-Në vend të një replike me prof. A.Civicin –
Nga Dr. Jorgo Mandili
Në një intervistë në gazetën Mapo (2.09.2016), presidenti i U.E.T., Prof.A.Civici, midis të tjerash thekson: “Pedagogu i vërtetë fillon dhe bëhet mbas mbrojtjes së doktoraturës, ku veç njohurive në fushën përkatëse ka edhe njohuri në fushën metodologjike, teorike, njohuri të teksteve shkencore, shkrimit akademik etj. Pra, ka të kombinuar elementet e njohurive të një fushe me elementet kryesore të kërkimit shkencor dhe të dyja bashkë e bëjnë një pedagog më të pranuar”.
Kjo “teoremë” e prof.Civicit është pjesërisht e saktë. Të jesh i përgatitur shkencërisht është padyshim konditë e nevojshme, por jo e mjaftueshme.
“Mund të jesh dijetari më i madh i botës, por pedagog tmerrësisht i keq”, theksonte Maks Veberi, sociolog, filozof e historian. “Nëse për një pedagog thuhet se ai është i keq, kjo është për të, në më të shumtën e rasteve dënim akademik me vdekje, qoftë ai dijetari i parë i botës”, përfundon ai. Dhe historia e mësimdhënies si tek ne dhe në botë, njeh raste të tilla ku shkencëtarë të shquar janë lektorë të mërzitshëm, ashtu siç ka edhe mësues e pedagogë pa grada shkencore e tituj akademikë që janë mësimdhënës të shkëlqyer. Është fakt i njohur se nga ana didaktike, detyra më e vështirë nga të gjitha është paraqitja e problemeve shkencore në mënyrë të atillë që një kokë e pashkolluar, por e aftë për të kuptuar, të arrijë të mendojë në mënyrë të pavarur mbi ato probleme. Pra jeta akademike ka dy aspekte: mësimin dhe kërkimin. Ky është “parimi humboldtian” i didaktikës universitare, i cili ka mbi 200 vjet që zbatohet në universitetet perëndimore dhe vitet e fundit po implementohet me sukses edhe në universitetet e disa vendeve të Europës Lindore. Sepse “mësimi dhe kërkimi”, është “çështje e aristokracisë intelektuale” dhe jo e njerëzve anonimë që rekrutohen në universitetet tona nga rruga dhe sapo futin këmbët, kërkojnë të japin leksione apo të shkruajnë edhe tekste mësimore, pavarësisht se edhe shqip nuk dinë mirë. Arti i mësimdhënies sipas parimit “mësim dhe kërkim” është një dhunti, një prirje e brendshme, një përjetim. Pa këtë përjetim, pa këtë pasion nuk mund të realizohet “investimi intelektual” në universitete. Sigurisht, pasioni është kushti fillestar i faktorit frymëzim, por jo vendimtar. Është edhe puna e kualifikimi i vazhdueshëm, kërkimi e hulumtimi.
Në didaktikën e sotme moderne të qenurit pedagog do të thotë në rradhë të parë profesionalizëm, përkushtim, ambicie, kërkesë llogarie ndaj vetes dhe të tjerëve. Do të thotë të jesh dinjitoz, komunikues, të krijosh marrëdhënie institucionale e humane me studentët në shërbim të interesit reciprok e në harmoni për misionin për të cilin punojnë në interaktivitet midis tyre. Janë këto elemente të domosdoshme të kulturës, shprehive dhe aftësive intelektuale të atij, i cili “ndjen” se e ka prirjen dhe ndërgjegjen për ta parë profesionin e pedagogut si mision, si përkushtim, si ndërgjegje. Në këtë mision, pedagogu nuk konsiderohet më si burim e transmetues i thjeshtë dijesh, por si moderator, udhëheqës e menaxhues i procesit mësimor e kërkimor për t’i orientuar, ndihmuar e drejtuar studentët në ndërtimin e “kokës së tyre”, në vetëformimin e tyre. Në këtë rol të ri, pedagogu duhet të shquhet si lektor në parashtrimin e lëndës së vet.
Origjinaliteti i pedagogut, individualiteti dhe personaliteti i tij shkencor, profesional e metodologjik, evidentohen në shtjellimin, interpretimin, konkluzionet dhe përgjithësimet që ai shpalos para auditorit për një argument të caktuar. Çdo pedagog mund të njohë metoda të ndryshme dhe është e drejta e tij të zgjedhë se cilën do të përdorë në një situatë të caktuar. Në mencurinë e zgjedhjes së tij qëndron suksesi apo dështimi. Për të arritur këtë standard në lektim “Një kërkues i ri (dr.shkencave) ka nevojë për një trajnim të zgjeruar, prandaj, instruktimet e cilësisë së lartë janë po aq të rëndësishme për universitetet, sa edhe kërkimet pionere”.
