Falimenti i një biznesi nuk është një proces i vështirë vetëm për faktin e mbylljes së tij, por dhe të gjithë peripecive që duhet të kalosh nëpër gjykata. Pas ankesave të shumta të sipërmarrësve mbi këtë fenomen, është hartuar një projekt i ri ligjor, i cili pret të kalohet në qeveri dhe më pas të bëhet pjesë e diskutimit kuvendor dhe me grupet e interesit. Sipas draftit të Ministrisë së Drejtësisë projektligji “Për Falimentimin” synon të caktojë rregulla të detyrueshme, të njëjta dhe të barabarta, si dhe të lehtësojë zgjidhjen dhe shlyerjen e detyrimeve të debitorit brenda ose jashtë procedurës së falimentimit.
Gjykatat dhe roli i tyre
Në draftin e ri ligjor lidhur me kompetencat e gjykatës, janë qartësuar kompetencat dhe procedurat e vendimmarrjes së gjykatës, duke e bërë më fleksibël dhe të shpejtë ndërhyrjen e gjykatës nëpërmjet vendimeve apo urdhrave që jepen vetëm me bazë konsultimi mbi aktet, pa nevojën e një seancë dëgjimore të detyrueshme. Po kështu në projektligj sugjerohet që rrethi i subjekteve monitoruese apo që kanë të drejtën që të jenë të mirë-informuara lidhur me procedurat e falimentimit të mbetet jo vetëm në kuadrin e AMF-së, të gjykatës së falimentimit, të mbikëqyrësit, apo të kujdestarit, por të shtohet edhe roli i Prokurorisë, i Kontrollit të Lartë të Shtetit apo i Autoriteteve Mbikëqyrëse të sektorëve të ndryshëm me interes publik. Roli i këtyre subjekteve lidhet me marrjen dijeni apo verifikimin e dokumentave, vendimeve gjyqësore, të planit të riorganizimit, ristrukturimit të borxheve apo të transfertave të tre viteve të fundit të subjektit para falimentimit. Kjo me qëllim shmangien e abuzimit apo mashtrimit me procedurat e falimentimit.
Kush i nënshtrohet falimentimit?
Projektligji parashikon zgjerimin e diametrit të rrethit të subjekteve, tek të cilët shtrin efektet e veta falimentimi ku përfshihen: personat fizikë (individë, konsumatorë apo tregtarë); personat juridikë (personat juridik privatë dhe publikë, fitimprurës dhe jofitimprurës); si dhe njësitë administrative vendore. Lidhur me rrethin e veprimtarive me interes të publikut, projektligji ka parashikuar që këto subjekte do t’i nënshtrohen rregullave të përgjithshme të falimentimit, kur falimentimi rregullohet nga ligjet e posaçme, duke mbetur në këtë pikë në parashikimet që ka edhe ligji ekzistues. Ndërkohë projektligji ka parashikuar që ky rregullim të ndikojë mbi subjektet që ushtrojnë veprimtari në interes publik vetëm për sa kohë ato janë të licencuar për kryerjen e këtyre veprimtarive.
Depozitat për kostot dhe shpenzimet e falimentimit
Ligji aktual, parashikon mbylljen ose mos-fillimin e procedurës së falimentimit dhe çregjistrimin nga regjistri kombëtar të debitorit, i cili nuk ka mjetet e mjaftueshme për të mbuluar kostot e procedurës së falimentimit. Ky rregullim krijon mundësi të mëdha për skema mashtrimi nëpërmjet falimentimit. Grupi i punës ka kërkuar të gjejë zgjidhje që të shmangë dështimin e procedurës së falimentimit, për shkakt të mungesës së mjeteve të debitorit. Në këtë kontekst është saktësuar në projekt se lidhur me çështjet e kostove apo të shpenzimeve të falimentimit të cilat figurojnë si një nga pengesat që bllokojnë procedurën kur subjekti ka paaftësi paguese, projektligji parashikon krijimin një depozite garancie për të mbuluar këto shpenzime. Kjo depozitë parashikohet të krijohet si një fond i posaçëm nga subjektet tregtare apo sipërmarrësit pas vitit të tretë të veprimtarisë së tyre dhe depozitohet në bankë në emër të tyre, me kusht që depozituesi rifiton të drejtën e përdorimit të saj në rastin kur e mbyll veprimtarinë e vet me anë të likuidimit. Veç kësaj, projektligji parashikon një mundësi që të parashikohet një fond publik që do të menaxhohet nga AMF-ja dhe që synon të shmangë bllokimin e procedurave për shkak të dorëheqjes së administratorit apo të refuzimit të detyrës prej tij. Parashikimi i riskut të falimentimit që në zanafillën e një aktiviteti tregtar nuk e step atë, por e bën më realist.
