE-në dhe SHBA-të, për të reformuar të gjithë sistemin tonë të drejtësisë. Në sajë të Komisionit të Venecias dhe asistencës teknike të misionit të BE-së, Euralius dhe Misionit të SHBA-ve, OPDAT, jemi në fazën përfundimtare të dakordësimit për draftin përfundimtar të së ashtuquajturës ‘Reforma e Drejtësisë’, që shpresojmë se do të miratohet në Parlament në javët e ardhshme, përmes një konsensusi të gjerë mes partive.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *