E dashura DITA, përshëndetje! Meqenëse tek ju po bëhen shkrime për heroin legjendar të LANÇ, Shefqet Peçi, mendova të them edhe unë diçka për këtë figurë qendrore të historisë: Në ato vite që kundërshtohej feja, më rastisi të ndodhesha afër tij. Pranë kishës së Rubikut ishte dislokuar një repart ushtarak ku punoja edhe unë. Me sa dukej për të na folur lidhur me fenë, në repartin tonë erdhi Shefqet Peçi. Mbas takimit me efektivin kuadër dhe ushtarët, Shefqeti u drejtua për tek kisha duke bërë me shenjë që ta ndiqnim dhe ashtu bëmë. I gjithë personeli, oficerë dhe ushtarë u rreshtuan para derës së kishës ku na foli mbi rolin e fesë. Në mbarim kërkoi që të hapej dera, por ajo ishte e kyçur. Komandanti dërgoi person tek kujdestari i kishës për çelësin, por nuk u gjend. Në moment i madhi Shefqet i drejtohet derës duke e goditur me shqelm, por dera nuk u hap. Fill pas goditjes njëri nga shokët tanë kuadër shprehet se “nuk ka faj dera”, por megjithëse zëri ishte i ulët, ai e dëgjoi dhe pyeti dy herë: “kush foli, kush foli?”, por asnjë nuk u përgjigj. Mirëpo ne që kishim dëgjuar për bëmat e tij kafshuam gjuhën se mos kuptohej dhe shoku ynë do të kishte pasoja të rënda, por asgjë nuk ndodhi. Ai ishte aq i madh sa që çdo gjëje i jepte rëndësinë e saj, si në luftë dhe në paqe. Kujtoj ngjarjen kur gjatë luftës për çlirim dhe masakrës që kishin bërë mercenarët në Kukës mbi partizanët, ai gjeti forcën në burrërinë e tij duke falur njërin pasi i thanë se këtë javë martohet, megjithëse e kishte hak plumbin. E pra, i tillë burrë shteti ishte Shefqet Peçi i cili i lodhur nga mosha dhe sëmundja e gjatë, me qëndrimin e tij sfidoi burracakun Berisha i cili ja kishte frikën edhe në çastet e fundit të jetës së tij! Pjetër Bubaj
