Akuza: Letrat që i vinin Enverit i merrte Koçi Xoxe dhe i mbyllte në arkivat e Sigurimit

anazapta

Ekskluzive / Seanca e 4 e gjyqit kundër Koçi Xoxes. Akuzat e Prokurorit, provat dhe dëshmitë e të pandehurve, lidhur me praktikën e aplikuar nga Koçi Xoxe për kontrollin e plotë dhe censurën e udhëheqjes, përfshi Enver Hoxhën

 

“Merreshin dëshmi për drejtues të lartë të Partisë e të Shtetit duke shfrytëzuar dhe kriminelë të dënuar dhe mbaheshin në kasaforta. Për kontrollin e korrespondencës së Enverit merrte dijeni të plotë dhe zbulimi jugosllav”

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Seanca e katërt e gjyqit kundër Koçi Xoxes dhe bashkëpunëtorëve të tij(14.V.1949, ora 14:30), nis me kërkesën e të pandehurit Xoxe, i cili kërkon mes të tjerave si dëshmitar në sallën e gjyqit dhe Enver Hoxhën. Ndërkohë, debatet në vazhdim mes Prokurorit dhe Xoxes, shoqëruar me dokumente e dëshmi të të pandehurve, kanë si objekt dokumentimin e kontrollit të plotë, që me mbështetjen e jugosllavëve, kishte vendosur në Komitetin Qëndror dhe gjithë jetën e vendit Koçi Xoxe.“Letrat që i vinin Enverit i merrte Koçi Xoxe dhe i mbyllte në arkivat e Sigurimit. Merreshin dëshmi për drejtues të lartë të Partisë e të Shtetit duke shfrytëzuar dhe kriminelë të dënuar, e mbaheshin në kasaforta. Për kontrollin e korrespondencës së Enverit merrte dijeni të plotë dhe zbulimi jugosllav”, -akuzon mes të tjerave Prokurori…

 

 

FILLIMI I SEANCËS

-Sot më datë 14.V.1949, ora 14:30 pas dreke, u çel seanca e katërt e procesit kundër grupit trockist dhe armiq të popullit të kryesuar nga i pandehuri Koçi Xoxe, etj…

-Trupi gjykues në formimin e mëparshëm.

-Gjithashtu edhe akuza publike.

-Gati të gjithë të pandehurit duke pasur pranë mbrojtësit e tyre.

-Vazhdon pyetja e të pandehurit Koçi Xoxe.

(Proces-Verbali i gjyqit kundër Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve, fq.50)

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdo i pandehuri Koçi Xoxe…

 

Koçi Xoxe: -Në lidhje me çështjen e unitetit kërkoj që të pyetet Sekretari i Përgjithshëm se sa herë kam kërkuar që të sqarohej kjo çështje që nga viti 1946 deri në vitin 1947, si dhe puna e Nakos. Kam biseduar gjithashtu edhe me shokun Sokolov në lidhje me sa thoshte Nako që thoshte se unë kam dashur t’i dal gjoja përpara Sekretarit të Përgjithshëm. Në lidhje me akuzat e jugosllavëve të pyetet Sekretari i Përgjithshëm, se cili ka qenë qëndrimi im në janar, shkurt e mars 1947, si dhe për çështjen e Divizionit, të Federatës dhe unifikimit.  Kërkoj të pyetet Vaska se si është ajo çështja e arrestimit të 20 vetëve që tha Vangoja dhe të pyeten ndihmësit e mi për këtë, si dhe gjithë shefat e Sigurimit të Shqipërisë nëse unë kam zmadhuar ose zvogëluar numrin e të burgosurve që propozonin ata.

 

Prokurori: -Shoku kryetar, i pandehuri të përcaktojë dëshmitarët që kërkon, të pyeten rreth pikave të caktuara dhe të mos flasë në mënyrë të përgjithshme.

 

Koçi Xoxe: -Nuk kam gjë tjetër.

 

Prokurori: -Dje, i pandehuri kërkoi të shohë urdhrin e dhënë për ekzekutimin e tre vetave në Elbasan, vendim i cili nuk kishte marrë formën e prerë. A i kujtohet të pandehurit kjo gjë?

 

Koçi Xoxe: -Jo, nuk më kujtohet.

 

Prokurori: -Pse nuk i kujtohet të pandehurit një gjë e tillë, apo ka qenë një punë e natyrshme kjo për të?