Kaq thjesht dhe qartë e artikulon domosdoshmërinë e kualifikimit didaktik të një kërkuesi të ri, (të njëjtë me atë të kërkimit shkencor), Mary Micaleese, presidente e grupit të nivelit të lartë në BE për modernizimin e arsimit të lartë. Pra kur ky kualifikim didaktik universitar tashmë ka dalë si domosdoshmëri edhe për universitetet perëndimore ku për dr.shkencash, vlerësimi bëhet mbi bazën e kontributeve reale që sjell në fushën përkatëse të studimit, disertacioni që kandidati mbron, atëherë çfarë mund të thuhet për universitetetet tona, “ku gradat shkencore dhe titujt akademike ende nuk e kanë fituar dinjitetin e solemnitetin dhe nderimin shoqëror”, kur këto grada e tituj po vazhdojnë të shpërndahen si “petullat e gjyshes” nga “këshilla profesorësh e akademikë” të papërgjegjshëm si nga ana ligjore ashtu edhe nga ajo morale?!
Prandaj nuk është e rastit që rendja pas gradave dhe titujve është kthyer në një “majmunllëk” dhe “hobi” jo vetëm për të rriturit, “por edhe për fëmijtë e vegjël për t’u bërë profesorë si gjëja më e lehtë për t’u arritur”, thekson prof. K.Barjaba. Mjafton të plotësosh formularin e V.K.Msë.
Kaq e thjeshtë! Por… dhe kaq ironike dhe donkishoteske! Kjo, falë asaj V.K.M.je, ku për gradat dhe titujt theksi u vihet disa treguesve formalë, që nuk vlerësojnë drejtpërdrejt kontributet reale. Kërkesat normative për artikuj shkencorë me faktor impakti i detyrojnë kandidatët të ndjekin rrugë abuzive për të plotësuar pritshmëritë e formularit: “Nëse duhet publikuar më shumë, publikohet më shumë; nëse duhen botime në revista shkencore me faktor impakti, atëherë gjenden rrugët për ta plotësuar edhe këtë; nëse duhen pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare, atëherë sigurohen aq certifikata sa duhen, pavarësisht se je pjesëmarrës apo jo”, pohon prof. G.Bakalli. As më shumë e as më pak: “Vjedhin fraza nga të gjitha anët, i bashkojnë dhe bëjnë disertacione dhe i botojnë në gjuhë të huaj në revista të nominuara si “Black List” të vendeve afro-aziatike. Nuk mjafton kjo por “shumica e këtyre të ngratëve”, të paaftë për të analizuar apo përpunuar të dhënat, paguajnë për të vënë emrat e tyre në artikuj shkencorë, përmbajtjen e të cilave as e kanë dëgjuar ndonjë herë,pa le ta kenë kuptuar”, thekson prof. B.Gjongecaj.
Pra vetë sistemi me kriteret që vendos, korrupton! Shtoji këtij korrupsioni edhe mungesën e integritetit moral e shkencor të atyre profesorëve dhe akademikëve që përbëjnë “të ashtuquajturin këshill profesorësh! Shumica e tyre e sidomos ata që quhen “kapo” të universiteteve profesorë anonimë pa rekorde kualifikimesh e botimesh, i kanë monopolizuar këto udhëheqje doktoraturash aq sa nuk mund të përfytyrohet kur ndonjëri udhëheq deri edhe 1015 kandidatë, kur në vendet perëndimore ndodh fare ndryshe. “Kjo pasi kriteret e pranimit që ka universiteti dhe unë personalisht”, thekson prof. G.Alpion, pedagog në Universitetin e Birmingamit, “janë të tilla që nuk lejojnë akordimin e një vendi në programin tonë të doktoraturës pa plotësuar të gjitha kushtet”.
