Lorik Cana dhe e ardhmja e tij ende për t’u shkruar… Sigurisht, jo ajo me kombëtaren, pasi vendimin për të hequr dorë nga fanella kuqezi e ka marrë prej kohësh dhe gjendja fizike nuk i përgjigjet më ashtu si do të donte kapiteni i një mijë betejave… Kontrata e tij me Nantën skadon dhe ajo s’do të rinovohet. Eshtë kjo dëshira e klubit, por edhe e vetë futbollistit, që aktualisht është duke menduar për një të ardhme larg Francës. Sigurisht, destinacionet e mundshme janë MLS (kampionati amerikan i futbollit, por edhe Kina, apo Emiratet e Bashkuara Arabe).
E megjithatë, duke u ndalur tek MLS, këtu ka një problem. Kur një kampion si Andrea Pirlo, që ka luajtur dhe fituar shumë me Milanin dhe Juventusin por edhe kombëtaren, është ankuar se “luhet shumë në aspektin fizik dhe shumë pak në atë teknik”, si mundet që kapiteni kuqezi të jetë i përshtatshëm? Kjo nisur edhe nga problemet e shpeshta fizike. Madje, vetë gjakovari bën humor duke thënë se “tashmë u plaka!”.
Kohë më parë, në një intervistë për mediet franceze, presidenti Valdemar Kita, kritikoi jo pak trajnerin De Zakarian se pikërisht Canën e kishte lënë mënjanë, e kishte shpërfillur. Në fakt, ai kur arriti akordin me ish-futbollistin e Lacios, i pati premtuar se do të ishte një lider brenda dhomave të zhveshjes dhe eksperienca e tij do të vlente, por kjo gjë nuk ndodhi kurrë. “Kanarinat” patë një periudhë prej 7 javësh ku edhe befasuan të gjithë, duke mos humbur, por më pas gjithçka u kthye në identitet dhe ëndrra evropiane u shua. “Kam vendosur të mos vazhdoj me Nantën dhe këtë gjë ia bëra të ditur kryesisë”, do të rrëfente Loriku, ndërsa ka shprehur dëshirën “për të provuar një aventurë jashtë Europës”.
Sakaq, “Sport Ekspres”, nga burime shumë të afërta me futbollistin e kombëtares, shton dhe se Loriku, shumë shpejt, do të ketë bisedime edhe me drejtuesit e Marsejës, por jo për t’u kthyer si lojtar, por në stafin drejtues të këtij klubi historik dhe ku gjakovari ka kaluar momente të paharrueshme dhe është rritur si njeri e futbollist profesionist. / Sportekspres