(Mbi këtë, shoku Prokuror këndoi një deklaratë të Thoma Deljanës në të cilën ai shpjegon se kur ai ndodhej si Sekretar Politik në Elbasan, ka raportuar dy-tri herë me radhë në lidhje me kërkesën këmbëngulëse të të pandehurit për ekzekutimin e atyre personave. Por shokët e Elbasanit, si të Gjykatës dhe të prokurorisë, kundërshtuan me të drejtë këtë veprim arbitrar. Por më së fundi, me këmbënguljen e të pandehurit Koçi Xoxe, urdhri u vu në zbatim.)

Prokurori: -I pandehur, domethënë ke dhënë kaq shumë urdhra të tillë sa nuk i mban mend?

 

Koçi Xoxe: -Mund të ketë ndodhur për ndonjë çështje politike me rëndësi të kem dhënë urdhër pasi të kem biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm(Enver Hoxhën). Por ky rasti i Elbasanit nuk më kujtohet dhe mund të jetë i vërtetë.

 

Prokurori: -A e ke vënë në korrent Sekretarin e Përgjithshëm për çështje që kishin lidhje me shtete të jashtme dhe a kërkoje mendimin e  Komandantit dhe të qeverisë për këto?

 

Koçi Xoxe: -Për lidhjet tona me jashtë, kam biseduar me Sekretarin e Përgjithshëm.

 

(Mbi këto, shoku Prokuror lexoi një shkresë në gjuhën frënge, e cila përmbante në fund nënshkrimin me dorën e të pandehurit Koçi Xoxe që thotë të përkthehet dhe t’i thuhet Safet Filipoviçit se përgjithësisht, mbi sa kërkojnë, jemi dakord). (Faqja 51 e Proces-Verbalit të gjyqit kundër Koçi Xoxes)

 

Prokurori: -Si ke qenë dakord ti me këtë çështje pa u marrë vesh më parë me Sekretarin e Përgjithshëm dhe pa u përkthyer akti?

 

Koçi Xoxe: -Unë e kuptoja disi përmbajtjen e asaj shkrese, ndonëse ishte në gjuhën frënge dhe isha i sigurt se do të pranohej ashtu.

 

(Mbi këtë, shoku Prokuror i tregoi të pandehurit Vaskë një tog shkresash dhe telegramesh të drejtuara nga i pandehuri Koçi Xoxe, Rankoviçit, për të cilat, pasi i pa, Vaska tha se ‘këto shkresa e telegrame janë nga arkiva e Ministrisë së Brendshme’.)(Faqa 51 e Proces-Verbalit të gjyqit kundër Koçi Xoxes)

 

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe se me çfarë funksionesh merret Ministria e Jashtme?

 

Koçi Xoxe: -Ministria e Jashtme është punë shtetërore.

 

Prokurori: -A nuk ishin çështje shtetërore këto, për të cilat të preokupohet Ministria e Jashtme. A e di ti se asgjë nuk bëhet në marrëdhënie me shtetet e jashtme pa kaluar nëpër kanale të Ministrisë së Jashtme?

 

Koçi Xoxe: -Çështje të tilla kalonin nga Ministria e Brendshme, pasi konsideroheshin çështje ilegale.

 

(Mbi këtë, shoku Prokuror lexoi një telegram nga Sekretari i përgjithshëm i U.N.O-s, Trigvie-Lie).

 

Prokurori: -A ishte kjo një punë e karakterit ekskluziv e Ministrisë së Punëve të Jashtme?

 

Koçi Xoxe: -Po, këto ishin punë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por i kam konsideruar si gjëra normale.

 

Prokurori: -A mundet që Byroja Politike e Komitetit Central të marrë vendime në kundërshtim me mendimin e qeverisë?

 

Koçi Xoxe: -Jo, Byroja nuk mund të marrë vendime në kundërshtim me mendimin e qeverisë.

 

Prokurori(Bedri Spahiu): -Të përgjigjet i pandehuri për gjithë veprimet që ka kryer për suprimimin e udhëheqësve moralisht e fizikisht dhe të na shpjegojë planet e grupit të tij për këtë veprim.

 

Koçi Xoxe: -Një grup i tillë në këtë drejtim nuk ekziston. Disa nga anëtarët e Komitetit Central janë vënë në survejim me urdhër të Byrosë dhe Sekretarit të Përgjithshëm(Enver Hoxhës).

