Partia Socialiste e Ramës dhe Partia Demokratike e Bashës janë nën të njëjtën zgjedhë, me kular në qafë në tërheqje të parmendës për ndërtimin e Skavicës. Të dy qetë e qerres tërheqin me të njëjtën pamje e zë ndërtimin e hidrocentralit tashmë katër dekada të lakuar.
Tri kronika…
-Qeveria “Nano”, sipas Pajtim Bellos, “Për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës ka pasur Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 299 datë 6/5/ 2005… vendim që u hodh poshtë nga Qeveria “Berisha”.
-Ish ministri i Energjitikës, Viktor Doda në mbledhjen e Asamblesë së PS deklaroi si primare…ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
-Sali Berisha, kryeministër në një sërë daljesh publike ka deklaruar se “Skavica do të jetë dy vitet që vijnë projekti kryesor i punëve publike në Republikën e Shqipërisë”…”
Të dy “qetë” në “parmendë” kanë qenë dhe janë për ndërtimin e Skavicës, për mbytjen e Dibrës me njëdy apo tri diga.
Menjëherë pas deklaratës së ministrit Gjiknuri për fillimin e ndërtimit të hidrocentralit të Katundit të Ri nga një firmë turke, mediat u mbushën me deklaratën e PD me zë e figurë të Grida Dumës…
Shqetësim për PD nuk është mbytja e Dibrës nga gjoli i Skavicës, shuarja e saj për jetë të jetëve por… “një marrëveshje me firmën turke Suzer për hidrocentralin e Skavicës”.
Ndryshimi mes tyre është “sana në fund të brazdës”, janë paratë që rrjedhin nga koncesionet në xhepat e tyre. Asgjë tjetër.
Si PS ashtu edhe PD, zyrtarisht në të gjitha daljet publike dhe vendimet e Këshillit të Ministrave, asambleve partiake etj. janë me një zë të përbashkët, NDËRTIMIN E SKAVICËS dhe për pasojë ZHDUKJEN E DIBRËS.
Letër e nënshkruar
Abdurahim Ashiku
