Qeveria shqiptare pritet të përfitojë nga ndryshimi i termave të kredisë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Nëpërmjet një projektligji, i cili tashmë ka mbërritur në komisionet parlamentare, synohet miratimi i ndryshimit të termave të huamarrjes që Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka akorduar Shqipërisë për programin 36-mujor të ndihmës (EFF), kredi e miratuar me ligj “Për miratimin e huamarrjes prej 295. 4 milion SDR –sh, që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë për programin 36 -mujor të ndihmës (EFF)”.
Sipas relacionit shoqërues, objektivi i propozimit të këtij projekt ligji është dhënia e formës së duhur ligjore ndryshimit të termave të kredisë, në mënyrë që Republika e Shqipërisë të jetë në gjendje të përfitojë nga ndryshimi i këtyre tarifave të përmirësuara.
Fondet e akorduara nga FMN-ja janë subjekt i një komisioni angazhimi të vjelë në çdo fillim periudhe 12-mujore mbi shumat që parashikohet të tërhiqen gjatë kësaj periudhe. Ky komision i rimbursohet vendit në rast se shumat tërhiqen gjatë periudhës së parashikuar.
Si rezultat, nëse vendi e tërheq të gjithë shumën e angazhuar gjatë kësaj periudhe, komisioni i angazhimit rimbursohet plotësisht. FMN propozon ndryshimin e komisionit të angazhimit. Komisioni i angazhimit aplikohet në çdo fillim periudhe 12 –mujore, nga data e aprovimit të huas në bordin e FMN-së, mbi shumat që parashikohet të tërhiqen gjatë kësaj periudhe.
Marrëveshja është bazuar mbi një program të qartë reformash e politikash të duhura ekonomike me synim rikthimin në një kohë sa më të shpejtë të ekonomisë në ritme të larta e të qëndrueshme.
Instrumenti kyç i këtij programi ka qenë pagesa e borxheve të prapambetura të qeverisë ndaj biznesit nëpërmjet injektimit të flukseve të huaja të kapitalit prej institucioneve ndërkombëtare, duke përmirësuar ndjeshëm pozicionet financiare si të bizneseve, ashtu edhe njëkohësisht ato të bankave, me synim ri angazhimin e sektorit privat në plane investimesh.
Aktualisht , nga kredia prej 295. 4 milion SDR, akorduar nga FMN-ja, janë disbursuar 7 transhe, për një total prej 180.84 milionë SDR.