 

Prokurori: -A mos parashihje ti i pandehur ardhjen e një akuze jugosllave për Nakon dhe për udhëheqës të tjerë dhe prandaj ke dashur të mbledhësh informata për udhëheqës të ndryshëm dhe nga proceset e armiqve të popullit që gjykoheshin?

 

Koçi Xoxe: -Çështja e Nakos u shpjegua dhe ky u konsiderua si armik në marrëdhënie me jugosllavët. Për vënien në survejim të të tjerëve  është marrë vendim nga Byroja në periudha të ndryshme se çfarë mund të bënin këta njerëz me reaksionin dhe informata që janë mbledhur për çdo eventualitet, por me aprovimin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe një pjese të Byrosë. Dhe të gjitha këto informata ja kam treguar Komandantit.

 

Prokurori: -A ke dhënë urdhër ti i pandehur që të censurohet korrespondenca?

 

Koçi Xoxe: -Censura është vënë me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të Byrosë.

 

Prokurori: -A ke censuruar ti i pandehur korrespondencën e udhëheqësve?

 

Koçi Xoxe: -Letrat e udhëheqësve nuk janë kontrolluar dhe ka qenë dhënë një urdhër prej Komitetit Central që letrat e Anëtarëve të Komitetit Central dhe të Qeverisë mos censurohen.

 

Prokurori: -A kishe ndonjë organizim ti me Rankoviçin për të kontrolluar letrat që u vinin udhëheqësve dhe Sekretarit të Përgjithshëm?

 

Koçi Xoxe: -Jo, nuk kam bërë ndonjë organizim të tillë.

 

Prokurori: -A i shkonin Sekretarit të Përgjithshëm të gjitha letrat dhe kërkesat që i drejtoheshin?

 

Koçi Xoxe: -Po, i kanë shkuar.

 

(U këndua një deklaratë në lidhje me një letër që i burgosuri Enver Sazani kishte dërguar për t’ja dorëzuar Komandantit dhe që i pandehuri Xoxe jo vetëm që nuk ja dërgoi, por kërkoi që të përkthehet pasi ishte shkruar në gjuhën frënge.)(Faqja 52 e Proces-Verbalit të gjyqit kundër Koçi Xoxes)

 

Koçi Xoxe: -Unë di që Enver Sazani kishte dërguar një letër për Medar Shtyllën.

 

(Mbi këtë shoku Prokuror lexoi një deklaratë të Shpend Degës në të cilën thotë se një letër që i drejtohej Komandantit nuk i është dorëzuar atij, por përmbante një shënim të Vaskës që urdhëronte të përkthehej.) (Faqja 51 e Proces-Verbalit të gjyqit kundër Koçi Xoxes).

 

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci si qëndron puna e kësaj letre?

 

Vaskë Koleci: -Kjo do të ketë qenë ajo letër e shkruar në gjuhën frënge që i drejtohej Komandantit dhe që Koçi Xoxe më kishte porositur ta përktheja. Dhe në këtë letër, vetëm adresa ishte shkruar në gjuhën jugosllave.

 

Koçi Xoxe: -Mua Vaska nuk më ka dorëzuar ndonjë letër të tillë.

 

Vaskë Koleci: -I pandehuri Koçi Xoxe ma ka sjellë mua këtë letër për ta përkthyer.

 

Prokurori: -Po si ndodhi që letra dhe shkresa të drejtuara Komandantit të mos i jenë dorëzuar atij, e të gjenden në arkivat e Sigurimit.

 

Koçi Xoxe: -Nuk e di.

 

Prokurori: -Si është puna e një letre të Xhemal Mbrojës, e cili është ky Xhemal Mbroja dhe ku ndodhet?

 

Koçi Xoxe: -Letrën e Xhemal Mbrojës ma ka dhënë Komandanti dhe unë ua dërgova shokëve poshtë që të interesohen se si është puna e këtij pasi ky qe internuar së bashku me të shoqen në Gjirokastër si element anti-parti.

 

(Ju dha të pandehurit një letër për ta lexuar me zë të lartë që i drejtohej Xhemal Mbrojës nga ana e shokut Tuk Jakova, letër kjo që përmban një pseudonim.)

 

Prokurori: -Këtë letër e kanë zënë agjentët e të pandehurit Koçi Xoxe dhe prandaj kërkoj të pyetet i pandehuri Vaskë Koleci se ku mbaheshin këto letra?

 

Vaskë Koleci: -Këto letra e urdhra të Koçi Xoxes i janë dhënë Nesti Kerenxhit për t’i mbajtur në kasafortën e akteve sekrete.