Çfarë ndryshimi thelbësor: Ndershmëria akademike përballë trafikut akademik! Kjo e fundit e bërë tashmë “modë” në universitetet tona, po shndërron anonimatët në “dijetarë”, por ndërkaq edhe në një “njollë murtaje” të akademizmit universitar. Kaq e vërtetë është kjo sa një studente e një universiteti jugor e revoltuar deklaron: “Për fat të keq dua të bëj një denoncim ndaj atyre pedagogëve, që dalin para auditorëve pa qenë të aftë profesionalisht e shkencërisht, pavarësisht se kanë grada e tituj akademikë, si dhe ndaj autoriteteve drejtuese që lejojnë një turp të tillë. Dhe akoma më keq që pedagogë të tillë përhapin opinione tek studentët se lënda që ata japin është “e vështirë” dhe pa një “ndihmesë” (kupto: pagesë) vështirë të kalosh në provime. Këta “pedagogë” me ndërgjegje marrin përsipër paturpësinë morale përballë studentëve në auditor dhe opinionit publik, të japin vlerësime të pamerituara për studentët, duke shkelur të gjitha rregullat e etikës universitare dhe ligjore. Unë nuk e di nëse duhet ta pranoj një gjë të tillë, që të pranoj një diplomë të firmosur nga të tillë pedagogë. Dhe më vjen keq, madje ndjej mëshirë të thellë për veten dhe për të gjithë studentët, që ulen nëpër auditore, ambicioze e plot ëndrra për të ardhmen. Të dashur studentë, respektoni veten tuaj, që nesër t’ju respektojnë dhe nderojnë të tjerët juve”, e mbyll pretencën studentja në fjalë. Kaq trishtuese dhe alarmuese!
Të tillët, të “ngratë” me integritet copë-copë, që lënë shijen e keqe të mëshirës dhe neverisë tek studentët dhe opinioni publik, janë produktet e atyre “profesorëve kapo” në krye të atyre këshillave të “prostitucionit akademik”. Dhe njëri prej këtyre “kapove” promovoi kohët e fundit me këmbënguljen e tij një “monstër akademike për prof.ass – me dy ‘ss’, (nga universiteti i Vlorës, pavarësisht kundërshtimit të relatorëve të departamentit). Dhe çudia më e madhe është se këta “kapo” zgjidhen edhe rektorë!? Vaj medet! Këto rezultate priteshin nga zh-gjedhjet “putiniste” universitare të inicuara e të udhëhequra nga Show- Rilindja! U ndërruan vetëm kuajt, madje më të drobitur se të parët, në shumicën e rasteve). Karroca po ajo do jetë, një karakatinë që shërben për asgjë! Ç’kotësi e ironi me universitetet! Ndoshta këtë meritojnë!
Ka ardhur koha t’u jepet fund abuzimeve dhe qëndrimeve të tilla korruptuese dhe shfaqjeve me universitetet. Koha e spastrimit të gjithë atyre që i kanë blerë këto grada e tituj. Në krye të kësaj pune duhet të jenë departamentet të cilët i njohin mirë vlerat shkencore dhe morale të
anëtarëve të tyre. Ka ardhur koha që fjalës dhe punës t’i kthehen vlerat, jo vetëm në universitete, por në çdo institucion. Të mësojmë nga këshillat e të parëve tanë nga lashtësia: “Duhet të jesh budalla që për të blerë një kalë, të kontrollosh samarin e morsat dhe jo kafshën. Duhet të jesh edhe më budalla që të çmosh një njeri nga rrobat apo nga pozita e tij shoqërore, sepse në fund të fundit ato janë një veshje që shërbejnë për të mbuluar”, ka thënë Seneka.
Ndaj, jo mbulimi dhe heshtja, por evidentimi dhe denoncimi i abuzimeve që është bërë me gradat shkencore dhe titujt akademikë, duhet të jetë prioriteti i prioriteteve të fillimit të punës së drejtuesve të rinj të universiteteve. Jo më kot shkrimtari Kim Mehmeti, pasi u njoh me numrin e madh të doktorantëve dhe profesorëve tha: Mjaft doktoruam, tani le të lexojmë nga pak.

Problemi qe trsjton prof.jorgo mandili eshte me te vertete shqetesues dhw edhte bere kaq qesharak ss qe edhe ministria e arsimit nuk e prek fare sepse ndoshta keshtu i kane marre keta tituj edhe vete ata duke filluar qe nga ministrja.Artikulli eshte shkruar me nerv gje qe shprrh nje shqetsim intelektual te autorit.Por kot shkruan se rilindasit jane kaq te zgjiar sa qe nuk kane nevoje permendime racionale .Eshte per te vene ulurimen qe jo vetem univerditetet tona te famshme por gjithe shoqerine tone e ka pllakosur murtaja e zeze e injorances
Ky eshte alarmi qe jep autori. I lumte.
” Nje njeri i semure kurohet, nje peme e kalbur rrezohet” GOTTE. No koment
Deri sa ne krye te ministrise se arsimit te jene dy llacka si ledi lindita dhe madmazel malaj e norajve sistemi yne arsimor vetem injorance do gjeneroje.Kjo rilindje po e con vendin drejt katastrofes kombetare