 

Prokurori: -Shokë gjyqtarë! Të lexohet përmbajtja e kësaj shkrese që ka shënimet e Nesti Kerenxhit në lidhje me pyetjen e të burgosurit Hasan Reçi prej të cilit kërkoheshin deklarata kompromentuese për udhëheqjen e Partisë dhe të Pushtetit.

 

(U kënduan shënimet e Nesti Kerenxhit në rastin kur ka shkuar në burg për të pyetur Hasan Reçin dhe që ka bërë deklarata për personalitete si Tuk Jakova, Myslym Peza, etj…) (Faqa 53 e Proces-Verbalit të gjyqit kundër Koçi Xoxes)

 

Prokurori: -Jo vetëm kaq shokë gjyqtarë, por i pandehuri Koçi Xoxe ka urdhëruar që në lidhje me ato shënime që kishte mbajtur Nesti, t’i përshkruante me dorën e tij. (Dhe në fakt kemi bashkangjitur kësaj deklarate të Nestit, shënimet me dorën e të burgosurit Hasan Reçi, me anën e të cilit kërkohej të grumbullohej material për shokun Tuk Jakova e të tjerë. Dhe këtë material, i pandehuri Koçi Xoxe e ruante si sytë e ballit në kasafortat e akteve tepër rezervë për ta përdorur kur t’i shfaqej koha oportune. Prej këtyre del e qartë rruga që ka ndjekur i pandehuri që ishte ajo e goditjes dhe eliminimit të udhëheqësve… Për të përkthyer këto letra që i dërgoheshin Komandantit të Përgjithshëm, ka përdorur edhe të burgosur.

 

Sekretari: (Lexon një letër turqisht drejtuar Komandantit, e cila pasi ishte shkruar në turqishten e vjetër, me anën e një oficeri të Sigurimit ju dërgua për përkthim të burgosurit Xhevdet Dishnica).

 

Prokurori: -I pandehur, a kishte nevojë Komandanti që letrat që i dërgoheshin atij, t’i përktheje ti në Sigurim?

 

Koçi Xoxe: -Nuk e di si është puna e kësaj letre…

 

Prokurori: -A ke lejuar ti i pandehur që Ozna (Paraardhësja e UDB-së) të hapte korrespondencën zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të udhëheqësve të tjerë?

 

Koçi Xoxe: -Nuk e kam lejuar një gjë të tillë.

 

Vaskë Koleci(Pasi ju tregua një tok shkresash e telegramesh): -Ozna(Zbulimi) jugosllav donte që letrat dhe telegramet e Komandantit (Enver Hoxhës) të jepeshin të hapura për t’u kontrolluar.

 

Prokurori: -Me se merrej Shpend Dega dhe me kë kishte lidhje ky?

 

(U këndua një shkresë e Seksionit të Sigurimit të Shkodrës me të cilën i përcillej Ministrisë së Brendshme një letër që një shtetas i dërgonte Kryeministrit Enver Hoxha).

 

Prokurori: -I pandehur Xoxe, si është e mundur që organet e Sigurimit t’i përcjellin Ministrisë së Brendshme kërkesat e shtetasve të ndryshëm që i drejtohen Kryetarit të Qeverisë?

 

(Ju tregua të pandehurit kjo shkresë që përmban vula dhe nënshkrimin e organeve të Sigurimit të Shkodrës dhe po kjo letër ju tregua edhe të pandehurit Vaskë Koleci që dha deklaratë…)

 

Vaskë Koleci: -Kjo shkresë është e Seksionit të Sigurimit të Shkodrës dhe përmban vulën dhe nënshkrimin e atij seksioni.

(Vijon nesër)

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Akuzat e Prokurorit Bedri Spahiu ndaj ekzistencës së ‘Planit të arrestimit të udhëheqësve’ dhe kundërshtimet e të pandehurit Koçi Xoxe.

-Dëshmitë e të pandehurve: Pse u survejuan dhe u hapën dosje për udhëheqësit Omer Nishani, Myslym Peza, Sami Baholli, Spiro Koleka, Manol Konomi, Medar Shtylla, etj…

-Dëshmitë e Xoxes dhe të pandehurve të tjerë lidhur me një qarkore për ushtrinë, hedhur në qarkullim nëpërmjet takimeve të Kadri Hazbiut me ushtarakë të Beogradit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *